Parathënie
RISHPIKJA E DASHURISË nga Alain Badiou
Në këte libër, Byung-Chul Han parashtron me vendosmëri se dashuria, me tërë kuptimin e fjalës, të fituar prej një tradite të gjatë historike, po kërcënohet, mbase ka vdekur tashmë, por që sidoqoftë po lëngon: “Agonia e Erosit” ishte titulli original i veprës së autorit.
Por cili është armiku që po e godet për vdekje dashurinë? Është, pa dyshim, individualizmi bashkëkohor. Është domosdoshmëria për t’i caktuar çdo gjëje një çmim tregu, së bashku me dimensionin e interesit vetjak, që përcakton sot sjelljen e individëve. Në të vërtetë, dashuria rebelohet ndaj të gjitha këtyre normave të botës së sotme – botës së kapitalizmit global – kjo jo sepse ajo përbën një pakt të thjeshtë për bashkëjetesë të kendshme mes dy individëve, por sepse dashuria shpalos një përvojë radikale mbi ekzistencën e tjetrit, mbase të vetmen në llojin e saj.
Për ta vënë në dukje këtë, Byung-Chul Han kombinon një lloj fenomenologjie të dashurisë së vërtetë, që përfshin dhe dashurinë seksuale, duke hulumtuar kërcënimet e saj shumëformëshe.
Nga njëra qëndron përshkrimi i përvojës absolute të tjetërsisë; nga ana tjetër janë referencat e përzgjedhura e fajësuese për çdo gjë çka na shpërqëndron nga kjo përvojë, gati edhe na ndalon ta shohim që ekziston, apo që t’iu konsiderojmë pasojat.
Ndaj, ky libër është një përfushje e pamëshirshme e kushtit minimal të dashurisë së vërtetë: Të pasurit guxim mjaftueshëm për të mohuar veten, që të zbulosh Tjetrin; njëkohësisht ai është një lloj ekspozeje e të tëra grackave dhe goditjeve, përmes së cilave bota e sotme e shtyp erosin e mundshëm, duke u orientuar ekskluzivisht ndaj qejfit e plotësimit të kënaqësisë narciste.
Është pikërisht ky kombinim mes rigorozitetit filozofik (teksti mbyllet me nje citat të befasishëm nga Deleuze) dhe një pasurie përshkrimesh nga burime të ndryshme, që e bëjnë librin kaq tërheqës.
Kapitulli i parë përmban filmin Melankolia të Lars von Trier-it, si dhe pikturën e Bruege-it Gjahtarët në deborë dhe Tristanin e Izoldën e Wagner-it (të cilët shfaqen edhe në film), për të treguar se si depërtimi shkatërrues i të jashtmes së dëlirë, i krejt Tjetrit, nënkupton një katastrofë për balancën normale të subjektit. Kjo mënyrë, për fat të mirë, ofron gjithsesi shkëputjen nga vetja dhe njohjen e vetes si rrugën drejt shërimit.

Për ta blerë librin klikoni më poshtë: