“And the wind weeps” i producentes dhe skenaristes me prejardhje nga Kosova, Aulona Selmani, do ta ketë premierën botërore në edicionin e 70-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në San Sebastian të Spanjës. Filmi prek temën e luftës së fundit në Kosovë dhe traumat që ajo ka shkaktuar. Në të luajnë pesë aktorë nga Kosova.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në San Sebastian të Spanjës sivjet shënon edicionin jubilar prej kur ka marrë karakter garues. Këtë vit Festivali do të festojë edicionin e tij të 70-të radhazi që prej edicionit të parë, më 21 shtator të vitit 1953. E konceptuar si një Javë Ndërkombëtare e Filmit për qëllimin e shfaqjes, nuk vonoi shumë dhe IFFPA-ja i dha statusin e kategorisë “B” jokonkurrues, falë suksesit të edicionit të parë. Një vit më vonë u quajt Festivali Ndërkombëtar i Filmit, dhe në vitin 1955 IFFPA e njohu festivalin si konkurrues, i specializuar në filmat me ngjyra dhe mund të jepte çmime zyrtare. Në vitin 1957 Festivalit iu dha statusi i kategorisë “A” dhe çmimi i dhënë në kategoritë kryesore u bë i artë.
Në këtë edicion të Festivalit premierën botërore do ta ketë filmi “And the wind weeps” i regjisores dhe skenaristet me prejardhje nga Kosova, Aulona Selmani. Ajo e ka theksuar se pjesëmarrja në këtë Festival është një fillim i mbarë për filmin.
“Filmi ‘And the wind weeps’ (2023) është xhiruar në qershor të vitit të kaluar në Cyrih. Premiera botërore e filmit do të mbahet në ‘San Sebastian Film Festival’ në shtator të këtij viti, në programin ‘Nest’, ku prej 421 propozimeve të filmave të ndryshëm prej 53 shteteve, vetëm 13 janë pranuar. Regjisorit që do të fitojë, do t’i dhurohen 10 mijë euro. Është një fillim shumë i mbarë për filmin dhe shpresojmë të vazhdojë kështu. Të gjithë kanë bërë një punë të mrekullueshme në film. Ekipi e filmit ka qenë e gjitha nga Zvicra, të cilët po ashtu kanë bërë të pamundurën që filmi të kryhet me sukses. Filmi është prodhim i ‘Zürcher Hochschule der Künste- ZHdK’ dhe bashkëprodhues është SRF- Radio dhe Televizioni i Zvicrës”, ka thënë Selmani.
Ajo është shprehur falënderuese për kastën e filmit, ku ka treguar se secili prej aktorëve ka bërë një punë të mrekullueshme. Filmi është i metrazhit të shkurtër dhe pjesë e kastës është edhe aktori Afrim Muçaj. Ai e ka konsideruar lajm të mirë pjesëmarrjen e filmit në këtë Festival prestigjioz dha ka folur edhe për punën e Selmanit si një regjisore e re.
“Ka qenë shumë lajm i mirë kjo e San Sebastianit që është përzgjedhur, pikërisht edhe njëra prej arsyeve është që një regjisore e re, e cila jeton në Zvicër ka marrë pesë aktorë prej Kosovës për ta xhiruar një film në Cyrih që nuk është edhe aq e thjeshtë, por po konsideroj që po i shpërblehet edhe tash me këtë Festival prestigjioz”, ka thënë Muçaj.
“And the wind weeps” ndjek historinë e Dautit, një i mbijetuar i një masakre ku iu vra i biri. Për 20 vjet rresht ka lexuar pareshtur një letër në të cilën shkruan se çfarë do të thotë nëse Tribunali i Hagës e thërret ndonjëherë për të dëshmuar për tmerret që ka parë atë ditë. Barra e kujtimeve rëndohet kur merr lajmin se vëllai i tij vdiq nga një sëmundje, duke e bërë Dautin të vetmin të mbijetuar që e kujton ngjarjen. Mendja e tij fillon ta dështojë në detaje të rëndësishme të dëshmisë. Ai mund të mos sjellë kurrë drejtësi për djalin e tij. Për vëllanë e tij. Për miqtë e tij.
Muçaj është shprehur i lumtur që është pjesë i një projekti të tillë që prek një pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës.
“Sa i përket temës së filmit është trajtimi i luftës në Kosovë, luftës së fundit, ose më mirë të them i traumave të luftës. Më shumë detaje nuk është se mund të zbuloj, por jam shumë i lumtur që kam qenë pjesë e asaj kaste, pjesë e filmit të Aulonës edhe jam shumë i lumtur që në Shtator do të udhëtojmë drejt Spanjës për në Festival”, ka thënë Muçaj.
Në rolin kryesor, atë të Dautit, vjen aktori i njohur shqiptar, Bislim Muçaj. Ndërsa pjesa tjetër e kastës përbëhet nga Kumrije Hoxha, Armend Smajli, Ermal Sadiku dhe Afrim Muçaj.
Pesëshja nga Kosova kishin marrë rrugë për në Cyrih të Zvicrës, ku është xhiruar filmi 25-minutësh. Personazhet shpalosin një afërsi që kanë ndaj njëri – tjetrit me temën e traumave të luftës në fokus.
“Në rolin kryesor është Bislim Muçaj, aktori ynë i madh, Kumrije Hoxha, Armend Smajli, Ermal Sadiku dhe unë. Është një film i ndërtuar prej 5 personazheve, mërgimtarë që jetojnë në Cyrih të Zvicrës, që kanë një afërsi të madhe me dy më të moshuarit dhe 3 djemve të rinj. Eksperienca ka qenë shumë e mirë të them të drejtën. Një produksion shumë i madh zviceran që ka qenë një trajtim shumë i mirë. Me Aulonën është kënaqësi që kam punuar dhe pretendoj të punoj në të ardhmen. Ka qenë një raport i shkëlqyer. Po besoj që kemi bërë role të mira dhe unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij projekti”, ka bërë të ditur Muçaj.
“And the wind weeps” vjen si prodhim zviceran me producent Lauro Jenni dhe nuk është filmi i parë i Aulona Selmanit si regjisore. Në po të njëjtën kohë me të rrugëtimin e nis edhe filmi “Si në vaj” që do ta japë premierën në Gässli Film Festival në Basel.
“E rëndësishme është që premierën botërore në shtator të këtij viti do ta ketë edhe filmi im dytë ‘Si Në Vaj’ (2023) ne Gässli Film Festival në Basel”, ka thënë Selmani./koha/