Search
Close this search box.

201 vite nga lindja e rilindësit të shquar Jani Vreto

Jani Vreto ishte shkrimtar, botues, figurë e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare. Lindi në Postenan, në Vilajetin e Janinës më 14 janar 1822. Mësimet e para i ndoqi në një shkollë greke afër Konicës, kurse më 1843-1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur “Zosimea” në Janinë. Më 1847 hartoi një vjershë për Skënderbeun me alfabet grek dhe nisi të mbledhë fjalë të urta e këngë popullore shqiptare. Më 1854 u shpërngul në Kostandinopojë.

Më 1866 botoi një gramatikë e greqishtes e përkthyer shqip, “Grammatikê tês omilumenês hellênikês glôssês eis tên albanikên”, Konstantinopojë Gramatikë e greqishtes së folur në gjuhën shqipe). Në fillim të viteve ‘70 u njoh e u lidh me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare, si: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid pashë Vlora. Mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt, si: Thimi Mitko, Spiro Dine e Thimi Thoma Kreji dhe Dhimitër Kamarda e Jeronim De Rada në Itali.

Më 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe punoi aktivisht për përmbushjen e qëllimeve të tij. Më 1878, botoi veprën “Apologjia” në greqishte, në të cilën shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Në fillim të vitit 1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin përfundimtar të shqipes.

Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip, e cila do t’ia kushtonte energjitë e veta botimit të librave shqip, sidomos të teksteve shkollore, si dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Qe autor i një statuti (kanonizmë) të shoqërisë.

Më 1881 shkoi në Bukuresht që të zgjonte interesimin për lëvizjen kombëtare ndër shumë shqiptarë që banonin në Rumani, dhe themeloi aty një seksion të Shoqërisë Së të Shtypurit Shkronja shqip. Pas kthimit në Stamboll, Vretoja punoi me energji për botimin e organit periodik “Drita” (më pas “Dituria”), i cili doli në Kostandinopojë nga gushti 1884 deri në korrik 1885. Me shoqërinë “Drita” të Bukureshtit u botuan dy libra të Vretos: “Mirëvetija” dhe “Numeratoreja” më 1886. Më 1888 përshtati veprën “Erveheja” të Muhamet Kyçykut me alfabetin e Stambollit, duke e pastruar disi nga orientalizmat. Një vit më pas ai botoi një vepër 158 faqesh me titull “Radhuashkronjë”, Bukuresht 1889 (Llogaritje), për tregtarët dhe biznesmenët shqiptarë në Rumani.

Më 2012 iu akordua (pas vdekjes) urdhri “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes, që çështjen kombëtare e pa të lidhur njësh me krijimin dhe zhvillimin e arsimit kombëtar dhe përpjekjet për krijimin e alfabetit shqiptar dhe botimin e abetares së parë shqipe i konsideronte si beteja të mëdha për fitoren e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar.”

Almanart