Komedia “Shtëpiakë të dëshpëruar” nis sezonin në Tiranë. Një komedi romantike mbi burrin modern, që ka bërë bashkë aktorët Artan Imami, Indrit Çobani dhe Gentian Zenelaj. Komedia e suksesshme e vitit të kaluar, nis sezonin në Tiranë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. “Pas rekordeve të audiencës në Korçë, Durrës, Fier, Pogradec, Lezhë, “Shtëpiakë të dëshpëruar” vijnë në Tiranë, duke filluar nga 30 janari në skenën tonë”, thuhet nga teatri për këtë komedi, që vjen në skenë ditët e fundit të këtij muaji për të vijuar dhe disa mbrëmje në shkurt. Komedia “Shtëpiakë të dëshpëruar” me regji nga Artan Imami do të jetë në skenën teatrore për publikun në Tiranë në mbrëmjet e datave 30 dhe 31 janar, për të vijuar dhe nëdatat 1,2, 3, 4 dhe 5 shkurt, argëtim dhe të qeshura pafund për publikun, nën interpretimin e tre aktorëve. Pasi merr një letër-ndarjeje nga e dashura e tij Sofi, Xherom (Artan Imami), thërret dy miqtë e tij Aleks (Gentian Zenelaj) dhe Stefan (Indrit Çobani), për ta ndihmuar të gjejë një mënyrë për të rifituar Sofinë! Kuptohet që asgjë nuk ndodh sipas planeve të tyre! Në materialin e komedisë thuhet se vepra si strukturë është një “hibrid” modern midis stand-up comedy dhe komedisë klasike. “Tre personazhet, me karakter dhe personalitete të ndryshme trajtojnë e flasin mbi të gjitha temat e marrëdhënieve njerëzore në çift si, tradhtia, ndarja, psikologjia femërore, psikologjia mashkullore, paragjykimet mbi dashurinë, seksin, martesën, maskilizmin, misogjininë, etj”, shpjegohet për komedinë “Shtëpiakë të dëshpëruar”, që këto mbrëmje janari nis sezonin në Tiranë.
Komedia në skenë
Komedia “Shtëpiakë të dëshpëruar” u vu në skenën e Parisit në Francë në vitin 2011, për të vijuar me sukses më pas në skenat e ndryshme teatrore. “Nuk është një parodi e serisë së famshme “Shtëpiake të dëshpëruara”. Vepra është vënë në skenë në vitin 2011 në Paris dhe vazhdon jetën e saj edhe sot. Mbi 1400 shfaqje dhe mbi 475.000 spektatorë, janë shifra që tregojnë se sa e suksesshme është ajo!”, thuhej më parë në njoftimin e teatrit të qytetit të Durrësit, për këtë komedi kur ishte premierë. Në mbrëmjet e fundit të vitit të kaluar, në 28 dhe 29 dhjetor komedia “Shtëpiakë të dëshpëruar” u shfaq për publikun në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës. Tre aktorët Artan Imami, Indrit Çobani dhe Gentian Zenelaj në çdo skenë që kanë qenë kanë përcjellë një lojë të bukur aktoriale. Këtë herë publiku i gjen bashkë në një komedi, për shtatë mbrëmje me radhënë Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”.Duke nisur nga 30 janari publiku do të ketë mundësinë të shijojë një stand up të ndërthurur në një komedi plot batuta e situata, me tre aktorë të njohur për publikun shqiptar./sot/