“Tingujt e kujtesës” një mbrëmje e veçantë, ku ndërthurej muzika dhe poezia me dëshmitë historike, sollën emocione të pazakonta mbrëmjen e 30 majit në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë.
Koncerti përkujtimor vjen për të dytin vit radhazi nga Fondacioni Kujto, me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Shqipëri dhe Fondacionit Konrad Adenauer.
Këtë vit eventi iu kushtua 50-vjetorit të revoltës së kamp-burgut të Spaçit, ku qindra të burgosur politikë, mes tyre edhe artistë, u detyruan të punonin në minierë, në kushte shumë të vështira.
Kënga “Në pijetore unë jam ulur”, e njohur dhe e dashur për publikun, kishte deri me dje një histori të panjohur. Ajo është krijuar nga grup artistësh të burgosur politik në Spaç, në vitet ‘70. Kompozitori i saj është Andon Vanko, vargjet janë shkruar nga Astrit Delvina dhe Gezim Medolli, ndërsa orkestrimi ishte realizuar nga trompisti Ali Hoxha.
Kënga ishte kënduar në burgun e Spaçit, 5 apo 6 të diela rresht, në ato pak orë të lira që ju lejonte komanda e burgut në një ambjent që quhej salla e lojrave. Refreni i këngës këndohej nga një kor të burgosurish që drejtohej nga bas-i i mirënjohur Lukë Kaçaj. Të gjithë këta artistë të shkëlqyer ishin të burgosur njekohësisht në Spaç.
Aktorja Ema Andrea moderoi dhe interpretoi poezi të poetëve të dënuar në Spaç për motive politike, Visar Zhiti, Sadri Ahmeti, Havzi Nela etj.
Artistët e tjerë ishin mezosopranoja Vikena Kamenica, baritoni Ylber Gjini, pianistja Kristina Laço, violinicelistja Dorina Laro dhe violinisti Fatos Bardulla.
Këngëtari Tomi Kondakçi performoi “Se kënduam ‘Let it be’ një homazh për këngëtarin dhe ish-të dënuarin e Spaçit, të ndjerin Sherif Merdani. Kondakçi përcolli emocione të veçanta tek spektatorët, pasi ngjitej për herë të parë në një skenë të madhe, të cilën e kishte ëndërruar netëve në burgun e Spaçit, ku ishte dënuar edhe pse pëlqente dhe luante muzikë të ndaluar nga regjimi.
Pjesa dërrmuese e pjesëve muzikore ishin përpunuar nga kompozitori Endri Sina, drejtor artistik i koncertit.
Koncerti u mbyll me dokumentarin e shkurtër të vlerësuar me çmime ndërkombëtare “Çarçafët e bardhë” me skenar të Luljeta Progni, regji të Pandeli Çeços kushtuar artistit dhe arkitektit shumëdimensional, ish i burgosur politik në Spaç, të ndjerit Maks Velo.
Të pranishmit patën mundësinë të shohin dhe ekspozitën “Jeta në Spaç” me skica të ndërtuara mbi bazën e dëshmive të ish-të dënuarve në kampin e punës së detyruar në Spaç.
Revolta e Spaçit kulmoi me 21 maj të vitit 1973, dhe u shtyp dhunisht nga regjimi komunist duke çuar në pushkatim katër djem të rinj; Skënder Daja, Pal Zefi, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.