Sot para tre vitesh u shemb ndërtesa historike dhe kulturore e Teatrit Kombëtar. Platforma kulturore “Almanart” në këtë ditë sjell disa shkrime dhe pikëpamje të ndryshme nga mbështetës së kauzës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar gjatë tre viteve rezistencë në kryeqytet. E ndjejmë që Shqipërisë i mungon dita ditës një jetë kulturore e denjë me cilësi dhe vlera siç edhe i mungon hapësira e nevojshme për ta demonstruar këtë gjë, andaj godina e Teatrit Kombëtar i mishëroi të gjitha këto por për pasojë të politikave disa vjeçare të shkatërrimit të identitetit historik të Tiranës jemi në kushtet ku shumëçka mungon.
Sot Teatri është Atdheu – Nga Adi Krasta
Që nga koha kur u mendua gabimisht se shoqëria civile korri një fitore të madhe kundër sjelljes së plehrave kimike në fillim të kësaj qeverisjeje, nuk pati ndonjë betejë që të tregojë muskujt dhe zemrën e qytetarit të zakonshëm, që sillet tej pasionit politik. Qeverisja bëri atëherë një tërheqje të padëmshme për të dhe njerëzit lanë të lumtur sheshin drejt padijes së tyre.
Sot, plehrat e rrezikshme, inceneratorët, drogat e forta, trafikantët, bashkiakë e deputetë me rekorde krimi, vrasës dhe dhunues të shëmtuar të grave, janë ulur këmbëkryq në trupin e një territori të vogël, që e quajmë me hipokrizi Atdhe i dashur e asnjë nerv lirie, reagimi apo dashurie nuk zgjohet më. Është vdekja e paguar e shoqërisë civile, për të cilën na u kërkua qysh në krye t’i rrëfenim atij varrin ku të vendoste lulen e triumfit.
Por deri para dy vjetësh… askush nuk mendoi se do të ishte një ndërtesë e lodhur por e bukur e një kompleksi, ku do të lindte ndoshta kauza më domethënëse dhe komplekse e 30 viteve të fundit: ajo për ruajtjen nga prishja dhe plaçkitja e Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë. Është ai çast kur është kauza që gjen njeriun dhe e kthen në një kudhër zemërate dhe qartësimi. Në një protestues.
Dua t’ju flas se si e shoh unë këtë trini të shenjtë sonte: ndërtesën, njeriun dhe kauzën. Ndërtesa është e hatashme. Ka arkitekturë tipike të viteve ‘30. Bën pjesë në njollën e vetme jo otomane të Tiranës: atë europiano-perëndimore. Nuk ka një njeri të mençur në Tiranë që nuk e kupton se rinovimi i kompleksit “Skënderbeg” me dy salla teatri, një pishinë, kopshte dhe një ndërtesë shik në fund jo vetëm do t’i bënte nder kujtesës kolektive dhe emocionit njerëzor, por do të shërbente si një antidot kundër çmendurisë frymëmbajtëse të qytetit të sotëm.
Kjo kauzë nuk do të ekzistonte nëse nuk do të bëhej menjëherë e QARTË dhe e konfirmueshme se teatri si ndërtesë nuk ka as më të voglën rëndësi për prishësit. Padyshim as ndërtimi i një teatri të ri, që është vetëm alibi. Është plaçkitja e tokës së tij që vlen. Kullat ishin dhe janë kali i Trojës së qytetit të sotëm.
Sfida që ai bën të krijon një ndjesi disfatizmi, rënieje, vdekjeje. Ndaj ajo që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë gjatë këtyre dy viteve është sa e madhe, aq edhe e natyrshme. Te qytetarët që e shohin këtë teatër e këtë skenë çdo ditë me dashuri e merak duhet kërkuar çelësi për të kuptuar shqiptarin e sotëm. Te ky teatër janë ngjizur në një: tempulli, njeriu dhe vetë kauza.
Të gjithëve na ka bërë përshtypje fraza “kam parë qytet pa bulevard, por nuk kam parë bulevard pa qytet”. Në natën neroniane të shkatërrimeve, një natë e Bartolomeut për stadiumin “Qemal Stafa”, që e nxorën vërtik nga mbrojtja e monumenteve për të ndërtuar një qendër brutale biznesi me një bahçe të vogël për kalçeto, ndërtesat e njollës më moderne të Tiranës po bien një nga një. Ato, të pagoja, jam i bindur se me shpirtin e njerëzve që kanë jetuar, qeshur, qarë, ëndërruar e janë shuar brenda tyre e kuptojnë se një skuadër pushkatimi po i shfaros.
Teatri Kombëtar duket sikur me një fuqi shekspiriane të veprave që janë interpretuar këtu, merr përsipër të frymëzojë kauzën. Kjo kauzë thërret njerëzit. Ata përgjigjen. Skuadra e pushkatimit e di se të qëllojë teatrin mund të përshpejtojë në mënyrë të paparashikueshme vdekjen e vetë qëlluesve. Ndaj kjo betejë nervash, retorikash, durimi, lobimi, argumentesh juridike e morale zbret në një fushë, e cila është më e jashtëzakonshmja: koha.
Teatri, si një kështjellë, duhet të fitojë kohë. Rrethuesit pikërisht kohë nuk do të kenë të presin gjatë. Shpejt a vonë, do të humbin pushtet dhe nëse nuk nxitojnë me dredhi e hile, siç bëjnë gjithmonë rrethuesit, duke blerë tradhtarë dhe joshur qëndrestarë, duke sharë e shantazhuar, nuk do të mundin ta prishin kompleksin “Skënderbeg” për të ndërtuar kullat e premtuara, që bashkë me paratë shpëlajnë një herë e mirë sqimën qytetare, kujtesën tonë e atë historike.
Le të përpiqemi të bëjmë një identikit të rrethuesve. Ata duket sikur nuk dinë e nuk munden ta duan teatrin si art. As aktorin si artist. As skenën si vend i shenjtë. Padyshim, publikun e shohin si një votues militant, idiot dhe pa mendim. Nuk shihen shtresime kulturore në retorikën e tyre. Një lloj boshi që i dallohet në sy njeriut në skuadrën e pushkatimit. Sidomos më të riut. Në entuziazmin fake të servilizmit i dallohet pamundësia për të ndjerë. Brenda kështjellës jeni ju. Heronjtë e përditshëm. Ju shoh dhe e ndiej të domosdoshme që për t’ju lartësuar të përpiqem të lexoj kundërfigurat tuaja.
Ata janë gjithashtu qytetarë të këtij qyteti. Por janë apatikë (të mundur), të frikësuar. Sidomos të frikësuar. Për ta, fatkeqësisht, rënia e teatrit nuk është rënia e lirisë, edhe pse ndoshta brenda zërit që nuk dëgjohet pranojnë se arti është shprehje e lirisë.
Ajo që po ndodh këtu është kjo: qeveria e bashkia duan ta plaçkitin tokën e kompleksit “Skënderbeg” që të ndërtojnë kulla. Kaq. Është vetëm kaq. Prandaj është një rrethim këmbëngulës. Ata nuk kanë argument, por mbi të gjitha nuk kanë kohë. Dhe mungesa e kohës i detyron të bëjnë artifica politike dhe gabime e gafa konceptuale. Një prej flluskave më të zhbëshme të hedhura për konsum publik është se disa artistë e qytetarë të Tiranës nuk e duan zhvillimin. Se pasi Tirana të ndryshojë plotësisht, duke u çnatyruar përtej njohjes, ata që me kokëfortësi, zemër të ftohtë kalkulative, hile banale procedurash dhe gënjeshtra të blera në mediat e tyre sot po sulmohen në publik si lakmitarë e hajdutë, nesër do të shihen si largpamës e revolucionarë.
Kjo është po aq e pasaktë sa ç’është bosh çdokush që e artikulon si mbrojtje. Ajo që shohim nuk ka lidhje me stilin arkitekturor, ndërsa te stadiumi nuk ka lidhje vetëm me plaçkitjen e tokës. Stadiumi i sotëm me emrin e një kompanie pothuaj turke do mbetet një ndërtesë brutale. Banale. Nuk i shërben sportit, por biznesit. Dhe është e pabukur.
Prishja e teatrit, ndërtimi i kullave aty, prishja e hotelit “Vjosa”, ndërtimi i ndërtesës së florinjtë te hotel “Tirana” dhe çdo gërryerje e paturpshme e asaj që Tiranën e ka bërë Tiranë nuk është zhvillim. Është hajdutëri, lakmi, narcizizëm, abuzim me pushtetin dhe arrogancë. Në këtë algoritëm mental të qeverisësve të momentit ka gjithsesi një gabim, të cilin duket se nuk duan ta shohin. E ardhmja mund t’u rezervojë atyre një befasi. Pavarësisht qetësisë së momentit, gjithçka që kanë bërë nuk do të kalojë e pandëshkuar. Ndaj qyteti duhet të rezistojë. Fillimisht nga mbrojtësit e tij më entuziastë, pra heronjtë e tij. Më pas prej të gjithëve ne.
Unë kam shumë miq e të afërm, të cilët e di që do të kishin dashur të ishin këtu sot. Jam i tronditur nga mesazhet e shumta që kam marrë prej të njohurish e të panjohurish këto ditë se frika, një frikë e madhe i pengon të vijnë. E paprecedentë në këtë përmasë dhe e krahasueshme vetëm me regjime paçavure pushtetesh. Kjo që kanë prodhuar është fatkeqësi e madhe për ne të gjithë e për këtë vend, por është edhe ndëshkimi më i madh për ta. Kjo është arritja e vetme e një mendësie burracakësh pushteti, që nuk bënë dot as Shqipërinë e as historinë e tyre.
Në qeverisjen e kaluar, ne thamë fjalën tonë me të njëjtin nerv kundër prishjes së piramidës si pronë e qytetit dhe dëshmi e historisë dhe ajo është aty ende. Ja ku jemi sërish për të mbrojtur Teatrin Kombëtar në një qeverisje tjetër. Ku janë ata qindra e mijëra vajza e djem Tirane që heshtin? Duhet të ndihen keq, jam i sigurt. Në boshin dhe shungullimën e mendimeve, në vetminë e tyre, larg interesave të kohës, ata e dinë se kompleksi “Skënderbeg” mund të rinovohej mrekullisht për t’u sjellë në kohën e lavdishme të ndërtimit.
Dhe po, ka gazetari të angazhuar pa qenë bythëlëpirëse. Dhe po, mund ta kesh personale kur pushteti e ka personale. Rrethuesit e kështjellës i përcaktojnë sinorët. Ata të thajnë puset, të helmojnë ajrin, të mbysin shpirtin e lirë, të varfërojnë jetën, të zvjerdhin atdheun, të bëjnë të largohesh. Kjo është personale. Ndërsa të gjithë ata që çirren e bërtasin për të bërë vokalin e liderit, për ata do të duhet të ndihet vetëm keqardhje. Është i rëndë pushtimi i shpirtit. Duhet të jetë si veshja e detyruar e një këmishe force.
Ndërkohë Shqipëria kurrë nuk ka qenë më e sëmurë se sot. E drobitur nga kanabizimi i territorit të saj dhe dalldia për të mbjellë e trafikuar. Ajo sot është në vendin e parë në botë për numrin e azilkërkuesve. Ajo humb çdo vit e çdo ditë pikë në rekorde e statistika që matin demokracinë. Ajo është ende jashtë e larg Europës. Ajo ka rritur borxhin. Ajo është ende më e varfra në Europë. Ajo ende nuk po kupton nëse bandat udhëheqin politikën apo politika udhëheq me banda. Administrata e saj është militante. Parlamenti i saj është qesharak. Qeverisja është e paaftë dhe e korruptuar . Sot nuk jemi më në momentin e perceptimit. Gjithçka është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm.
Unë dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj rrezikun e veçantë, të paparashikueshëm që sjell segmenti i fundit para lënies së pushtetit. Është ai kapërcyell kur mund të bëhen krime të mëdha kundër atdheut me lehtësinë e papërballueshme të fundit dhe vetëdijes se pushteti nuk të vjen më kurrë në dorë. Është ai moment që i ka trimëruar edhe më frikacakët. Një lloj lejeje për të mëkatuar ndërkohë që përgatitet apres moi le deluge. Ky segment i fundit është fillimi i riharrimit, ndaj bëhet i rrezikshëm. Sepse nuk ka pika referenciale.
Lidhjet me realitetin janë shkëputur dhe bisedat rreth teje, qeverisësit, janë bërë pa përmbajtje. Njeriu me pushtetin e segmentit të fundit ka një boshllëk në sytë e tij. Në zemrën e tij. Gjen një interes të sëmurë e mbytës tek ata që e rrethojnë. Ndaj Teatri Kombëtar tani është një kauzë që ka lidhje të fortë me kohën. Duhet të rezistojë në kohë. Në këtë segment të fundit, si në ditët e fundit të Romës, kur Neroni gjeti gjithë forcën e zhveshur nga arsyeja për ta djegur.
Teatri Kombëtar i plotëson të gjitha kushtet për t’u urryer nga qeverisja e sotme. Nga prishja e tij dhe ndërtimi i kullave mund të grabsen 200 milionë euro. Edhe pse rrethuesit nuk e fshehin një gëzim për rrënimin fizik të tij. Zonja dhe zotërinj, Teatri Kombëtar nuk do të prishet. Nuk duhet të prishet. Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë e të Kosovës, shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi dhe në të gjithë diasporën duhet të bëhen të ndjeshëm. Sot Teatri është Atdheu.
Adi Krasta (8 mars, 2020)
Vjen gjithmonë ai çasti…
Për një teatër, ekzekutuar pas shpine në pikë të natës, tragjedia e vërtetë luajtur në të e me të, mbet se as me principin për të përsëritur një skenë jete, e gjer me të bërit e vetes fli, nuk ia mbërriti dot t’ia përcillte më qartë jetës mesazhin e përsëritjes së një skene: se si pas tij do të ekzekutohej pas shpine në pikun e natës edhe njeriu.
Kur e përmendëm para pak ditësh Alber Kamynë me shkas ditëlindjen e tij, ishte më shumë për shkak të dramës “Kaligula” kryevepër e kryer në moshën veç 20 e ca vjeç. Dhe Kaligulës si perandor mizorie reale, që realisht emëroi gjer kalin e tij senator. E jo thjesht për informacion dijenie letrare a kënaqësi estetike, i vërvisim faqet e librave nëpër rrjet, përkundër vetë etikës së botimit si akt, po edhe për të përsëritur e mbase parajmëruar një skenë. Për të ndërhyrë e kuptuar mbase edhe dramën e një kali, që në dallim nga njeriu, sidoqë mund ta ndjejë fizilogjikisht gjendjen e re nga tagjia e veçantë që po i siguron satusi si senator, nuk mund ta kryejë dot vetë dorëheqjen nga kushti. Dhe pastaj sesi Kaligula degjeneroi e shkatërroi tërë një perandori në shërbesë të mynxyrës së fjalamanisë së tij, dhunti për të kapur e kallur të tjerët brenda lojërave me delir prej silogjizmi të sëmurë.
Kur përmendim ripërsëritjen e një skene filozofie në moton Kamy “rebelohem pra jam” te “Njeriu i revoltuar”, por këtu në shërbim të hallit për të ushqyer shpirtin e rebelimit, ia njohim hyrjen në hak letërsisë dhe shkrimtarit. Duke e ditur mirë se halli i tij rreh më së pari te ajo lloj proteste ngritur në rrafshin estetik e ekzistencialist, si e vetmja kundër Absurdit të pakuptiimtë të jetës, e jo drejtpërsëdrejti ndaj kusureve të konkretes dhe shtypjes prej pushteteve.
Kamy ishte ndjerë “I huaj” dhe qe dorëhequr nga kategoria e “ekzistencialistëve”.
Por, nën konceptimin e tij antimarksist dhe kritikën totalitariste të komunizmit real, kurrsesi nuk hiqte dorë një si ai, që sërish rikthehej të përsëriste skenën e shtysave të vetvetes në rini, dhe definicionit pa ekuivok se: “vjen gjithmonë një çast ku duhet me zgjedh mes aktit të kundrimit dhe aktit të veprimit, e kësaj i thonë të bërit njeri”.
Sa më shumë kohë kalon, aq më tepër vetë koha shkon e vërteton atë të vërtetë versioni mizor të vdekjes së Kamysë e mikut Gallimard me hedhje në erë, përplasur me pemën. Porse 60 vjet më parë, ende nuk kishin mbirë plotësisht ekolologjizmat dhe izmat gjithëfarësoji që fshehen sentimentalisht pas peme.
Sa herë e kemi përmendur teatrin dhe barrën e artistit me misionin që të mos lejojë që rrënoja të shndërrohet gërmadhë, nuk është kërshëri për lojën e fjalëve, por rrekje drejt një koncepti dallimi. Dhe jo rrallë një qëllimi. E metaforat nuk e kanë krejt pa pishman të jepen e të japin nga vetja në përdorimin e angazhuar performance diku, por ja që është dhe nevoja për ndryshim që konteksti dikton.
Kur përmendëm para dy-tri ditësh që Teatri Kombëtar i Kukullave tona paska 70-vjetor e do t’i kishin hije thinja e rrudha, lexuar si metaforë, nuk se prisnim një datë për të shpallur një ese si ‘Vaji i kukullave dhe shpërfilljes së tyre që i mjafton vetvetja të kallë datën. Mirëpo, është edhe ai çasti ku lypset të zgjedhësh nga e para: mes kundrimi dhe veprimi.
Në një nga librat e hershmërisë, të viteve të Algjerisë së tij në kushte të rënda, Kamy thotë marazin: “nuk ekziston një shfaqje më dëshpëronjëse se kjo mizerie, mu në bash të vendit më të bukur në botë.”
Edhe këtë poezi, po e hedh parakohe në datën e vendin që nuk i takon. Është si t’i flasësh e lutesh një çasti të trishtë dhe të presësh të dëgjojë një Krisht. Do t’i mjaftonte vendit ku rri, në librin “Për në jug të gjërave kjo hartë virgjine shpalosur dheut gati të çelë botë”.
Por, i bie si nën premtimin e një lodre të presësh kërshëndellat pa rrezikuar të shfaqesh çilimi.
Kundera, që pa ç’ishte terri i propagandës, na thotë diku përvojën e tij sesi ‘diktaturat i katandisin popujt e tyre në popull fëmijë’.
Mirëpo, vjen gjithmonë ai çasti…
i çarjes në rendin e gjërave… ose thjesht rendjes infantile për në renditjen ndryshe të lodrave.
krenar zejno me 10 dhjetor
trotuarit, anes lanes, tirane
Krenar Zejno (10 dhejtor, 2020)
Për Ukshin Hotin dhe Teatrin Kombëtar duhet menduar njëherësh.
Në trojet tona zhduken njerëzit që mbartin mendim, zhduken institucionet që mbartin dëshmi. Ndërkohë që ne thërrasim tekstet e Ukshinit në ekzistencë, format perverse të pushtetit në Tiranë, rreken të shembin Teatrin Kombëtar.
Është bërë pothuaj e pashmangshme kjo natyrë e regjimeve pushtime dhe pushtimeve regjime. Kur na pushtojnë ose shtypin, gjithnjë për mjerimin tonë, na vrasin pikërisht ata njerëz që janë shpallje të mendimit, na shkatërrojnë pikërisht ata institucione që janë vende të dëshmimit.
Le të mendojmë në këtë 16 maj zhdukjet tona të shkuara dhe të ardhme, në formë njeriu apo institucioni, për ta kuptuar qartë se Ukshini dhe Teatri Kombëtar kanë të njëjtën vlerë, atë të ekzistencës së një kombi të cënuar në përmasat e tij si popull e si shtet. Dramë në mendim dhe dramë në ekzistencë.
Kur ta ndjejmë humbjen si popull, atëherë në mendimin tonë do të ketë një përfytyrues në formën e shtetit, në individin tonë do të ketë një përbërës në formën e publikes.
Nga Elvis Hoxha (16 maj 2020)
Duke pritur teatrin e ri të vjetër!
Atë ditë se çfarë më hypi në kokë të bëja këtë foto. Miqtë e mi më panë me habi! Ata ruanin teatrin. Unë kisha vajtur t’i shihja pak.
Po ky ç’pati?
Veshur me pantallona meshini, me këpucë me qafa, me kapele paramilitari, mbi skenën e teatrit, si për ta pushtuar. Nuk e kuptoja atë ndjesi, atë dëshirë të papërmbajtëshme.
A do ma bëjë njeri një foto këtu apo të iki nga kam ardhur ?
Tani e kuptoj që trupi më thoshte diçka por mendja nuk ma rrokte.
Psiqika e pandërgjegjshme më thoshte se ai teatër që e kishin tradhtuar aktorët – që do bënin më vonë vaksinën me hile – mund të mbrohej vetëm me forca paramilitare, ndryshe e kishte të humbur davanë. Kot bënim llogje.
E dyta, që ai teatër do të binte nën sulmin e dhunëshëm të forcave policore. Aktori i fundit në skenën e atij teatri, pra të historisë të teatrit kombëtar do të ishte polici, me thinja, që me një shkop dore në dorë do të vërtitej rreth skenës duke e rrotulluar shkopin mbi kokat e civilëve artdashës.
Ishte aktrimi i fundit që në fakt ishte i vërtetë. Vdekja e atij teatri ishte një tragjedi shekspiriane ku në skenë u luajt drama e shkatërrimit të tij të vërtetë.
Ishte drama e fundit që ishte e vërtetë.
Kishte kohë që nuk viheshin në skenë drama shqiptare.
Por e fundit ishte shqiptaro-barbare.
Lezja pa turp mbi traktor e shëmbi. Që duhej ta mbronte.
Jam i bindur që asnjë Teatër në botë nuk e ka pasur atë, fat, dhe as në njëmijë vitet e ardhëshme nuk do ta ketë. Teatër ku në shfaqen e fundit drama nga fiksion u bë e vërtetë.
Ai prandaj do të hyjë në historinë e artit botëror për turpin e atyre që e prishën, turpin e atyre që nuk e mbrojtën, turpin e atyre që bënin sikur do ta mbronin, por i ngulnin thikën nga prapa, për ata që bashkëpunuan me djegjen e Reishtagut dhe tani nëpër televizione bëjnë sikur ishin pjesë e mbrojtësve.
Artan Fuga (27 shkurt, 2021)
Nga Robert Shvarc
NJË BREDH NË OBORRIN E TEATRIT KOMBËTAR
(rekuiem për Prokop Mimën)
Tërë jetën tënde,
tërë jetën tënde sa të gjatë
e aq të shkurtër, kunat,
mbete një bredh, diku në të acartin veri,
një bredh i fortë,
i drejtë si qiri,
duke ëndërruar një tjetër fat –
ndoshta atë palmën e vendeve të nxehta,
ndoshta atë qiellin mesdhetar,
atë diellin tonë, atë diellin tënd
nën të cilin nuk donin
të na linin vend!…
Dhe tani, që nuk je më,
tani që të vdiqën para kohe
dhe dërrasat e skenës tënde aq të dashur
t’i kthyen në dërrasa qivuri –
tani një shpirt fisnik
të shkuli nga harrimi
e nga mosmirënjohja
e nga cmira
e nga dhunimi
dhe të përjetësoi sërishmi
në një bredh,
sipas ritit të shenjtë të romakëve të lashtë
dhe të hebrenjve të sotëm!
Aty je përsëri, kunat,
pranë skenës tënde,
pranë fjalës tënde të kristaltë
të gjuhës sonë burrërore,
pranë luleve të tua që ishin
e jotja e madhja dashuri, pranë jetës tënde,
mes shokëve të tu!
Aty je përsëri,
i thjeshtë e pa babëzi
titujsh e kurorash –
dhe do të bëhesh
një bredh shtatlartë i drejtë,
siç ishe në jetë.
Dritëhijet e Teatrit Kombëtar në Tiranë
Nga Entela Bineri
Për një kohë, le ta quajmë të gjatë (8 shkurt 2018 – 17 maj 2020), Teatri Kombëtar në Tiranë mori vëmendje si rrallëherë, paçka se ishte një vëmendje e shpërndarë me dendësi të ndryshme në shtresa shoqërore me synime e qëndrime po ashtu të ndryshme.
Mësymja (nëse mund të emërtohet kështu) ndaj Teatrit Kombëtar nuk ishte e re, përkundrazi; ajo erdhi e përsëritur pas një heshtjeje 20-vjeçare. E nëse në betejën e parë pengesë mbrojtëse pati qenë aradha e artistëve (regjisorë, aktorë, etj.) me një përvojë të gjatë e të shkëlqyeshme në skenë dhe ekran, 20 vjet më vonë ky “sulm” e gjeti teatrin, institucionalisht dhe fizikisht, në gjendjen e vet më të rrënuar…
Ajo çfarë ritronditi më së shumti gjithë bashkësinë artistike – ajo çka qëndronte përmbì ndryshimet në ligjin “Për artin dhe kulturën”, si dhe zhvendosjen e trupës teatrore nga Teatri Kombëtar tek e ashtuquajtura “Arturbina” – ishte, sipas artistëve, arroganca me të cilën u morën vendimet për ndryshimet nga institucioni përkatës, Ministria e Kulturës. Pra, thelbi/burimi i pakënaqësisë së përbashkët ishte qëndrimi shpërfillës i institucioneve shtetërore ndaj artit dhe kulturës përgjatë 3 dhjetëvjeçarëve të fundit.
Pati fillimisht një përbashkim të zjarrtë brenda kësaj bashkësie artistike, nxitur nga ndjesitë e fyerjes dhe poshtërimit, pasigurisë profesionale gjithashtu. Nisën kështu takimet e përjavshme të artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, takime të cilat do të përshkallëzoheshin (në varësi të incidenteve midis qëndrestarëve dhe institucioneve shtetërore) në qëndrim të përditshëm në mbrojtje të tij e më pas, pas rrethimit policor të 24 korrikut 2019, edhe në qëndrim mbrojtës 24-orësh.
Që në takimet e para, çështja në fjalë ka pasur mbështetjen jo vetëm të artistëve të arteve të tjera përveç atyre të skenës dhe ekranit, por edhe atë të intelektualëve të shumë fushave të kulturës (studiues, historianë, arkitektë, juristë, profesorë, gazetarë, studentë etj.) dhe qytetarëve të të gjitha grupmoshave e shtresave shoqërore gjithashtu. Pra, vlen të sqarohet se qëndresa në mbrojtje të teatrit i kapërceu përmasat e ngushta shtresore shoqërore. Ndonëse në çdo pikë të ecurisë së saj ajo mbeti e pamjaftueshme në numër, shumështresëzimi i saj çon në përkufizimin pa ngurim të një qëndrese qytetare shumëkohore të kryesuar nga artistët.
U treguan të ndjeshëm në këtë ngjarje mjaft nga aktorët e brezit të vjetër: Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, Guliem Radoja, Mirush Kabashi, Bujar Asqeriu, Justina Aliaj, Mehdi Malkaj, etj., por vetëm pak prej tyre, ashtu si edhe shumë pak prej brezit të ri i qëndruan fjalës së parë. Dikush si, për shembull, Robert Ndrenika (pasuar nga regjisorë e aktorë të një brezi më të ri, si: Alfred Trebicka, Altin Basha dhe Arben Derhemi), vijoi me deklarata të forta e me ngut në kërkesë të një ndërtese të re, duke kundërshtuar kështu vetveten e pak kohëve më parë; shumëkush tjetër zgjodhi të largohet në heshtje nga sheshi i ngjarjes. Pa dyshim që tërheqja e tyre, në kundërshtim të vetvetes dhe në kulm të zemëratës së përgjithshme qytetare zbehu së tepërmi frymën e besimit ndaj moralit njerëzor. Edhe më tepër se kaq, kthesa e këtyre artistëve mpaku energjinë e frymës së krijuar deri atëherë, duke i dhënë përmes kësaj goditjeje një krisje të fortë kundërshtimit ndaj shembjes.
Pati natyrisht një çengel tek i cili u varën të gjitha orvatjet shembëse dhe ajo ishte: Mungesa e sigurisë teknike e ndërtesës! Ishte ky shkaku i përmendur që në fillesat e këtij synimi shembjeje prej Ministrisë së Kulturës, siç dëshmohet edhe prej një kronike të nëntorit të vitit 1998, të risjellë nga Rtv Klan[1]. Mirëpo natyrshëm lindi pyetja në vitin 2018: çfarë ishte bërë që prej vitit 1998 e tëhu? Asgjë. Koha pati ngrirë për ndërtesën “fashiste” të Teatrit; asnjë qeveri nuk ishte kujtuar për ripërtëritjen e ndërtesës, e cila nga ana e saj, për ironi, nuk e pati parë të arsyeshme të binte e të zinte ndokënd përfund as nga lëkundjet e forta sizmike që prekën Tiranën e 26 nëntorit 2019.
E pikërisht pas këtij vërtetimi, qëndrueshmërisë kokëfortë të ndërtesës ndaj dukurive natyrore, vjen një tjetër shkrepje shkëndije: mosshembja e Teatrit bëri të kuptohej se fjala “shembje” që do të duhej përdorur e fundit, ishte përdorur e para si shenjë e dhunimit psikologjik jo vetëm ndaj artistit, por edhe qytetarit. Përdorimi aspak i kujdesshëm i fjalës “shembje”, sidomos kur bëhet fjalë për një ndërtesë dhe hapësirë historike e kulturore, përforcoi në vetëdijen e vëzhguesit të vëmendshëm apo edhe në nënvetëdijen e çdo të pavëmendshmi ndjesinë e vetëmbrojtjes që vjen pas kanosjes, rrezikut (vetëmbrojtje e cila u shfaq, në dukje, në formën e shpërfilljes së çështjes nga ana e qytetarit apo, pse jo, edhe artistëve në përgjithësi)…
Meqenëse lëkundjet e forta të tokës e shembën mundësinë e shembjes vetvetiu të ndërtesës, një tjetër pretendim ngriti krye përballë opinionit publik: ai estetik. Pavarësisht se përballë qëndronte një shoqëri e tulatur, vëmendja e saj duhej “rrëmbyer”. E meqë në ditët tona, në ditë bjerrjeje të shijes estetike, të cilësisë artistike po ashtu, është shumë e lehtë që njerëzit e thjeshtë të çoroditen, aq më tepër kur i prek në paditurinë e tyre mbi vlerat e mirëfillta arkitekturore, pa qenë njohës të fushës përkatëse, lindi domosdoshmërisht nevoja të shprehen në kundërshtim të planit shkatërrues të Teatrit edhe: Unioni i Arkitektëve (AUA), Shoqata e Arkitektëve (SHASH), Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë dhe shoqata ndërtuesish[2], qëndrim që sigurisht nuk u mor parasysh.
Vetëkuptohet që në një shoqëri në lëvizje të vazhdueshme (jo vetëm gjeografike, brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë) – për pasojë, të pasigurt e të cunguar kulturalisht – pakkush u përqendrua te vlera historike e ndërtesës… Mirëpo, para se të shqyrtohen vlerat arkitekturore të një ndërtese, duhet të vërehet ajo që shenjëzon ndërtesa përkatëse në kujtesën e përbashkët të një populli. Do të qe pikërisht historiani Aurel Plasari[3] i cili do të rendiste, me njohuri e oratori të admirueshme, një tërësi institucionesh artistike e kulturore të ngjizura në atë ndërtesë, pa lënë mënjanë veprimtaritë e rëndësishme me karakter politik që patën qenë zhvilluar aty. Prapëseprapë, pavarësisht vlerave të pakundërshtueshme nga pikëpamja historike, as të dhënat e këtij artikulli nuk do të ndalnin dot rrënimin forcërisht të një ndërtese dhe të asaj çka ajo përfaqësoi nga shfaqja në shfaqje rreth tetëdhjetë viteve qenësi/ekzistencë.
Ardhur sërish në pikën e nisjes, në atë të 20-22 viteve më parë, befas u duk e habitshme se si në gjithë këta vjet – sigurisht edhe më herët, por le ta nisim “erën tonë” që nga viti 1998 – nuk qenkëshin gjendur vullneti e mundësitë financiare për ta mëkëmbur atë ndërtesë, e cila për hir të historisë, nuk ishte vetëm një ngrehinë dhe për hir të arsyetimit të paanshëm nuk ishte një detyrë e papërmbushur vetëm prej qeverisë në pushtet. Në historinë e gjatë të ish-ndërtesës së TK-së, qeveritë shqiptare patën dëshmuar një mungesë të dukshme profesionalizmi dhe ndjeshmërie sado të vogël në lidhje me mundësitë e zgjidhjes së gjendjes.
Sidoqoftë, shembja e ndërtesave me vlerë historike, apo edhe thjesht shembja e ndërtesave që përfaqësojnë një lloj identiteti arkitekturor, është kthyer tashmë në dukuri. Teatri Kombëtar s’ishte veçse kulminacioni i kësaj shfarosjeje historiko-kulturore, çka dëshmon, pa dyshim, paaftësinë e shoqërisë shqiptare në ndërtimin e një hapësire të shëndetshme në të gjitha pikëpamjet, veçanërisht në pikëpamjen kulturore.
Pavarësisht kësaj, siç u përmend më herët, prania aktive (me ligjërim) apo pasive (thjesht pranì) e intelektualëve të ndryshëm nuk qe e munguar. Mbajtën fjalë në kundërshtim të shembjes, në sheshin e Teatrit: Përparim Kabo, Fatos Lubonja, Adrian Krasta, Elvis Hoxha etj.; zhvilluan biseda ndërgjegjësimi, duke pasur epiqendër Teatrin dhe gjithçka që lidhej me dukurinë që ai përfaqësonte: Bujar Llapaj, Ilir Mërtiri, Primo Shllaku, Nezir Kraki etj. E pazëvendësueshme, për peshën e fjalës prej profesionisti, për ndjeshmërinë artistike e njerëzore, për arsyetimin e paanshëm, ishte edhe prania e arkitektit Maks Velo.
Nuk mungoi as mbështetja e menjëhershme e artistëve, intelektualëve nga Kosova, të cilët u shprehën përmes deklaratave (Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës); përmes shfaqjeve teatrale të trupave të ardhura nga Kosova, të cilat ishin të shumta në numër. Veçojmë ndër interpretuesit e shfaqjeve aktorët: Justina Aliaj, Mehdi Malkaj, Arben Bajraktaraj, Naim Berisha, Besmir Haliti etj. Nuk munguan as artikujt ndërgjegjësues pikërisht nisur nga ky shqetësim e përmendim ndër ta këta autorë shkrimesh: Rubens Shima, Ardian Vehbiu, Agron Shala, Nebi Bardhoshi, Emin Riza, Gent Kaprata, Roland Bejko, Sherif Bundo, Besnik Dizdari, Red Varaku etj., etj. U shprehën në mbrojtje të tij emra të njohur si: Artan Raça (arkitekt), Fatbardh Marku, Bashkim Zahaj etj., etj., etj. Nga ana e tij, teatri “Migjeni” në Shkodër shfaqi vijueshmërisht mbështetjen e vet. Kurse për sa i përket fushës së muzikës, të vetmit që interpretuan në sheshin e Teatrit në shenjë mbështetjeje, ishin Irma Libohova dhe Gjergj Kaçinari.
Vlen të përmendet domosdoshmërisht prania e artistëve pamorë. Të pranishëm që prej nisjes kanë qenë artistë si: Eldon Luarasi, Mira Kuçuku, Pleurad Xhafa, Ergin Zaloshnja, Armando Lulaj etj. Ka qenë pikërisht “Debatik”, qendër e artit bashkëkohor pamor e cila në një mënyrë apo një tjetër diti të jetë afër shqetësimit në fjalë përkundër heshtjes “mondane” të shumë artistëve të rinj të hapësirës shqiptare. Do të ishte kryesisht thirrja e kësaj qendre arti ajo që do të tërhiqte vëmendjen e artistit pamor shqiptar, të njohur ndërkombëtarisht, Adrian Paci, që të shprehej për këtë çështje. Do të ishte thirrja e saj para dhe pas shembjes së Teatrit Kombëtar ajo që do të vinte para përgjegjësisë për t’u shprehur artistë shqiptarë dhe të huaj. Gjithashtu, qendra të artit pamor si “Zeta” dhe “Tirana Art Lab” patën bashkëpunuar me artistë të ndryshëm në realizimin e ekspozitave për ndërgjegjësim qytetar.
Por dukshëm, bashkësia artistike, pas vrullit të parë, u nda në dy kampe: në ata që dolën hapur me fjalën dhe qëndrimin e tyre dhe në ata që u quajtën rëndom “zona gri”. Këta ishin artistët (jo të paktë) që parapëlqyen të mos cenojnë qetësinë apo përfitimet e mundshme, duke zgjedhur të rrinë në hije. Sigurisht, nuk munguan as përplasjet e brendshme midis grupimeve të asaj që, që në krye të herës, u quajt Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila pikërisht për arsye vetëmbrojtjeje zgjodhi të mos kishte kryesi; prapëseprapë, duke mos arritur t’u shpëtojë krisjeve në verën e vitit 2019, ajo u nda në AMT (Kastriot Çipi, Mirela Çela Jorgo, Andi Tepelena, Elona Caslli, Martin Gjonaj, Endrit Yzeiraj, Marin Gjonaj) dhe AMTZ (Edmond Budina, Robert Budina, Neritan Liçaj, Ervin Goci, Adriana Kalaja, etj.) në dhjetor të po atij viti.
Ishte pikërisht kjo një goditje e rëndë, pas goditjes së largimit demonstrativ të 4 artistëve një vit më parë. Në ndryshim nga ai largim, AMT-ja dhe AMTZ-ja vazhduan të kenë të njëjtin qëndrim karshi çështjes së përbashkët, por pikëpamje të ndryshme organizative, veçse tashmë, AMT-ja, e dëbuar nga AMTZ-ja, vendosi të zhvillonte veprimtari në emër të Aleancës, por në mjedise jashtë hapësirës së Teatrit Kombëtar. Këto ishin veprimtari me tematika të ndjeshme politiko-shoqërore, ku u ftuan emra në zë të fushës juridike, politike, publicistike etj., si: Afrim Krasniqi, Jordan Daci, Altin Goxhaj, Dorian Matlija, Endri Tafani, Behar Gjoka, Ben Andoni, Kreshnik Osmani, Eglantina Alliaj etj. A ishte kjo ndarje pasojë e trysnisë së fortë të cilën po e përjetonte shumëkush prej të pranishmëve në shesh apo ishte pasojë e intrigave përçarëse, për këtë nuk mund të flitet me bindje (ose ndryshe, me fakte). Është e rëndësishme të thuhet se njerëzit e përfshirë në atë ngjarje, gati të përditshëm në shesh, mbajtën për një kohë të gjatë një peshë që, nëse do të ishte ndarë me një bashkësi më të gjerë, sigurisht që do të kishte përftuar një tjetër përfundim. Pa dyshim që, në përfundimin e 17 majit 2020, ndikoi edhe shpallja e pandemisë Kovid-19.
A e kishte mundësinë AMT-ja ta zgjeronte rrezen e ndjekësve të vet? Parë nga një këndvështrim i caktuar, mund të thuhet se po. A ishte kjo mungesë pasojë e paaftësisë apo e një plani të paracaktuar nga elementë të caktuar, në mënyrë që ndjekësit të ishin vetëm ithtarë/ushtarë të Partisë Demokratike me të cilën AMT-ja (në atë kohë e pandarë në dy grupime ende), një ditë pas rrethimit policor 1-ditor të Teatrit, lidhi marrëveshje[4]? As kjo nuk mund të marrë përgjigje përfundimtare, të paktën sot për sot.
Një nga fitoret gëzimshkurtra të Aleancës ishte përzgjedhja zyrtare e Teatrit Kombëtar nga Europa Nostra si një prej 7 monumenteve kulturore më të rrezikuara të Evropës në mars të 2020-ës çka nënkuptonte se organizata më e madhe me shtrirje në hapësirën mbarë evropiane, e cila merret me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, do të përdorte të gjithë rrjetin e saj për të këshilluar mundësi për mbrojtjen e tij, përmes projekteve restauruese. Mirëpo edhe ky lajm, i cili dukej se do të lehtësonte barrën e taksapaguesve shqiptarë, por mbi të gjitha do të zgjidhte ngërçin shumëvjeçar, nuk rezultoi bindës…[5]
Një tjetër arritje, pavarësisht përfundimit fatal, ishte vëmendja e jashtëzakonshme që çështja e Teatrit Kombëtar mori përgjatë gjithë qëndresës 2.5-vjeçare. Kjo vuri në dukje se ajo nuk ishte/është vetëm çështje historike, arkitekturore, urbanistike dhe kulturore; krijimi i një qëndrese të fortë qytetare për lirinë dhe dinjitetin e qytetarit ishte dhurata më e madhe që Teatri i bëri shoqërisë me shfaqjen e tij të fundme. Për rrjedhojë, kjo ishte një betejë e cila nuk mori fund me mbrojtjen/humbjen e një ndërtese.
Ky kundërshtim (kjo protestë) përbën në vetvete kundërveprimin më jetëgjatë ndaj një vendimi qeveritar në hapësirën shqiptare, një vendim i cilësuar i padrejtë nga kundërshtuesit. Ngjarja në fjalë ngjalli shpresë për dinjitet, ndonëse në përmbyllje të saj ajo riktheu mendimin se sheshet e vetëquajturara të lira të kundërshtimeve/protestave janë ende sheshe të varura; jo rrallë u përfol nga shumëkush se aty ndodh farkëtimi i figurave të reja politike, kuptohet kur ato figura shquhen për aftësi oratorike dhe ndërvepruese me turmën në emër të së cilës “luftuan”…
Për rrjedhojë, sheshi i Teatrit Kombëtar ishte pasqyrimi i një shoqërie në rritje, por jo i një shoqërie të rritur tashmë. Ai nisi i lirë, por nuk arriti të vijonte i tillë deri në përmbyllje. Sigurisht, duke u shtrirë kaq gjatë në kohë një kundërshti/protestë, ajo ishte dhe mbetet një dukuri e papërjetuar më herët, për rrjedhojë, ndikuese pa dyshim në vetëdijen shoqërore shqiptare.
Sigurisht që ky artikull s’është veçse një rikujtesë e thjeshtë përmbledhëse, e cila ka lënë jashtë për arsye hapësire shumë mbështetës e shumë arsyetime që vlejnë të përmenden, të shqyrtohen e rishqyrtohen. Është natyrisht paksa herët për të folur ftohtë dhe thellë për Teatrin dhe dramën politiko-shoqërore që u luajt në kurriz/sheshin të/e tij, por ajo që nuk mund të lihet jashtë vëmendjes ishte/është prania e qytetarëve të pazëshëm, të cilët u përfshinë në shesh pa synim spikatjeje, pa egocentrizëm, pa arrogancë, por me largpamësinë e thjeshtë të asaj shtrese shoqërore që shkon pa zhurmë aty ku vendi i vet është i domosdoshëm.
Në fund të kësaj historie të bujshme, vlen të rikujtohet se shembja e Teatrit Kombëtar e bashkë me të edhe e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u krye në mënyrën më ainstitucionale të mundshme, në një mënyrë të dhunshme e të papranueshme për sytë e opinionit publik.
Çfarë do të ndodhë tashmë me trojet e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”? A do të jetë po ajo hapësirë në shërbim të ndërtesës teatrore të premtuar? Cili projekt do të zbatohet për ndërtesën zëvendësuese? Këto janë pyetje që duhej të kishin marrë përgjigje të qetë dhe të qartë institucionalisht, para se të merrej vendimi për asgjësimin e dy ndërtesave. Mirëpo gjithçka çfarë ndodhi: mungesa e studimeve mbi cilësitë e ndërtesës; përpjekja për tjetërsim të truallit publik në privat; hartimi me ngut i ligjit special për teatrin; përfshirja pa konkurs e projektit të arkitektit Bjarke Ingels[6]; përdorimi i figurave të ndryshme të artit nga propaganda (nga ana tjetër, vetafrimi i të tjerëve në mbështetje të çështjes[7],[8],[9],[10]); paaftësia e ndërsjellë midis institucioneve shtetërore nga një anë dhe e mbrojtësve të Teatrit nga ana tjetër për të mbërritur në një zgjidhje të paqtë, dëshmojnë, deri tani, një vijueshmëri aspak shpresëdhënëse…
[1] https://www.youtube.com/watch?v=DvDVdKUOqQA
[2] https://www.newsbomb.al/emrat-77-arkitekte-urbanise-e…
[3] http://www.panorama.com.al/kazma-kunder-historise-te…/…
[4] https://dosja.al/vijon-rezistenca-e-artisteve-te-teatri…/
[5] https://exit.al/teatri-kombetar-shpallet-sit-i-rrezikuar…/
[6] http://www.panorama.com.al/bjarke-ti-je-vrases-me-pagese/
[7]https://www.faxweb.al/mos-i-trazoni-te-vdekurit-z…/
[8] https://www.youtube.com/watch?v=a0qIa8dZxGY
[9] https://www.youtube.com/watch?v=ouggypDHMuM
[10] http://www.standard.al/…/rrenqeth-kengetarja-e…/…
Marrë nga gazeta “Illyria”
Artan Raça
Arkitektura është një gjë shumë serioze, sa nuk mund t’i lihet në dorë vetëm arkitektëve
Në një mbrëmje profesionistësh, organizuar vitin e shkuar në Teatrin Kombëtar, arkitekti Artan Raça, ndër të tjera argumente dhe arsye, se pse Teatri është kompleks kulturor që duhet ruajtur me domosdoshmëri na komunikon:
“Argumenti kryesor që duhet të jetojë një vepër, në këtë rast Teatri, nuk është arkitektura. Arkitektura është e tillë, shpesh herë ajo frymëzimin arsyen e gjen jashtë saj. Arsyeja që një vepër e tillë duhet të qëndrojë nuk është arkitektura, sepse paradoksalisht ajo ka diçka jashtë arkitekturës. Sepse arkitektura e tillë është. Është diçka që lind jashtë arkitekturës. Kjo vepër duhet të qëndrojë ashtu siç kanë qëndruar, ashtu siç janë restauruar, ashtu siç janë rregulluar shumë e shumë vepra të pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm për kujtim. Mos harrojmë që gjysma e Europës është rindërtuar nga fotografi, nga një kujtim i vogël. Këtu qëndron arsyeja e vërtetë pse kjo vepër duhet të qëndrojë. Kjo është arsyeja e parë, para çdo tjetre.”
Por Teatri nuk është vetëm një objekt, ai është kompleksi i parë kulturor në Tiranë, dhe në brendësi të tij mban një shesh, një piacë tipike italiane, të vetmen e llojit të vet. Një pasuri publike që e okupuar nga njerëzit e qytetit ka marrë vlerë sociale duke u kthyer në një pikë referimi, duke realizuar kështu qëllimin për të cilën është projektuar.
“Ky kompleks, përbën në vetvete ose përfshin në vetvete, një nga sheshet e rralla që ka mbetur sot në Tiranë. Një shesh i vërtetë. Nuk ka Tirana sheshe të vërteta si ky. Po të hidhemi tek rrënja e sheshit, ai ka të bëjë me kuadratin. Në botën anglosaksone i thonë “square”, pikërisht sepse është diçka kuadrate, sheshi, pra sheshi tip që kemi ne. Dhe ky është një nga sheshet tipike që sot po humbet. Mos harrojmë, po humbasim sheshin Nënë Tereza, për shkak të përmasës, ndoshta nuk është vendi dhe nuk kemi kohë, por përmasa është një gjë shumë e rëndësishme në arkitekturë. Dhe ky shesh qëndron sepse ka një përmasë njerëzore. Atje po e humbasim sepse po i humbet përmasa atij sheshi. Kemi humbur sheshin Skënderbej duke e kthyer psikologjikisht në një periferi. Unë nuk arrij të gjej një shesh tjetër të tillë, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Pra sheshin të cilin e shpikën italianët, piacën.”
Në Tiranën që ngrihet vertikal, sheshet kanë humbur gjurmët e tyre, ku janë zhdukur komunikimet horizontale që qyteti i shëndetshëm duhet të ketë, siç janë sheshet dhe hapësirat publike horizontale në raporte dhe përmasa njerëzore.
“…sheshi i vërtetë është ai që komunikon me qytetin në kuotën zero, pra ku këmbët të çojnë vetë atje dhe nuk ka nevojë të ngjisën e të zbresësh shkallët”.
Nga Artan Raça
3 dekonstruktime të shpejta (jo të reja) mbi Teatrin Kombëtar.
1. Teatri është simbol i pushtimit fashist prandaj dhe nuk duhet ruajtur.
A nuk janë edhe ministritë në bulevard, Korpusi i Universitetit e plotë objekte të tjera pjesë të së njëjtës periudhë? A nuk janë pazaret e vjetra, si ai në Gjirokastër, të ndërtuar gjatë pushtimit Osman? A nuk janë edhe Piramida dhe Pallati i Kongreseve ndërtime të periudhës së regjimit diktatorial? Pse nuk i shkatërrojmë të gjitha këto “mbeturina” të regjimeve të dikurshme? Përse vendosim që disa t’i mbrojmë e restaurojmë? Çka na ndihmon të japim një përgjigje, është funksioni i objektit/ndërtesës. Kur nuk bëhet fjalë për përmendore, si statujat apo lapidarë, që nderojnë një regjim apo personazh të caktuar të një regjimi të kaluar, pra kur flasim për një objekt që ka funksion përdorimi përtej përnderimit, atëherë çështja shtrohet ndryshe. Pyetja që duhet shtruar është nëse ndërtesa ende kryen një funksion të dobishëm për shoqërinë edhe në ditët e sotme duke e përshtatur atë funksion sipas nevojave aktuale. Teatri, ashtu si dhe shumë objekte të tjera të regjimeve të kaluara e kryejnë një funksion të dobishëm shoqëror edhe sot, prandaj nuk mund të rrëzohen me arsyetimin sipërfaqësor se janë ndërtuar në kohën e regjimeve të vjetra. Për më tepër, ky teatër, ka kaluar nëpër disa regjime e nuk është shembur, nga fashizmi në nazizëm, nga diktatura komuniste në tentativën për të ndërtuar një demokraci liberale, dhe është përdorur prej të gjithë këtyre regjimeve, e më së paku nga periudha fashiste dhe naziste.
2. Tirana ka nevojë për një teatër të ri e modern.
Përse ky teatër i ri duhet ndërtuar pikërisht aty ku është sot Teatri Kombëtar, duke e rrënuar këtë fundit? Pse qenka kaq e lehtë të gjendet hapësira në mes të Tiranë për të ndërtuar disa kulla të larta private, por qenka kaq e vështirë të gjendet hapësira për të ndërtuar një teatër të ri publik, në një truall tjetër që nuk është trualli i Teatrit Kombëtar? Përgjigja gjendet te modeli neoliberal i zhvillimit brutal që ka karakterizuar pushtetin qëndror e lokal në Shqipëri në 30 vitet e fundit.
3. Teatri Kombëtar është në gjendje të keqe dhe përbën rrezik.
Së pari ky argument nuk është dëshmuar me fakte. Një relacion i Institutit të Monumenteve nuk jep asnjë shpjegim apo fakt për konkluzionet e nxjerra. Së dyti, edhe po të ishte në gjendje të rrezikuar, janë edhe plot monumente në Shqipëri në gjendje të rrezikuar, por një shoqëri që ruan vlerat e saj nuk kërkon shembjen, por ruajtjen dhe konservimin e tyre që t’i shërbejnë si trashëgimi materiale edhe brezave që vijnë pas nesh. Asnjë prej institucioneve nuk e përfilli unikalitetin artikekturor të kompleksit të Teatrit Kombëtar, apo lidhjen shpirtërore të artistëve dhe publikut me të, si dhe vlerat edukative dhe historike të tij. Asnjë institucion nuk mori parasysh të drejtën e qytetarëve mbi qytetin dhe publiken shqiptare.
Arkitekt Kreshnik Merxhani
PO TANI, ÇFARË T’U THEMI STUDENTËVE?
nga Dorina Pllumbi
Vit pas viti, me studentët e vitit të tretë të degës së arkitekturës e nisnim semestrin e dytë me një vizitë tek Teatri Kombëtar. Ishte dita më e bukur e vitit akademik. Pranverë. Pas ditëve të dimrit dhe sezonit të provimeve, të gjithë kishim një dëshirë për të qëndruar jashtë e për t’u lidhur me qytetin, për të folur për të jo më vetëm nga klasa e mbyllur, por nga rrugët, nga godinat e tij. Është qyteti me të cilin në mendje formohet çdo student arkitekture. Është qyteti ai që ka nxitur çdo arkitekt t’u futet studimeve në një degë mjaft komplekse sa dhe qyteti vetë. Të jesh student arkitekture, do të thotë të rrish net të tëra pa gjumë duke konceptuar, vizatuar, ndërtuar makete, dhe kjo sa për të hapur një diskutim në klasë mbi projektin tënd të kursit. Mbase pas këtij diskutimi kritik me pedagogët apo me kolegët e grupit të duhet brenda një jave të bësh çdo gjë nga fillimi. Është proces kreativ, kaq i bukur, por dhe sfilitës, mendërisht e fizikisht. Kjo mënyrë pune vazhdon edhe pas diplomimit. Tërë jetën arkitekti është në kërkim të zgjidhjes më të mirë për qytetin, propozimit më të mirë, që edhe në rastin më të suksesshëm kur ideja bëhet realitet, përsëri arkitektin seç e gërryen nga brenda. Ndoshta diçka mund të bëhej edhe më mirë. E pra, arkitekti nuk formohet vetëm në klasë, në fakultet, por qyteti në të cilin kalon vitet e studimit është thelbësor në brumosjen e tij. Është ai qytet, janë godinat e tij që kthehen në karaktere që të shoqërojnë gjatë gjithë rrugëtimit tënd për t’u bërë arkitekt. Është ambienti i ndërtuar që na rrethon çdo ditë, është si uji i detit për peshkun, ne notojmë në këtë ambient. Është ekologjia jonë, e krijojmë, e modifikojmë, e përmirësojmë çdo ditë, por edhe anasjelltas. Është qyteti që na krijon e na formon çdo ditë. Nuk rreshtim së menduari për të. Arkitektura është mënyrë jetese, dhe qyteti bëhet jeta jonë.
Por Tirana, ah Tirana është një dashuri kaq e madhe për studentin e arkitekturës. Vërtet nuk është Roma, New Yorku, apo Amsterdami, por është Tirana. Në rrugëtimin e një dite pranvere nga Fakulteti i Arkitekturës tek Teatri Kombëtar të shoqërojnë ato të thjeshtat shtëpi qerpiçi, fasada xhami që vezullojnë aspirate për biznes, vila të qytetit kopësht dëshmitare të një elegance italiane në këtë territor, parafabrikate gjurmë të një kohe urie totalitariste. Të përshëndet Muzeu mjaft krenar për formën e veshjen e tij materiale, më të mirën e kohës. Kulla e Sahatit është po aty, e lënë jetime pasi ia shfarosën të gjithë fisin e farën në Pazarin e Vjetër. Ajo i ka pranuar tashmë pranë saj, si TOB-in ashtu edhe 15-katëshin. Se mos e pyeti njeri atë nëse i donte si fqinjë. Tani që e mendoj, edhe sot po kalon të njëjtën traumë, as për fqinjët e tjerë që po i vijnë ngjitur nuk e pyeti njeri, edhe sot kur e gjora kullë mendonte që nuk ishim më në totalitarizëm.
Pas përshëndetjes edhe me godinat e ministrive e Galerinë e Arteve përballë, mbërrijmë më në fund tek ai objekt, tek Teatri.
Gjithmonë ishte dikush atje të na udhëhiqte nëpër skutat misterioze të tij. Mjaftonte një telefonatë dhe dyert e teatrit hapeshin për studentët e pedagogët e arkitekturës. Aq të kënaqur ishin artistët të na mirëprisnin në shtëpinë e tyre, që me ndonjë batutë na ftonin në shfaqjen e radhës. Vihej re që vitet e fundit seç kishte një rigjallërim të teatrit pas vitesh të tëra trazirash kur të paktë ishin spektatorët që ndiqnin me fanatizëm çdo shfaqje.
Me zell të madh, një nga kolegët merrte fjalën. I apasionuar pas arkitekturës italiane ai tregonte historikun e ndërtimit të godinës që nga projektimi e deri tek mënyra se si ajo u përdor nga brezat para nesh në Tiranë. Me përshkrimin e tij ai na fuste në atë botën e historisë ku të gjithë imagjinonim arkitektin Bertè që projektonte në frymën e kohës. Duhet të ketë qenë emocion i veçantë që në karrierën e tij do të mund të jepte këtë kontribut në një qytet si Tirana kur sapo kishte nisur të frynte një erë e re modernizimi. Imagjinonim elementët e objektit të parafabrikuar të gjithë në Itali dhe anijet gjigande që ankoroheshin në portin e Durrësit. Ato materiale që po shihnim në këtë godinë kishin bërë rrugë të gjatë deri në Tiranë për t’u montuar pikërisht këtu. Imagjinoni si u dukej kjo teknike e re, e pa parë në Tiranë, atyre ustallarëve që deri tani ishin mjeshtrit e ndërtimit me qerpiç. Imagjinoni Tiranën e dikurshme që tashme kishte një objekt ndryshe. Me studentët reflektonim mbi rolin që një godinë e re ka në qytet, sidomos në një qytet si Tirana e asaj kohë kur aspirata për modernizim sapo kishte nisur. Reflektonim mbi mënyrën si një godinë ndryshon ritualet në qytet. Nuk ishin objektet fetare të vetmet vende të përbashkëta për t’u frekuentuar tashmë. Kjo godinë bënte një tjetër ofertë kulturore emancipuese për kohën. Ja kështu mbushesh me frymëzim duke menduar që ide arkitektonike të suksesshme ndryshojnë jetën e njerëzve në qytet.
Momenti kulminant i takimit tonë me godinën e Teatrit Kombëtar ishte salla. Ishte në këtë moment kur një tjetër koleg i nderuar merrte fjalën dhe me dëshirën më të madhe u shpjegonte studentëve elementët e një salle teatri. Ai kishte vite që e bënte këtë i palodhur nga përsëritja vit pas viti. Teatri ishte një godinë që ia vlente ta ndaje me studentët. Plateja, skena, bokaskena, prapaskena, kuintat, dhomat e aktorëve, mekanizmat që mbanin skenografinë që fshiheshin në volumin mbi skenë, e kështu me radhë. Ishte thjeshtësia në thelb e dizajnit të këtij teatri që e bënte të mundur të lexohej kaq pastër ku fillonte e ku mbaronte njëri element në dallim nga tjetri dhe si koordinohej funksioni i tyre. Nuk ka arkitekt që të ketë studiuar në FAU e mos të ketë njohur nëpërmjet këtij objekti si funksionon një godinë teatri, të mos ketë njohur magjinë e asaj skene jo vetëm gjatë zhvillimit të një shfaqjeje, por edhe gjatë përgatitjes së saj. Ishte kjo godinë, që megjithë gjendjen e degraduar në të cilën e kishin lënë, mbante gjallë pasionin e aktorëve për të vazhduar misionin fisnik emancipues që një teatër ka për një qytet e për një shoqëri.
Fatkeqësisht, ky ritual i të vizituarit të Teatrit Kombëtar është ndërprerë që me mbylljen e godinës dy vite më parë. Studentët e këtij brezi do e kenë këtë boshllëk në formimin e tyre. Por realisht godina është akoma aty. Ajo po thërret më fort së kurrë që t’i qëndrojmë afër. Të nderuar kolegë, çfarë do t’u themi studentëve? Që godina e teatrit papritmas nuk ka asnjë vlerë e që duhet t’i vëmë kazmën? Do t’u themi që t’i fshijnë të gjitha ato që kanë dëgjuar nga goja jonë për godinën dhe vlerat e saj dhe të gjithë bashkë të injorojmë ofshamat e fundit që ajo po nxjerr nga shpirti? Ta lëmë të vdesë?
Po si do ua shpjegojmë brezave të ardhshëm mungesën e kësaj copëze arkitekture në Tiranë? Ashtu siç i japim shpjegim shkatërrimit të Pazarit të Vjetër duke thënë që ishte koha? Po me cilën kohë do justifikohemi kësaj here? Nëse në atë rast askush nuk ngrihej dot kundra masakrës së dhunshme që ju bë zemrës së Tiranës sepse përfundonte të kishte një fat të zi, po sot, cilit regjim po i frikësohemi, regjimit të parasë? Do u themi studentëve që nëse dikur të fusnin në burg, tani të lënë të vdesësh për bukë, të heqin na puna, apo ngelesh pa asnjë projekt për studion private që me aq mund e ke ngritur? Nuk po i shkruaj këto fjalë për të bërë moral. Çdo arkitekt ka të drejtën më se legjitime të aspirojë për të ushtruar profesionin e tij. Ajo është dëshira më e madhe që e shoqëron gjithë jetën. Po ia fikën atë dëshirë, i kanë fikur ëndrrën. Po kjo ëndërr është thellësisht e lidhur me qytetin. A nuk është qyteti dashuria jonë më e madhe? Cili është shembulli që po japim në lidhje me rolin e arkitektit në Shqipëri? Mos vallë po vulosim të gjithë bashkë fatin e profesionit tonë si vegël e kujtdo që hipën në pushtet? Si mund të dalim nga ky paradoks i rolit të arkitektit si intelektual dhe arkitektit si profesionist që operon në një treg të ashtuquajtur të lirë, që fatkeqësisht në Shqipërinë tonë me demokraci të brishtë është kthyer në një treg të shtrembëruar nga forca politiko-mafioze më të mëdha se ne? Po vallë, a do na kuptojnë studentët? A do kemi më fytyrë të bëjmë leksione mbi forcën që ka arkitektura si profesion për të bërë më të mirën për qytetin? Apo thjesht do pranojmë me bishtin ndër shalë që ne nuk kemi zë? Që ne vetëm në auditore kemi zë, e që jashtë tyre jemi askush? Jashtë tyre nuk jemi as profesionistë, por as qytetarë të lirë? Na kanë mbyllur gojën! Na kanë reduktuar në trupa pa pasion, pa nerv, pa jetë! Na kanë marrë qytetin, të shkuarën, të tashmen, të ardhmen e tij. Çfarë po na bëjnë kështu?!
Këto ditë pranvere Teatri Kombëtar na pret si çdo vit. Dyert e tij janë të hapura. Ai është aty për të gjithë ne, studentë e arkitektë. I mungojmë më shumë se kurrë.