At Zef Pllumi “rrnoi për me tregue”…
Përkujtojmë sot 18 vjetorin e ndarjes nga jeta të fratit françeskan, At Zef Pllumi, i cili u arrestua dy herë gjatë diktaturës komuniste dhe në total kaloi 24 vite në burgjet dhe kampet e punës së detyruar të asaj periudhe. Vepra e tij memuaristike “Rrno vetëm për me tregue” është një dëshmi e gjallë mbi atë çfarë ishte diktatura komuniste për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithashtu kjo vepër na kujton dhe sakrificën e një populli për të jetuar nën një ndër diktaturat më të egra të kampit socialist në Europën Lindore. Vepra e merr titullin nga një amanet që At Zef Pllumi mori në atë kohë nga At Marin Sirdani, të cilin e përshkruan edhe në një fragment të veprës, duke e kthyer atë në misionin kryesor të jetës së tij.
Pasazhe nga veprat e tij:
(“Hylli i Dritës”, 1/1993)
Na me mendjemadhësi e me kokëtrashësi mendojmě se europianët janë budallenj e nuk dijnë gjâ dhe nuk e kuptojmë ende eksperimentin që ata tash 80 vjet bajnë mbi nji pjesë të kombit tonë për të på nëse jemi të zott me u qeverisë si njerëz apo jo.
Çka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka – jo; dielli e deti – jo. – Ne na mungon mendja e mentaliteti e mbi të gjitha na mungon dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në kjoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmě vorrin vëllaut.
Ky fenomen nuk âsht veçori vetëm e të pashkolluemve, por po e shofim të shumfishueme tek intelektualët.
Si mund e duem Shqipninë kur nuk duem shoqishojnë? Si mund e duem Shqipninë kur nuk duem njani-tjetrin? Kur secili shqiptár mendon se vetëm ai ka të drejtë mbi Shqipninë dhe intrigojmë e tiranizojmë njani-tjetrin? Këtu duem të rikujtojmë këshillën e shqiptares së madhe Nane Terezës së Kalkutës se “shqiptarët kanë për të bå må shumë për atdheun, në qoftë se kanë për t’u dashtë må tepër ndërmjet vedit”. “Hylli i Dritës” në këtë rrugë i këshillonte dikur shqiptarët e në këtë rrugë mendon t’i prijë gjithnji.
“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën . . . Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”
Zagaret e Tiranit
Në këtë çmenduni të përgjithshme të këtij populli të përdhunuem për më shumë se për 22 vjet, rrijshem tue mendu me vedi, zemërplasun; – Si asht e mundun të çmendet krejt nji popull e mos të dalë kush me i thanë: Ndal! E pra, veç njaj klike të vogël që i rrinte përreth , kurrkush nuk përfitonte ndonji gjâ të dukshme. E atëherë çka ishte kështu? Të gjithë ishin të dejun, të shastisun mbas këtij njeriu. Ai tiran u kishte marrë të gjithë lirinë. I kishte zhburrnue ose si i thonë sot, u kishte hjekë personalitetin njerëzor. Ua kishte nxjerrë gratë prej shtratit për me i çue në zbor o ku të donte vetë. Ua kishte marrë fëminë e pasuninë. U kishte hjekë deri kafshatën e gojës e hjedhë në mizerjen mâ të madhe që mund të mendohej. I kishte shkëputë jo vetëm nga kombi e gjithë bota, por dhe nga historia e vet e mbarë njerëzimit! I kishte rrethue në tel e nuk i lejonte as me hî e as me dalë, vetmue prej gjithë botës!
Nuk i lente me kjesh e as me kjâ. E atëherë shka ishin këta? Mund të thirrej popull ky? Jo, nuk ishte popull, por nji tufë e pasjpjegueshme qeniesh të gjalla të pamend e pa vullnet. Ndërkohë që edhe më dukej se ato turma turreshin kundra qiellit sikur Zoti t’u kishte faj që i mbante nën thembrën e randë t’atij tirani njerëzor. Por faji nuk ishte i Zotit. Ishte i njerëzve që i shërbejshin Tiranit dhe e kishin frigë, e ndigjojshin dhe e adhurojshin mâ shumë se Zotin. Kurrgjâ nuk e përligj këtë veprim barbar, vandal, të turpshëm, të pashembullt në histori të njerëzimit përveç çmendunisë.
Sikur secili njeri të rrinte në pastërtinë e shpirtit të vet e të ndigjonta mâ shumë zanin e ndërgjegjes së vet humane, të asaj që thrret e brine vazhdimisht për punët e liga, të ndigjohej mâ shumë ajo se urdhni i Tiranit, shka do të ndodhte atëherë? Kurrgjâ e kieqe nuk do të ndodhte. Gjuetari me armë në dorë, kur hyn në pyllë, kurrë nuk mund e vrasë lepurin ndër shkurre sikur mos të jenë zagarët që e ndjekin e ia dorëzojnë atij. Pa këta zagarë as Tirani nuk mund bante kurrgjâ: ai i vetëm, po nuk e ndigjoi kush, se nuk mund e vrasin krejt nji popull, ndërsa populli, tue iu nënshtrue urdhnit të Tiranit vret vedin.
Andrra ime
At Zef Pllumi
E dij se n’tokë ka dimna e prandverë,
e dij se mbi tokë ka pëllumba e skifterë;
e dij se mbi tokë ka ujq dhe dele,
ka pasanikë e kamb-zdathun me zhele,
por kët s’e kuptoj:
pse n’tokë sundon dhuna,
forca shtasore
jo mendja, jo puna;
se ma dashunisë s’i lanë kurrkund vend
a thue se njerzit janë t’gjithë të pamend!
S’pat bota njerz t’mendshëm?
pat, po si s’pat!…
Por o kjenë të plakun
o t’vorfen pa fat.
Prandaj un e due at andrrën e mirë:
që njerzit dikur, me hir o pa hir,
do rrxojnë e përmbysin kultin e dhunës,
instinktet shtasore t’mënisë e furtunës,
dhe n’vendin e tyne do t’vehet
Mirsia,
Mendja njerzore,
Zemra e Dashunija!