Nga Annie Ernaux
Pikërisht disa tekste që kishte lexuar kishin ndikuar që Annie Ernaux t’u japë një trajtë raporteve të saj ndaj kohës, të tjerëve dhe politikës. Kësodore “artin e të shkruarit” e kishte shikuar si një ftesë për t’i “ evokuar shkrimtarët, leximi i veprave të të cilëve në veçanti e kishte aktivuar këtë dëshirë”. Kërkimet brenda veprave të shkrimtarëve dhe refleksioneve të veta rreth mënyrës së të shkruarit na sugjerojnë se veprat e Ernaux nuk vuajnë nga ndonjë thjeshtëzim e banalizim (plat, platitude) i autobiografisë. Këtë e ka kuptuar, siç duket, edhe juria e çmimit “Nobel”
Një pjesë e kritikëve letrarë të Francës ka qenë e prirë, gjatë viteve, ta shikojë të shkruarit e shkrimtares franceze Annie Ernaux si të “cekët” (plat), të thjeshtëzuar si stil “objektiv”, i cili u shmanget vlerësimeve të dukurive dhe personazheve pa metafora. Në disa intervista dhe në disa shkrime të rastit Ernaux herë-herë kishte inkurajuar këtë qasje të disa kritikëve. Kjo qasje gjente mbështetje edhe te disa kritikë të tjerë, të cilët theksonin orientimin e saj sociologjik dhe angazhimet e saj politike që shpërfaqen në shkrimet e saj letrare. Atëherë kur këto theksime të kritikës letrare zunë gjithnjë e më shumë vend në shkrimet që u kushtoheshin veprave të saj, Ernaux në bisedat për stilin e saj letrar, për “cektësinë” dhe “thjeshtëzimet” e veprave të saj, e kuptoi se qasjet e tilla thjeshtëzuese të vetë kritikëve letrarë i bënin dëm artit të saj; aq më tepër kur edhe në simpoziumet kushtuar veprave të saj tendenca për t’i shikuar këto në prizmin e thjeshtësisë u bë më e pranishme. Megjithatë, anëtarët e jurive për shpërblimet të mëdha letrare në Francë (Renaudaut, Margerite Yourcenar, Albert Camus, François Mauriac etj.) kishin mendim krejt tjetër, ngase kishin hetuar kompleksitetin dhe begatinë e krijimtarisë artistike të Annie Ernaux.
Në librin e saj “Kujtesa e vajzës” (Mémoire de fille) hetohen vështrimet dhe përsiatjet metanarrative, të cilat nuk janë të rralla në shkrimet e saj letrare, që synojnë sa poetikën e rrëfimit po aq dhe qëllimet specifike të stilistikës. Kritikët më të vëmendshëm kishin hetuar përpjekjet e saj në kërkimin e një forme të caktuar të shkrimit të cilin ajo e emërton ndonjëherë edhe si “mundim për formën”; ishin këto kërkime anksioze për të shkruarit e veçantë që do të cilësojnë çdonjërin nga librat e saj. Kërkimet e saj mbi formën dhe ripërtëritjen e formës, metaligjërimet, kanë mbetur ndonjëherë anash nga vëmendja e disa kritikëve letrarë. Disa prej tyre janë përqendruar te përtëritja e formave të autobiografisë, te çështjet sociale e politike në librat e autores; duke lënë anash “elaborimin narrativ, stilistik e diskurziv” të teksteve të saj.
Refleksionet e shkrimtares mbi të shkruarit i hasim në artikuj e biseda për gazeta dhe revista, në kujtimet e saj mbi të shkuarën e krijimtarisë së vet letrare.
Aftësia për të qenë e kapluar nga një tekst
Në disa biseda e shkrime Annie Ernaux (Erno) flet për artin e të shkruarit në vitet e para të karrierës së saj letrare. Ajo shpjegon se në ato vite ka qenë e ndikuar dhe e frymëzuar në veçanti nga veprat e Virginia Woolf, André Breton dhe Georges Perec. Por edhe nga Gustave Flaubert dhe Sartre-i. Ajo shpjegon asociacionet që i zgjonin shprehjet nga romani i Flaubert-it “Zonja Bovary”, pastaj ato nga “Gërdia” e Sartre-it. Ndërkaq nga “Kontrata shoqërore” e Rousseau-s i kishte mbetur në kujtesë fjalia fillestare që kishte tronditur dheun “Njeriu lind i lirë e gjithkund është në pranga”. Kjo fjali kishte zgjuar tek ajo një ndjesi ekzaltimi dhe një “rritë të vetvetes dhe të botës”. Këto efekte të nxitura nga leximi i këtyre veprave bënë që ta zbulojë së pari “një peizazh të panjohur”: dëshira dhe mendime që do të shpërthejnë në disa shkrime të saj. Ajo cek se pikërisht disa tekste që kishte lexuar asokohe kishin ndikuar që t’u japë një trajtë raporteve të saj ndaj kohës, të tjerëve dhe politikës. Kësodore “artin e të shkruarit” e kishte shikuar si një ftesë për t’i “evokuar shkrimtarët, leximi i veprave të të cilëve në veçanti e kishte aktivuar këtë dëshirë. ”
Është vepra e shkrimtares Virginia Woolf e cila më vonë në vitet ‘60 do të ndikojë thellësisht mbi “ dëshirën për të shkruar ” te Annie Ernaux. Gadi në të njëjtën kohë një ndikim të fuqishëm mbi krijimtarinë e saj letrare do ta ushtrojë poeti i madh André Breton, në fillim me Manifestin e surrealizmit të cilin ajo e pa si një “ projekt total të të jetuarit dhe të të shkruarit ”. Pak më vonë shkrimtari George Perec me romanin e tij Gjërat do të ketë ndikim të fortë në orientimin artistik e letrar të Ernaux-së. Në disa shkrime të mëvonshme ajo do t’i riinterpretojë këto ndikime jo aq mbi artin e të shkruarit sa me nxitjen e kërkimeve “ për rrugë të reja, që lidheshin me format e sensibilitetit në botë që ajo i kishte dëshiruar”. Duke kujtuar vitet e para të krijimtarisë së vet letrare, ajo dikton më vete një dëshirë për ta rizbuluar “vrullin dhe magjepsjen ” që kishte përjetuar duke i lexuar veprat “Mrs Dalloway”, “Valët” dhe “Dhoma e Jabobit” të Woolf, pastaj “Nadja” e Breton-it dhe “Gjërat” e Perec-ut. Tani, shumë vjet më vonë, shton ajo, e ndiej si një mungesë humbjen e “aftësisë, jo për të admiruar, meqë ajo është e gjallë tek unë, por aftësinë për të qenë e kapluar tërësisht nga një tekst”. Ajo rikujton rrëfimin e poetit Breton për kaplimin që kishte përjetuar duke lexuar poezitë e Rimbaud-së në qytetin Nantes më 1915.
Ernaux pastaj përmend në këtë bisedë një letër të Virginia Woolf dërguar një mikeje në të cilën shkruante: “ Mendoj se kur fillon të shkruash një roman është thelbësore të ndjesh jo se je në gjendje të shkruash, por se aty ka një humnerë, e në anën tjetër të humnerës janë fjalët; se nuk mund ta kapërcesh atë dhe se nuk mund t’i tërheqësh nga vetja ato fjalë, veç me çmimin e një ankthi lebetitës”. Ernaux thekson se e ka zgjedhur këtë fjali ngase ajo shumë mirë e shpreh se çka ishte të shkruarit për Virginia Woolf: “dhembje, por sidomos kërkim i një realiteti të pathënë e të cilin duhet formësuar”. E kjo për Ernaux do të thotë se ajo formë duhet të rizbulohet, se nuk është e dhënë apo paraekzistuese. E kjo do të thotë se nuk mund të jetë e cekët.
Koha dhe vdekja si strukturë e veprës
Ndryshe nga romani i cili shpalos një histori, një rrjedhë të ngjarjeve, Woolf me të shkruarit e vet synon diçka tjetër; prandaj ajo kërkon një fjalë tjetër që zëvendëson termin “roman ”. Ernaux mendon se me gjithë dallimet midis “Dhoma e Zhakobit” dhe “Valët”, si tekste të ndryshme që ngrihen përmbi humnerë, ato megjithatë kanë edhe një karakteristikë të përbashkët, madje marramendëse: është kjo vetë humnera, do të thotë koha dhe vdekja ato që përbëjnë materien dhe strukturën e veprës. Ajo shton se të gjithë librat e Woolf-it synojnë të na bëjnë të mundur të ndiejmë e madje edhe të shohim humnerën e kohës, të asaj që ekziston jashtë nesh e “në të cilën ekzistenca e njeriut paraqitet vetëm si një vijimësi e çasteve”.
Në romanin “Valët”, trajektori i diellit mbi një peizazh të detit, nga agu i mëngjesit deri në mbrëmje, i përgjigjet “ rrjedhës së gjashtë ekzistencave, me gjashtë monologë të brendshëm, prej fëmijërisë te mosha e pjekurisë; kësisoj jeta e njeriut del e barabartë me atë të një insekti, shikuar nga aspekti i natyrës. ”
Në disa romane të saj, sipas Ernaux, konstatimi “koha kalon” nënkupton degradimin e gjërave në një shtëpi të zbrazur, brenda një “lëvizjeje universale e shkatërrimit dhe transformimit[…].Zhdukjet në ato romane dalin si “heqje të befasishme… të mbuluara nga e përditshmja e megjithatë si të pashlyeshme.”
Në këtë rrjedhë të “kohës jonjerëzore”, e cila përbën “strukturën e thellë” të teksteve të V. Woolf, qeniet janë “flukse të vetëdijes, në të cilët shpalosen kujtimet, mendimet, dëshirat, ndijimet ”.
Ernaux mendon se është gabim të flitet për shkrimin e brendësisë te V.W. ; mund të flitet për një brendësi tek ajo, brenda së cilës dalin trupa të kapur nga vetëdija; Woolf qëmton raportet ndaj trupit si i ndryshëm sipas individit, moshës së tij dhe gjinisë së tij.
Më dukej, vijon refleksionin e vet Ernaux, se Woolf ishte “ shkrimtarja e cila kishte shkuar më së largu përtej aparencave ”, pra jo si autore që ka mbetur në sipërfaqen e tyre.
Zhdukjet pa gjurmë
Ndërkaq ndikimin e surrealizmit ajo e shikonte te vetja si ndikim që kishte të bënte me “formën e ekzistencës, e cila përfshinte më vete edhe letërsinë por duke e tejkaluar atë”. Për Annie Ernaux surrealizmi, ashtu si e kishte definuar André Breton, ishte “lëvizja sigurisht më përcaktuese e shekullit XX në fushën e artit. ”Librat e Bretonit, “Nadja”, “Dashuri e çmendur”, “Arcane 17”, ajo i shikon si “tekste të paklasifikueshme, njëherësh poetike e teorike; as romane të cilët i dënonte ashpër – e as autobiografi, por “kërkime të një të vërtete individuale, ndoshta e një shpëtimi, të cilin mund ta ndërmarrë cilido”. Tekste këto që kishin të bënin mbi të gjitha me një “stil të të jetuarit”.
Nga mesi i viteve gjashtëdhjetë, zbulimi i librit të shkrimtarit francez Georges Perec, “Gjërat” ndikoi në një kthesë të rëndësishme në përfytyrimin e saj mbi të shkruarit letrar. Ky roman për Ernaux ishte “edhe më pak roman se tekstet e Virginia Wolf, e nuk ishte as një kërkim autentik e poetik si ‘Nadja’.” Pra, kjo vepër shquhet për autoren si “formë ” tjetër e mëvetësishme e të shkruarit letrar; si “përgjithësim i skajshëm i një përvoje individuale në të cilën kjo shëmbëllen epokën si në një pasqyrë”.
Annie Ernaux u ndikua edhe nga romanet e Georges Perec “Zhdukja” dhe “W ose kujtimet e fëmijërisë” që flasin për mungesën dhe zbrazëtinë që shkaktoi zhdukja e nënës së tij në kampin e Auschwitzit, pa lënë “as gjurmën e një varri”.
Për Ernaux fjalitë më tronditëse të Perec lidhur me të shkruarit ishin këto: “Ne kemi jetuar bashkë, ngase unë isha njëri prej tyre, hije brenda hijeve të tyre, trup afër trupave të tyre; unë shkruaj, sepse ata kanë lënë brenda meje gjurmën e tyre të pashlyeshme që është të shkruarit: kujtimi i tyre ka vdekur për të shkruarit; të shkruarit është kujtim mbi vdekjen e tyre dhe afirmim i jetës së tyre.” Kjo na shpjegon edhe motivimin e Annie Ernaux për zgjedhjen e një “ forme ” të të shkruarit të autobiografisë. Kësodore, ajo sqaron, pas kërkimeve në libra dhe brenda vetes, kujtimeve dhe dëshirave të veta, se ajo mëton t’i përgjigjet “amnezisë e cila e cilëson edhe shekullin XXI: t’i përgjigjesh amnezisë dhe zbrazëtisë së kuptimit me përpjekjen për ta shterur realitetin në tërësinë e tij, përfshirë aty edhe ligjërimin e tij, duke i dhënë një trajtë, një rend brenda tij, pa pasur shpresën dhe pretendimin që të zbulojë një kuptim që flet për praninë e tij”. Së këndejmi, Eranux te Perec gjen dhe zbulon njëherësh se të shkruarit e tillë për “konstruktimin dhe dekonstruktimin, shumëfishimin e formave, si e vetmja mundësi për ta thënë historinë e vet, për ta “shkëputur nga zbrazëtia ekzistencën e vet dhe atë të të afërmve të vet”. E në këtë mënyrë, saktëson Ernaux, ai ka “inauguruar një mënyrë tjetër të të thënit, e ka zgjeruar, si askush para tij, fushën e autobiografisë”.
Kësisoj, këto kërkime brenda veprave të shkrimtarëve (Flaubert, Woolf, Breton , Perec) dhe refleksioneve të veta rreth mënyrës së të shkruarit na sugjerojnë se veprat e Ernaux-së nuk vuajnë nga ndonjë thjeshtëzim e banalizim (plat, platitude) i autobiografisë. Këtë e ka kuptuar, siç duket, edhe juria e çmimit “Nobel”.
Ikja nga mallkimi nëpërmjet të shkruarit
Në fund të këtij artikulli, për të vërë në pah gjerësinë dhe thellësinë e kërkimeve letrare e artistike të Anni Ernaux-s do ta ilustroja këtë me një aforizëm të Nietzsches: Thënien e Sokratit “Njihe veten” Nietzsche e interpreton në këtë mënyrë: “Kjo do të thotë se së pari duhet të njohim tërësinë e gjërave në botë e pastaj të arrijmë ta njohim veten; pra, njohja e vetes nënkupton njohjen e shumëçkaje nga bota… Sepse, gjërat s’janë veçse kufijtë e njeriut”. Kësodore, njohja e vetes nënkupton njohjen e botës jashtë subjektivitetit tonë. Ernaux në shkrimet e veta autobiografike e integron me mjete letrare dimensionin politik dhe social të shoqërisë në të cilën jeton. E bindur se veprimet, përjetimet dhe ëndrrat e saj dhe të personazheve të tjerë zhvillohen e shpalosen brenda një konteksti social e ekonomik.
Është edhe një pikëtakim tjetër i Ernaux-së me Nietzschen: edukimi fetar që kishte marrë në familje dhe në një shkollë private do të ndikojë te formësimi i ndjenjës së fajësisë te Annie, sa herë që kishte ëndrra në fëmijëri me tema seksuale. Kur ia rrëfen priftit këto ëndrra dhe dëshira për seksualitet, ai do ta kritikojë ashpër. E kuptova, thotë ajo, “ se shpirti im ishte mallkuar përfundimisht”. Kësodore, edukimi fetar bëri që pas “mëkatit ” ajo të ballafaqohet me hiçin : përballë sfidës për ndëshkimin e përjetshëm, shkrimtarja do të synojë ta shpëtojë dëshirën e vet që të lexojë dhe sidomos që të shkruajë. “Besoja se letërsia apo shkrimi e kishin zëvendësuar Zotin dhe se kisha për mision që të shkruaj ”, shpjegon ajo. Sfida e saj do të jetë që ta shpëtojë jetën e vet në botën e këtejshme.