Angelo Bruschini – kitara unike e “Massive Attack”

Ai ishte kitara unike që i dha tjetër tingull grupit “Massive Attack”. Angelo Bruschini ka vdekur në moshën 62-vjeçare. Bendi i njohur muzikës e konfirmoi vdekjen e kitaristit jashtëzakonisht të talentuar, disa muaj pasi u bë e ditur se ishte diagnostikuar me kancer. “Massive Attack”, ka postuar mesazh në rrjetet sociale përmes së cilit e kujtoi dhe nderoi kitaristin e vet. Bruschini, i cili ndihmoi në zhvillimin e tingullit të veçantë të grupit nga Bristoli, i shquar për muzikën e zhanrit trip-hop, kishte zbuluar gjatë verës se vuan nga sëmundja e kancerit.

“Deri më tash, dy herë më është thënë ‘paç fat’ nga mjekët specialistë në spital lidhur me kancerin në mushkëri. Mendoj se nuk i kam mirë punët. E kam pasur një jetë të bukur, e kam shëtitur botën disa herë, kam takuar shumë njerëz të mrekullueshëm, por dera po mbyllet dalëngadalë. Mendoj se do ta shkruaj një libër tani”, kishte shkruar muzikanti në postimin e tij.

Kurse, pas lajmit për vdekjen e kitaristit, kolegët e tij nga “Massive Attack” postuan në platformën X një mesazh ku thuhej: “Një talent i mrekullueshëm, i veçantë dhe ekscentrik. Është e pamundur ta përshkruajmë kontributin tënd në krijimin e standardit të grupit ‘Massive Attack’. Sa me fat ishim që e ndamë një jetë të tillë së bashku”.

Ata gjithashtu e postuan një fotografi bardh e zi të kitaristit të ndjerë, duke u shprehur të pikëlluar për humbjen e mikut dhe kolegut të tyre.

Ndërsa, gruaja e Bruschinit, Jessica Merritt, shkroi në Facebook: “Me shumë pikëllim ju njoftoi se bashkëshorti im i bukur, Angelo Bruschini, vdiq më 23 tetor në orën 12:15. Ai e humbi betejën me një lloj të rrallë dhe agresiv të kancerit”.

Po ashtu tha se ai kishte qenë një “burrë i dashur deri në fund” dhe do të mbahet në mend për sensin e veçantë të humorit si dhe talentin e tij për muzikë.

Bruschini bëri muzikë në studio dhe nëpër turne me bendin “Massive Attack” për disa vjet. Sipas kritikëve, një prej këngëve për të cilat do të kujtohet më së shumti nga publiku është, “Angel”, nga albumi “Mezzanine”. Ai ka ndarë skenën disa herë edhe me bendin e muzikës rock, “The Blue Aeroplanes”, anëtarët e të cilit e kujtuan me mesazhin: “Jemi të pikëlluar nga vdekja e vllait tonë, Angelo Bruschini. Mendimet tona në këtë periudhë të vështirë janë me familjen e tij. Pusho në paqe Ange”.
“The Blue Aeroplanes” po ashtu u themelua në Bristol dhe shquhet për krijimin e zhanrit të ri të muzikës të njohur si art-rock. Njëherësh shquhet si grupi që pati ndikim në themelimin e bendeve “REM” dhe “Radiohead”.

Vdekja e Bruschinit ka lënë po gjurmë të mëdha në skenën muzikore të Bristolit, ku miqtë dhe fansat e kujtuan si një njeri të mirë dhe një muzikant të shkëlqyer.

Steve Poole, profesor i historisë dhe trashëgimisë në universitetin “UWE Bristol”, tha: “Për herë të fundit e kam parë duke performuar me bendin ‘The Blue Aeroplanes’ në dhjetor të vitit të kaluar. Dukej plotësisht i fokusuar në muzikë dhe vazhdimisht e nxiste publikun që ta ndihmonin gjatë interpretimit të këngës ‘Breaking in my Heart’. Shumë keq që nuk do ta shohim më kurrë në skenë”.

“Kam punuar me Angelon gjatë gjithë kohës që kishte kontratë bashkëpunimi ‘Ensign Records’. Por unë isha një admirues i interpretimit të tij në kitarë shumë kohë më parë, nga periudha kur bënte muzikë në skenat e Bristolit gjatë viteve ‘80. E kishte një prani fantastike në skenë dhe në studio incizuese. Po ashtu ishte jashtëzakonisht i talentuar dhe një person simpatik për të punuar me të”, deklaroi Suzanne Fitzgerald.

Pavarësisht diagnostikimit me kancer, Bruschini kishte premtuar se nuk do të dorëzohej deri në minutat e fundit të jetës. Përveç muzikës, këta muajt e fundit ai vazhdoi ta sulmojë qeverinë konservatore në Britani të Madhe.Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku/koha.net/

Almanart