Search
Close this search box.

211 filma në “Tirana International Film Festival”

“Tirana International Film Festival” ka shpallur përzgjedhjen zyrtare për edicionin e 22-të, që do të mbahet këtë vit nga data 22-28 shtator. Pas një pune të gjatë që prej tetorit të vitit 2023, duke përzgjedhur mes 3700 aplikimeve nga 110 vende të botës, “TIFF” shprehet se më në fund ka listën zyrtare. “Me 211 filma, nga të cilët 25 të metrazhit të gjatë dhe 186 filma të shkurtër”, thuhet në faqen e “TIFF”. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë prodhuar në vitin 2023-2024 dhe do të jenë premiera kombëtare, duke përfshirë shumë premiera botërore, ndërkombëtare, europiane dhe rajonale. Filmat gjatë “Tirana International Film Festival” këtë vit do të shfaqen në kinema Millennium, qendra e artit “Agimi”, si dhe Liceu Artistik në Tiranë.

Një vit më parë lista zyrtare e “TIFF” përmbante 192 prodhime kinematografike, ku 34 ishin filma të metrazhit të gjatë. “Tirana International Film Festival” nisi në vitin 2003 për të mbërritur këtë vit në edicionin e 22-të me filma premiera, por dhe pjesëmarrje të artistëve të ndryshëm, që priten të jenë në ditët e tij në Tiranë. Më herët themeluesi dhe drejtor i “TIFF” Agron Domi ka shprehur se festivali është rreshtuar që nga 2017 midis 94 festivaleve më të rëndësishme në botë.

““TIFF” e ka konfirmuar vazhdimisht në vitet e veta të ekzistencës, peshën e vet kualitative në industrinë botërore kinematografike, duke u rreshtuar që nga viti 2017 midis 94 festivaleve më të rëndësishme në botë dhe 29 festivaleve më të mira në Europë, të akredituar nga AMPAS – Academy of Motion Picture Arts and Sciences dhe European Film Academy si festival kualifikues, ku fituesi i  Best Short Film në TIFF nominohet automatikisht për Oscar Awards dhe për Best European Short Film”, shprehej drejtori Agron Domi në rrjete sociale. “Tirana International Film Festival” (TIFF) këtë shtator vjen në edicionin e 22 ku në fund do të ndahen dhe çmimet, por tashmë mund të quhet si një nga eventet kulturore më të rëndësishme të rajonit./Gazeta “Sot”

Almanart