Lexojmë: “Udhëtim në Malin e Shenjtë” nga Nikos Kazanxaqis

Udhëtim në Malin e Shenjtë

– Nuk kemi kohë të mendohemi… më tha njëri.

– Nuk kemi kohë të dashurojmë… më tha tjetri.

– Interesohesh për qëllimin e jetës? më tha një tjetër duke qeshur; ç’të duhet që ngatërrohesh në këto gjëra, mor i shkretë!

Dhe solla ndër mend përgjigjen, që më dha një fshatar, kur, gjithë ngazëllim, e pyeta se si quhej zogu i kaltër, i cili na kaloi përmbi krye; më vështroi me qesëndi: «Ku vete e ngatërrohesh, mor i shkretë! Nuk hahet».

Dhe një sarhosh, që ishte tok me të, u hodh edhe tha, ndërsa syrin e kishte gjithë sarkazëm:

– Një bejte kam për të të thënë dhe kjo është e vërteta; dhit e ha e pirdh e pi, ja se ç’është jeta.

Dhe intelektualët: xhelozi, grindje, thashetheme e mburrje. Kisha filluar të shkruaja, për të shfryrë, për t’i hapur shteg klithmës së brendshme; ngjitesha në Deksamenë, ku mblidhej luzma e grerëzave, shoqëria e rrezikshme letrare, ulesha në një kënd, dëgjoja; nuk merresha me thashetheme, nuk shkoja nëpër taverna, nuk luaja letra, nuk durohesha dot. Tri tragjeditë e para, që ngjizeshin thellë meje, më shkaktonin dhimbje; vargjet e ardhshëm ishin ende muzikë dhe merrnin e jepnin për të kapërcyer jehonën e për t’u shndërruar në fjalë.

Për ta blerë librin klikoni më poshtë:

Almanart