Filmat e regjisores së mirënjohur shqiptare Xhanfise Keko do të shfaqen në Spanjë. Muzeu Reina Sofia Madrid-Spanjë organizon retrospektivë dedikuar regjisores së shquar shqiptare Xhanfise Keko. Rrugëtimi ndërkombëtar i filmave të regjisores Xhanfise Keko vazhdon nëpër botë, po ashtu edhe nderimi për të. Pas Filmotekës Spanjolle, e cila fundvitin e kaluar bëri pjesë të projektit “Nga lindja: Gratë Kineaste dhe Perdja e Hekurt (1943-1993)”, edhe regjisoren shqiptare Xhanfise Keko dhe shfaqi dy herë filmin “Kur xhirohej një film” si një nga dhjetë filmat e përzgjedhur prej dhjetë autoreve gra nga Europa Juglindore, është Muzeu Reina Sofia në Madrid ai që mendon dhe organizon këtë pranverë retrospektivën dedikuar regjisores Xhanfise Keko. Janë katër filma- “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë”, “Mimoza llastica” dhe “Taulanti kërkon një motër”, që do të shfaqen me këtë rast, dy herë secili, nga data 12 deri 29 prill 2023. Kuruar nga Chema Gonzales, programues dhe kurator i Museut Reina Sofia, filmat e regjisores së mirënjohur shqiptare do të prezantohen për publikun spanjoll nga kritiku e regjisori britanik Mark Cousins, regjisori shqiptaro – amerikan Thomas Logoreci, producenti Genc Përmeti, mbesa e regjisores Denise Keko Andoni dhe Ilir Keko, djali i regjisores Xhanfise Keko. Madridi, por jo vetëm ai, pasi nga 2 – 24 maj 2023 retrospektiva dedikuar regjisores Xhanfise Keko do të organizohet edhe në qytetin Santiago de Compostela nga NUMAX Cinema, janë ndalesat e radhës për regjisoren shqiptare.
Programi i plotë:
https://www.museoreinasofia.es/en/activities/xhanfise-keko
Filmat mirëpritur në vende të ndryshme të botës
Prej dhjetë vitesh, falë bashkëpunimit të ngushtë me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, punës së kompanisë filmike “SKANDAL” dhe producentit Genc Përmeti për digjitalizimin e disa prej filmave kryesorë të autores, prezantimit të tyre në festivale dhe evente ndërkombëtare filmi dhe tributeve dedikuar regjisores shqiptare, organizuar nga Cinemateka e Copenhagës, Wiena Film Museum dhe Festivali i Romës, regjisorja Xhanfise Keko sot, mund të themi, po jeton një jetë të dytë. Amerika, Kanadaja, Brazili, Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania, Zvicra, Austria, Çekia, Rumania, Danimarka, Izraeli, janë vetëm disa nga vendet ku regjisorja shqiptare Xhanfise Keko është shfaqur dhe mirëpritur nga shikuesit. Dhe, kur mendon se propozimet vazhdojnë, atëherë bëhet edhe më e vështirë të thuhet se ku do të jetë ndalesa e radhës e regjisores Xhanfise Keko. Duke ju rikthyer aktivitetit që do të nisë sot në Madrid me shfaqjen e filmit “Tomka dhe shokët e tij”, po sjellim për lexuesit prezantimin e regjisores shqiptare për publikun spanjoll, publikuar në faqen zyrtare të Muzeut Reina Sofia, Spanjë.
Xhanfise Keko. Bota për fëmijët (1972-1984)

cikli filmik
Chema Gonzalez
kurator
Muzeu Reina Sofia
Madrid, Spanjë
Xhanfise Keko (Shqipëri, 1929 – 2007) është një kineaste e jashtëzakonshme në tregimet filmike. Përveçse është grua dhe ka punuar në Shqipërinë komuniste gjatë viteve 1970 dhe 1980, e gjithë filmografia e saj bazohet në një temë të vetme: bota dhe vizioni i fëmijëve. Me një ndjeshmëri të pazakontë, Keko vendos në qendër dëshirat dhe psikologjinë e fëmijës. Kjo retrospektivë, e para në Spanjë, ofron katër nga filmat e saj të restauruar së fundmi në shfaqje të dyfishta.
Kinemaja për fëmijërinë ka bërë për vete kineastë të shquar, si Jean Vigo, François Truffaut apo Abbas Kiarostami, por shumë pak kanë pasur konsistencën e shqiptares Xhanfise Keko. Autore e 11 filmave artistikë të realizuar nga viti 1972 deri në 1984 në Shqipëri, ku të gjithë trajtojnë sfidat, zhgënjimet dhe aspiratat e fëmijërisë. Në një rast të paprecedentë në historinë e kinemasë, Keko do t’i jepte formë një universi të tërë filmik bazuar në vendosjen e fëmijëve në qendër të konceptimit dhe realizimit të filmit. Kjo do të thotë të kuptosh botën e fëmijëve si një periudhë në vetvete, jo si një fazë kalimi drejt një moshe tjetër, dhe për rrjedhojë respektimin e fëmijëve si subjekte autonome, siç e përkufizon filozofi i pedagogjisë René Scherer. Keko do të punonte me fëmijë nga jeta, të përzgjedhur enkas për filmat e saj, të kombinuar me aktorë profesionistë. Nga ana tjetër, praktika e kinemasë së saj e shndërron rolin e aktorit nga punë metodike në një veprimtari fëminore dhe spontane, duke ndjekur tezat e psikologut Lev Vygotsky të pedagogjisë së bazuar në lojë. Leximi i skenarit do të bëhej gjithmonë me fëmijët, pa mbikëqyrjen e prindërve apo kujdestarëve dhe shpesh çonte në një rishkrim bazuar në komentet e tyre. Dekoret e filmave të saj janë një hapësirë ??e hapur për lojën, duke përfshirë të gjithë ekipin. Xhirimet, gjithmonë të shpejta, kërkonin t’i përshtateshin vëmendjes së shkurtër të fëmijëve dhe kamera do të vendosej gjithmonë poshtë, duke respektuar mënyrën e tyre të perceptimit të botës. Me pak fjalë, një sërë masash për të siguruar që fëmijët të mos ishin vetëm subjekt i filmave, por krijuesit e tyre të vërtetë.
Xhanfise Keko do t’i realizonte të gjithë filmat e saj gjatë periudhës komuniste në Shqipëri. Çka nënkupton se i duhej të kalonte në filtrin e censurës dhe t’u përmbahej rregullave strikte. Megjithëse realizoi filma për fëmijë, ajo mundi të trajtojë edhe tema tabu e shumë kontraverse për kohën, si divorci në “Kur xhirohej një film” (1981), realiteti i familjeve me fëmijë të vetëm në “Taulanti kërkon një motër” (1984), apo përkëdhelja e tepërt e fëmijëve nga shtresa intelektuale në “Mimoza llastica” (1973). Fabulat dhe metaforat e botës së fëmijëve i mundësuan asaj jo vetëm të kapërcente censurën, por edhe të paraqiste në ekran ëndrrat e një bote ndryshe për një gjeneratë të re. Xhanfise Keko vijon të jetë një kineaste e panjohur në historinë e kinemasë botërore, padrejtësi kjo që ky cikël kërkon të ndihmojë sado pak në zbutjen e saj.
Programi

-E mërkurë, 12 prill 2023 – 19:00 / Shfaqja e dytë: E mërkurë, 19 prill – 19:00.
“Tomka dhe shokët e tij”
-E premte, 14 prill 2023 – ora 19:00 / Shfaqja e dytë: e enjte, 28 prill – 19:00.
“Beni ecën vetë”
-E shtunë, 15 prill 2023 – 19:00 / Shfaqja e dytë: E Premte, 27 prill – 19:00.
“Mimoza llastica”
-E hënë, 17 prill 2023 – 19:00 / Shfaqja e dytë: E shtunë 29 prill – 19:00.
“Taulanti kërkon një motër”
/sot/