Artisti Saimir Strati hap ekspozitën “Patriot” me 20 punime në mozaik

Saimir Strati artisti i rekordeve Guinness, hapi ekspozitën e tij të parë të titulluar “Patriot”, te Kalaja e Tiranës, në të cilën janë prezantuar njëzet punime në mozaik me motivet shqiptare.

20 punime në mozaik janë pjesë e ekspozitës kuruar nga Vlora Demiri, në të cilat tematika është kryesisht kombëtare për të nxjerrë në pah vlerat e Shqipërisë.

Ajo që e bën unike këtë ekspozitë është performanca për publikun si dhe disa leksione dhe praktikë arti, që do të jepen nga artisti Saimir Strati për dashamirësit e mozaikut përgjatë gjithë ekspozitës deri më datë 23 të këtij muaji.

Artisti Saimir Strati është i njohur për shumëllojshmërinë e materialeve që përdor, si vida, guaska, gozhdë, lëvozhgë veze, mermer, etj, ku dhe në këtë ekspozitë punët janë në materiale të ndryshme. 

 Me krijimtarinë e tij të veçantë, artisti ka arritur të realizojë shumë vepra arti, prej të cilave 11 janë certifikuar nga Guinness World Records.

Ai mban titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Ekspozita “Patriot”, te Kalaja e Tiranës, do të qëndroj e hapur deri më 23 prill.

Almanart