18 prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike.
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve kujtohet prej vitit 1983, kohë kur Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s u rekomandoi shteteve anëtare që të shqyrtonin mundësinë e deklarimit të 18 prillit të çdo viti si “dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike”.
Dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike paraqet një mundësi për të gjithë Komitetet Kombëtare të ICOMOS-s që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta në të njëjtën ditë.
Në këtë ditë ofrohet mundësia për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, banorëve të zonave historike, rreth vlerave muzeale dhe kërkohet përpjekje për të mbrojtur, konservuar, restauruar dhe rijetësuar dhe vënë ato në dobi të një turizmi kulturor me cilësi.
Kjo konsiderohet si një ditë reflektimi për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe monumentet tona. Misioni i kësaj dite është edukimi i brezit të ri me problematikën e monumenteve, si dhe tërheqjen e vëmendjes për kujdesin që duhet treguar ndaj trashëgimisë kulturore. Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve është një mundësi për të vizituar, shijuar dhe për të reflektuar mbi sitet e trashëgiminë kulturore që kemi përzemër.
Po si u vendos kjo datë
Në vitin 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet, datë e cila u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1983.
Që nga kjo periudhë, 18 Prill ka shënuar ditën e kremtimit dhe promovimit të trashëgiminë kulturore dhe është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj.
Çdo vit, ICOMOS propozon një temë të caktuar për kremtimet dhe aktivitetet që do të organizohen në këtë datë nga komitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të ICOMOS dhe organizata të tjera që dëshirojnë të bëhen pjesë e kremtimeve.
Kthyer tashmë në një traditë, edhe Shqipëria çdo vit i bashkohet kremtimeve në kuadër të kësaj dite ndërkombëtare dhe të gjitha institucionet kombëtare që administrojnë vlera të trashëgimisë kulturore kryesisht monumente në administrim të DRKK-ve dhe parqeve arkeologjike përfshihen gjatë gjithë javës në një kalendar aktivitetesh.