Më 23 dhjetor 1963 u pushkatua poeti disident shqiptar Trifon Xhagjika

Trifon Xhagjika

Më 23.12.201963 u nda nga jeta Trifon Xhagjika, poet disident, komandant artilierie, i aktivizuar në grupin e vitit 1963 me bindje sovjetike. Ai shkruante poezi me përmbajtje politike, kundër sistemit totalitar të diktaturës komuniste në Shqipëri. Bashkë me anëtarët e grupit arrestohet në vitin 1963 dhe dënohet me vdekje.

Trifon Xhagjika lindi më 20.04.1932. Ai vinte nga një familje e thjeshtë nga Peshtani (Tepelenë) një fshat i vogël me banorë të dy feve, ortodoksë dhe myslimanë, të cilët jetonin në mirëkuptim dhe paqe me njëri-tjetrin. Fshati piktoresk dhe bashkëjetesa fetare do të ndikonin në formimin e Trifonit, i cili kaloi atje fëmijërinë e tij. Në moshën 9-vjeçare, në vitin 1941, u detyrua të zhvendoset bashkë me familjen në Tiranë, pasi fshati u dogj nga lufta e dytë italo-greke.

Trifoni u shkollua në Normalen e Elbasanit, Në vitin 1954 u diplomua në Shkollën e Bashkuar si oficer i artilerisë kundërajrore dhe filloi punë në repartin e rraketave 3700 te “Rrapi i Treshit”. Filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Në vitin 1958 filloi studimet me korrespondencë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi.

Aktiviteti politik

Rreth fundit te viteve 50 Trifoni u bë pjesë e grupit të të rinjve me pikëpamje sovjetike, i cili përbëhej nga Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho, gazetarë në Radio Tirana, Robert Vullkani, nëpunës, Thoma Rafaeli, oficer ushtarak major, Franko Sara, inxhinier hidrologjik, Stavri Rafaeli, tenor dhe skenograf në Teatrin e Operas Tiranë, dhe Trifon Xhagjika. Në fillim ata ishin një grup shoqëror, i cili më vonë mori pikëpamje politike. Disa anëtarë të grupit ishin kthyer nga studimet në Bashkimin Sovjetik dhe Çeki dhe kishin marrë pjesë në aktivitete në ish vendet e Bllokut Lindor.

Duke jetuar disa vite jashtë vendit dhe vizituar disa vende në Evropën Lindore ata ndjenin ndryshimin midis jetës së hapur në Bllokun Lindor dhe jetës së mbyllur mbytëse në Shqipëri, me jetë kulturore të varfër, me një sistem që mbahej mbi shtypjen, terrorin dhe frikën e persekutimit. Kështu nisën që pakënaqësitë e tyre t’i shprehin midis njëri-tjetrit dhe më vonë me përkeqësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, shkruanin letra ku dënonin kursin stalinist të Enver Hoxhës, të cilat i dërgonin në ambasadën ruse. Teksti i letrave të tyre u publikua në Kongresin e 22-të të Partisë Komuniste Sovjetike në Moskë në vitin 1962. Mbi to ishte shkruar: “Ja se ç’thonë komunistët e vërtetë shqiptarë». Që nga ky moment filluan kërkimet për zbulimin e grupit. Sipas Robert Vullkanit Trifoni shpërndau 18 trakte, nga këto vetëm tre ranë në duart e sigurimit, ndërsa të tjerat i përthithi shpirti i popullit të etur për liri dhe demokraci. Në traktin e shërndarë më 28 prill 1962 ata kërkonin lirimin e të burgosurve politikë. Me prishjen përfundimtare të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik grupi i hoqi shpresat për përmirësimin e situatës dhe një pjesë e tij vendosi të arratisej nga Pogradeci në Jugosllavi për në Bashkimin Sovjetik. Gjatë bisedave të grupit merrnin pjesë herë pas here edhe të afërmit e anëtarëve, dhe njëri prej këtyre të afërmve raportoi sigurimin e shtetit për planin e arratisjes. Një pjesë e grupit (Vangjel Lesho, Thoma Rafaeli dhe Franko Sara) u arrestua pranë liqenit të Pogradecit, ndërsa të tjerët u arrestuan një muaj më vonë. Trifon Xhagjika dhe Thoma Rafaeli si ushtarak morën dënimin kapital me pushkatim.

Në gjyq Trifoni recitoi poezinë «Ndihmomëni të qesh». Akuzës se donte të rrëzonte pushtetin popullor ai iu përgjigj: «Më jepni një top t’i bie sistemit tuaj». Të afërmit e Trifonit janë ende në kërkim të eshtrave.

Krijimtaria letrare

Trifoni kishte natyrë të heshtur. Sipas mikut të tij Stavri Rafaeli Trifoni nuk shprehej shumë mes shokëve dhe miqve. Por ai mendimet e tij i hidhte në letër.

Deri në vitin 1959 ai botoi në gazetën “Drita”, revistën “Nëntori”, “Ylli”, gazetën “Letrari i ri’’, “Zëri i Rinisë’’ etj. Në vitin 1959 botoi librin me poezi ‘Gjurma’. Nga ky libër ka mbetur një vëllim, i cili aktualisht ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar.

Mbas vitit 1959 Trifoni nuk botoi më asgjë nga krijimtaria e tij, si shenjë pakënaqësie dhe proteste ndaj sistemit. Në poezinë ‘Ndërgjegje me katrore të zeza’ shkruan: ‘Pena m‘u thye në vitin 1958’. Nga ky moment Trifoni filloi të shkruajë vetëm për vete. Familja arriti të ruante disa tekste të shkurtra të pabotuara dhe poezitë, të cilat i botoi në librin ‘Atdheu është lakuriq’ 1994 dhe ‘Poezia’ në 2002.

Në këto poezi ai shprehte ndjenjat e tij dhe veçanërisht mendimet që e mundonin mbi shtypjen dhe terrorin që ushtronte sistemi. Ai vuante për veten, familjen, shokët e tij dhe gjithë shoqërinë shqiptare.

NË VITIN E TRIDHJETË TË JETËS

Viti i tridhjetë
erdhe edhe ti!
[…]
O vit i pafat,
thuamë ndonjë fjalë!
Pret të të them unë?
Siç e shikon, fillova të pi
të pi që të harroj,
të harroj që të hesht,
të hesht që të mos pendohem.
[…]
Vite të jetës sime
Ju dua.
Por jeta s’mundi t’ju mbajë.
U thyet,
u bëtë cop’e thërrime.
Tani,
zemra ime,
ndriçon thërrime të thyera.

Për V. Dhe I.

O ditë gëzimi!
Ku shkuat?
Dora e pamëshirshme ju përzuri?!
Ej!
Ta dini ju
sot ditë hajdutësh sundojnë këtu,
dëshirat nga zemra t’i vjedhin.
O ditë gëzimi!
Zjarri mbi ju po djeg !
Drejt jush po vijnë si zogjt shtegtarë,
Që lumturia të ngrihet mbi këtë zjarr.

Por poezitë e tij shprehin edhe rebelizëm. Ndërkohë që në shtypin e kohës i këndohej atdheut të lumtur, Trifoni shprehte revoltë mbi lumturinë e ‘shtirur’

PERËNDIVE

Pa besuar thërrasim Urra.
Mos kemi lindur të bindemi!
Ja ligji i sotëm:
-Beso pa menduar.
Por mua më duhet të mendoj
mendimi i lirë të mbretërojë.

(Revoltë kundër perëndive ?!
Nuk jam i pari,
historia njeh kundërshtarë me taborë).

Unë ju drejtohem perëndive tokësorë :
O perëndi !
Tërbimi juaj askujt nuk i duhet,
me ju askush s’e ndjen veten mirë,
dhe unë bashkë me ta.
Lamtumirë !

ATDHE

Një vend i ëndrrave pa fat
një vend latydësh të tërbuar,
një vend i mendjeve sakate,
me turp e kusari mbuluar.
Një vend me fjalë kotësie,
ku vdekja e fshehtë është modë,
ku drita e Diellit u bë hije,
Atdhe i dashur ti je sot.

NDIHMOMËNI TË QESH

Nuk mundem,
Nuk mundem
Nuk mundem
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpuste një degë dafine
nga lavdi e shekujve.
Atdheun e dija të rritur!
Por sa i vogël qenka!
Asnjë degë nuk e këpuste dot
E mora për dore
ta rris në zemrën time.
Vëllezër !
Po e kërkuat Atdheun
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh,
ndihmomëni të gëzoj!
Atdheu është lakuriq.

Almanart