Arti nuk njeh kufij. E këtë e dëshmon “Art Without Limit“, i cili sivjet vjen me edicionin e tretë. Nëpërmjet programit, por edhe në esencë, përkrah personat me aftësi të kufizuara, bëhet zëri i tyre dhe i kauzave të tyre. “Në Kosovë janë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe është një komunitet tepër i madh, ku ka njerëz shumë të suksesshëm, kështu që po ua japin një mundësi që njerëzit ta kenë një vend, një platformë, dhe një ambient ku mund të takohen bashkë”, ka thënë drejtoresha e festivalit, Ganimete Sava
E shpejtë është shkrirja e kufijve nëpërmjet artit, dhe “Art Without Limit” e arrin këtë edhe pa e elaboruar fort qëllimin por i mjafton veprimi. Edicioni i tretë i këtij festivali, i cili në esencë ka gjithëpërfshirjen e ngritjen e kauzave në përkrahje të personave me aftësi të kufizuara, e bën këtë nëpërmjet artit.
Salla e kinemasë “Armata”, ka qenë e mbushur plot në hapjen solemne të enjten mbrëma. Nuk janë vetëm temat e filmave ato që harmonizohen me kauzën. Festivali treditor bën bashkë me mbi pesëdhjetë filma nga shtete të ndryshme të botës duke nisur nga Gjermania, Turqia, Pakistani, Argjentina Franca, Australia e të tjera. Por, veçantia e këtij festivali qëndron mu në natyrën e filmave. Secili prej tyre ka në përbërjen e ekipit persona me aftësi të kufizuara, qoftë si aktorë, regjisorë apo çfarëdoqoftë. Nëpërmjet kësaj, “Art without limit” synon të përçojë mesazhin se pavarësisht pengesave, ata janë të barabartë me të tjerët.
Në ceremoninë hapëse u dhanë edhe dy performanca. Ndonëse me probleme në të parë, Unik Ukshini, befasoi publikun me interpretimin e tij në piano. Së bashku me të ishte edhe Engjëll Haxhikadriu, i cili për shkak të një problemi në dorën e majtë, në violinë luan në të kundërt. Publiku e këndoi bashkë me të “Vajta kalova gjithë Kalabrinë”.
Pas kësaj, momente plot hare ofruan edhe dy motrat Shalari, nga Tirana me pengesa në të parë. Ada në piano e Blerina në vokal, ekzekutuan këngën e Louis Armstrong “What a Wonderful World”.
Në kuadër të ceremonisë hapëse u shfaq filmi nga Irlanda, “An Irish Goodbye”. Njëri nga protagonistët, Lorcan, luhet nga James Martin i cili është me sindromën Down. Filmi i përket zhanrit dramë, komedi me batutat e veçanta të Lorcanit.
Para publikut, drejtoresha e festivalit, Ganimete Sava, ka folur për ecurinë dhe idenë e cila solli në krijimin e këtij festivali.
“Edicionin e tretë fatmirësisht e filluam me shumë sukses, sikurse edhe edicionin e dytë, ndërsa i pari ka qenë pak më ndryshe. Së bashku edhe me kolegët e tjerë besuam në idenë që e kishim. Faktikisht, unë në Finlandë e kam parë një festival të ngjashëm para disa vjetëve dhe kështu vendosa ta sjell këtë ide edhe në Kosovë”, ka thënë Sava.
Ka përmendur edhe qëllimin kryesor dhe mundësitë që ai ofron.
“Në Kosovë janë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe është një komunitet tepër i madh, ku ka njerëz shumë të suksesshëm kështu që po u japin një mundësi që njerëzit ta kenë një vend, një platformë, dhe një ambient ku mund të takohen bashkë, të shikojnë filma të mrekullueshëm nga gjithë, bota prandaj edhe quhet ‘Art Without Limit International Film Festival’, ka thënë ajo.
I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott. Në fjalimin e tij, Abbott ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së këtij festivali.
“Mendoj se thelbi i kësaj mbrëmjeje është një falënderim drejtuar juve që na përfshitë ne në këtë që po bëni. Ajo që do të shihni në ekran është e gjithë ajo çka ju dëshironi të jeni dhe mendoj se ajo çka është e rëndësishme për ne, si partnerët tuaj ndërkombëtarë është që t’ju përkrahim dhe t’ju ndihmojmë”, ka thënë ai.
Zëvendësambasadori austriak në Kosovë, Martin Schaller, ka vlerësuar lart punën e këtij festivali.
“Ky është edicioni i tretë i këtij festivali. Ne e kemi përkrahur këtë festival edhe vitin e kaluar dhe po e përkrahim atë edhe sivjet. Është një iniciativë shumë e mirë dhe edhe koha kur po mbahet ka një domethënie, sepse 3 dhjetori është edhe Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara. Dhe siç u tha edhe nga të tjerët, organizimet e tilla janë shumë të rëndësishme dhe unë jam shumë i lumtur që ambasada jonë është duke e përkrahur këtë event kaq të rëndësishëm”, ka thënë ai.