
Ekspozita “Eden Game” nga Albana Shoshi te Galeria “FAB” Tiranë
Të nderuar miq, Galeria FAB ka kënaqësinë t’ju ftojë në ekspozitën e piktores së mirënjohur
ALBANA SHOSHI
“EDEN GAME“
dt. 4 dhjetor, 0ra 19.00
Kohëzgjatja: 4 – 14 dhjetor, 2024
Kuruar nga Ermir Hoxha
Galeria FAB,
Fakulteti i Arteve të Bukura
Universiteti i Arteve
…
Çdo vepër arti është autoportreti i atij që e ka krijuar. Në fakt, në rrugëtimin e vet, Arti ka qenë gjithnjë autoportreti gjigand, multiform e i mrekullueshëm i gjinisë njerëzore. Në të gjitha format e tij, prej gjitarëve në muret e shpellave prehistorike, tek imazhi klasik i pushtetit, atij politik a religjioz, deri tek deformimet moderniste apo abstrakte, krijuesit kanë pikturuar vetveten, atë që për ta kishte më shumë rëndësi, çka për ta ishte më domethënëse, më esenciale. Edhe kur pikturuan peizazhin, ai është peizazhi i tyre. Është mënyra me të cilën ata përkufizojnë botën që i rrethon. Njeriu e bashkë me të, Krijuesi e kanë vendosur veten në qendër të Botës, qoftë ai një planet i vockël apo Universi i pafund. E thënë kështu, të pikturosh atë që të rrethon, atë çka për ty ka më shumë rëndësi, është zgjatimi më natyral për një Krijues.
…
Albana Shoshi i pikturon personazhet e saj në zenitin e aktiviteteve të përvitshme. Ajo eksploron brishtësinë emocionale që ata përjetojnë. Përkufizuar ndër festa, apo në arratisje të çdo forme tjetër, fizike e mendore, ajo projekton nëpërmjet pikturës së saj nevojat e kopshtit të humbur, atë që bulëzon në të përditshmen e zakonshme në ato pak çaste vendimtare.
