48 vjet pa poliedrikun e letrave shqiptare Ernest Koliqi

Më 15 janar 1975, 48 vjet më parë u nda nga jeta Ernest Koliqi, i cili njihet si një nga personalitetet më të shquara kombëtare shqiptare. Ai ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, por edhe ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe pedagog.

Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemeluesi i tregimit modern shqiptar, ndërkohë si Ministër Arsimi ka meritën për dërgimin e 200 mësuesve në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë.

Lindi në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Bashkë me nxënës të tjerë hapi gazetën “Noi giovani” (Ne të rinjtë), ku botoi poezitë e para në italisht. Në vitin 1921, kthehet në Shqipëri, ku edhe iu kushtua fillimisht mësimit të gjuhës shqipe dhe mbi të gjitha, formimit të tij. Në 1923, së bashku me At Anton Harapin dhe Nush Topallin themelon gazetën (fletoren) “Ora e maleve”, tek e cila ishte edhe kryeredaktor, me aktivitet të dendur kulturor dhe politik.

Me Triumfin e Legalitetit shkon në mërgim në veri drejt Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë Serbo-Kroate. Ndërkohë, botoi poemthin “Kushtrimi i Skanderbegut”. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela më 1929. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë. Më 1933 tërhiqet nga mësimdhënia dhe fillon studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-’36 ishte pjesëtar i grupit botues të së përkohshmes “Illyria”.

Më 1938-ën fillon punën si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Universitetin e Padovës dhe në 1939-ën hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, Koliqi emërohet profesor i gjuhës dhe letërsisë Shqipe dhe punoi si mësimdhënës derisa doli në pension.

Një nga studentët e tij, pikërisht studiuesi arbëresh Zef Kjaramonte e kujton me mirënjohje Koliqin, duke theksuar rolin e jashtëzakonshëm që ai luajti në botën arbëreshe.

“Ditën e shtunave vinte Ernest Koliqi dhe na mbante mësim në gjuhën shqipe. Kishte edhe arbëresh të tjerë që ndiqnin mësimet e Koliqit. Koliqi nuk na mësonte vetëm gjuhë, por edhe histori të shqiptarëve. Në këtë mënyrë na e forconte ndjenjën kombëtare. Them me sigurinë më të madhe se Koliqi ringjalli ndërgjegjen arbëreshe. Na motivoi të shkruanim edhe në revistën e tij “Shejza”. Kështu shumë arbëreshë u bënë bashkëpunëtorë të revistës së tij”, kujton Zefi.

Almanart