Muzika e Ennio Morricones në Durrës nga artistët e TKOB

ennio morricone durrës

Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të sjellin një koncert me muzikën e Ennio Morricone-s, një prej kompozitorëve më të mëdhenj në botë i kolonave zanore. Koncerti mbrëmjen e 19 korrikut do të jetë në qytetin e Durrësit me pjesëmarrjen e sopranove të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Rovena Xhelili dhe Marina Kurti, të shoqëruara nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së, nën drejtimin e maestros Benedetto Montebello dhe Dritan Lumshi. “Ky koncert vokalo-simfonik do të mbledhë qytetarë dhe turistë të shumtë për një natë ndryshe buzë detit”, thuhet nga TKOB.

Kompozimet e famshme të kompozitorit dhe dirigjentit të shquar Ennio Morricone do të vijnë këtë 19 korrik në qytetin e Durrësit, por dy sopranot Rovena Xhelili dhe Marina Kurti kanë qenë më parë dhe te koncerti që u dha në qershor 2023 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Një koncert që për sopranon Xhelili pati emocione. “Ka një emocion ndryshe duke qenë se koncerti i dedikohet muzikës së filmit të kompozuar nga Ennio Morricone. Disa nga pjesët që unë interpretoj janë “In Contro” “L’estasi dell’oro” një nga më të njohurat besoj për të gjithë publikun, “C’era una volta il west” së bashku me shumë pjesë të tjera”, tha Xhelili.

Ennio Morricone njihet për kolonat zanore të shumë filmave të njohur italianë dhe të kinemasë botërore. Ai mori çmime “Oscar”, një në 2007-ën dhe një në vitin 2016. Morricone njihet më së miri ndërkombëtarisht si kompozitori i melodive të njohura si “The Good, the Bad and the Ugly”, “Once Upon a Time in the West”, apo “Chi Mai”. Ai klasifikohet si një prej kompozitoreve më të zotë të periudhës së tij dhe ka kompozuar muzikën e më shumë se 500 filmave dhe serive televizive.

Në vitet 2000, Morricone vazhdoi të kompozojë muzikë për seriale të suksesshme televizive, siç janë “il cuoro nel paze” (2005), Karol: Një njeri që u bë Papë (2005), La provinciale (2006), Giovanni Falcone (2007), Pane e liberta ( 2009) dhe Come Un Delfino 1-2 (2011-2013). Ennio Morricone, kompozitori i famshëm italian fitues edhe i “Oscar” u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare më 6 korrik 2020 në Itali.

Koncerti si pjesë e programit të TKOB

Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit zhvillojnë këtë koncert në Durrës në vijim dhe të atyre më parë që kanë zhvilluar në këtë qytet. Koncerti që do të jetë së shpejti për publikun është gjithashtu dhe pjesë e kalendarit artistik veror të këtij institucioni, që po vijon me shfaqje dhe koncerte nëpër qytete të ndryshme të vendit. Baleti “Fatalita” ishte vepra që mbylli sezonin artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, por  u shfaq më parë edhe në qytetin e Durrësit.  “Uni” balet kontemporan që erdhi më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për publikun do të jetë më 20 korrik në Sarandë, 21 korrik në Vlorë dhe 26 korrik në Durrës. Vepra “Carmina Burana” u soll po me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Kotor, ndërsa në vijim janë të tjera aktivitete./Gazeta “Sot”

Almanart