Jeronim De Rada, një ndër figurat më të ndritura të botës arbëreshe, themeluesi i Rilindjes tonë Kombëtare, mësues, botues, folklorist, filolog dhe poet i shquar lindi 206 vite më parë më 29 dhjetor 1814 në komunën e Maqit, (Macchia) në Kozenca të Italisë.
De Rada që herët iu përkushtuar çështjes shqiptare. Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore jo vetëm për ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare.
Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen e tij, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë. Në tetor të 1934-s, me dëshirë të babait të tij, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë së Napolit, por fokusi kryesor i tij mbeti mbledhja e materialeve folklorike dhe letërsia.
Pikërisht në Napoli, më 1836 nxori botimin e parë të poemës së tij më të njohur në shqip “Këngët e Milosaos”, me titullin Poezi shqiptare të shekullit XV. Vepra e tij e dytë, Këngë historike shqiptare të Serafina Topisë, grua e princit Nikollë Dukagjini, Napoli 1839 nuk u la të qarkullojë nga autoritetet burbone nën pretekstin se De Rada kishte lidhje me grupet komplotiste gjatë të ashtuquajturit ‘Risorgimento’ në Itali.
Në vitin e revolucioneve në Evropë, më 1848 De Rada themeloi gazetën “Shqiptari i Italisë” (L’Albanese d’Italia), ku u përfshinë artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, me karakter ‘politik, moral e letrar’ e me një tirazh prej 3200 kopjesh, ishte i pari periodik në gjuhën shqipe i botuar ndokund. Më 1883 themeloi revistën mujore dygjuhëshe “Fiamri Arbërit”.
Ky periodik, i botuar në fillim në Macchia e më pas në Kozencë, zgjati deri në nëntor të vitit 1887 dhe me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan. Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro.