29 shtatori i çdo viti është shpallur Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, me Urdhërin Nr. 348, dt. 28.07.2003, të Ministrit të Kulturës.
Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.
Gjithashtu java e fundit e muajit shtator, shënon edhe fillimin e “European Heritage Days”, Ditët Europiane të Trashëgimisë, e cila kulmon me “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, më 29 shtator.
Si çdo vit, kjo nismë e hershme e vitit 1985 e Këshillit të Europës, e cila celebrohet gjerësisht në rreth 50 vende te Europës, tashmë është shndërruar në një aksion të përbashkët të të gjithë aktorëve të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet realizimit të aktiviteteve kulturore në monumente, parqe arkeologjike, muze e galeri.
Tema e përbashkët e lançuar nga Këshilli Europian, për vitin 2023, është Living Heritage (Trashëgimia e gjallë).
Living Heritage i referohet praktikave, dijebërjes dhe aftësive të trashëguara brez pas brezi dhe të sjella deri në ditët tona. Tërësia e aftësive, zanateve dhe profesioneve shërbejnë për të mbajtur gjallë trashëgiminë nga brezi në brez në mënyra të ndryshme. Tema e vitit 2023 mundëson evidentimin e punës që mban gjallë trashëgiminë në ditët e sotme, falë njerëzve që transmetuan dijebërjen dhe siguruan vazhdimësinë e saj. Tërësia e aftësive, praktikave si edhe mënyra e transmetimit të tyre pasqyrojnë identitetin dhe vazhdimësinë, një proces i cili është në lëvizje të përhershme.
Trajtimi i temës së trashëgimisë së gjallë, krijon mundësinë e eksplorimit thellësisht duke promovuar diversitetin kulturor dhe kreativitetin.
Disa nga aktivitetet përfshijnë:
- Ekspozita me punimet e nxënësve me temë “Trashëgimia Kulturore”, një shfaqje me valle tradicionale, si edhe do të realizohen lojrat edukative “E ka kush e ka –Xhubleta” dhe loja “Mos u nxeh” pranë Muzeut Historik Kombëtar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë;
- “Ahengu Shkodran 2023 – 40 vjet grupi “Karajfilat që ka Shkodra” nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” te Oborri i Muzeut Historik “Oso Kuka” Shkodër;
- Pazari Gjirokastër me panairin “KUL-ART” përgjatë fundjavës 29 shtator – 1 tetor;
- Aktiviteti “Zeje – Avaze – Polifoni – Kulinari”, aktivitet në bashkëpunim mes Drejtorisë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë me bashkinë e Selenicës;
- Hapjen e muzeut të ri kulturor në ambientet e Pallatit të Kulturës Bulqizë