Ernest Koliqi
Nga arti i Martin Camajt
Camaj, tashma, ka nji emën mirkumbues ndër shijuesa të poezis shqiptare. Me veprat e derisotmen ka bindë se u pajis nga natyra me nji talent të hollë e njiherit të fuqishëm. Ai fillon parabolën e vet ashtu e aty ku shum tjerë dëshirojnë me sosë mbas nji jete kalue n’ethe të përpjekjeve në lamë të letresis. Dukagjini,- ky vis ku u ruejtën të paprekuna doket e burrnija stërgjyshore dhe ku banorët mund të njehen ma tepër se ngjeti tepricë katallajsh ilirjanë, kursye nga stuhia zvetënuese kavaletave,- Dukagjini, thom, tekembramja gjeti mjetin shprehës. Grumbulli indiesive ndrydhë ndër mote vjen tue u shfaqë. Pamjet e ndryshme të jetës së vendit të vet dalin nëpër art të tij të vizatueme me drita e me hije dridhëse. Atij, edhe padeshtas, i shkon syni ke brumi njerzues. N’ato vigaj të rrzuem, ai kërkon njerin. Lufta qi Malsori ndërmerr për me dal nga gurëzimi i nji gjendjeje shoqnore kurrkund në pajtim me kohën e sotshme, ia thekë shpirtin. Ai s’don qi burri i Malsis të shikohet si specien i nji rrace të lashtë, objekt kureshti për t’u vendue në nji muzë. Nën leskrat xhixhilluese të nji epiciteti anakronistik, syni vëzhgues i tij kundron me zemër të plasun rrudhat e shkaktuese nga uja, nga mundi keq i shpërblyem prej natyrës e njerëzve e fatit, nga ndryshku i disa zakoneve dampruse, nga ngushtësija e vendit. Në veprën e parë (“Nji fyell ndër male”, shtëpija botuese “Mustafa Bakija”, Prishtinë, 1953) hamaj cekë në këto çashtje. Fatlumsisht mjerimet e vendit të vet zhyten në valën e kulluet të nji lirizmi plot hov të vetvetishëm. Menjiherë, qyshë në hapat fillestarë, ndiehet n’art të këtij auktori të ri kundërshtimi (kontrasti) ndërmjet nji kulture të vetëdijshme dhe të primitivitetit rrjedhë nga lindja. Studimet themelore klasike shkundin, në lumnin rrjedhës të vjerrshës së tij, pluhnin libresk dhe përvoesohen me mrekullin e freskët të ligjrimit të Malsorve. Parafytyrimet kanë nji xhixhillim bukurije të çuditshme në nji artist fillestar. Ma e mendueme paraqitet landa e librit të dytë (“Kanga e vërrinit”, Prishtinë, 1954). Edhe titulli tregon kalimin nga fryma e breshtë plot hov krijues në klimën ma të butë të fushës. Por malet hjedhin hijen e vet edhe mbi fushë. Nji shqetësim i pacaktuem shpirtnuer qarkullon në brendi të këtyne vjershave. Dishiri për jetën e thjeshtë të malsis rin me lot të msheftë disa prej tyne, nji ndiesi e mbuluese malli për zakonet fisnike, qi lëvizë aty këtu, zbutë premin e dënimeve qi vende vende shqipton kundra tune, nji gjakim m’u zgja me përvojë të vet në nji botë ma të madhe digjet prej vargut në varg. Trajta në librin e dytë shënon nji përparim të papritur. Jo ma rrjedhja e lirë e njimbëdhetrrokshit kumbuer se e vargjeve tjera me tubza përgjithsisht të rregullta. Nji zhdërvjellti ma e madhe shifet në ndërtim të vargut dhe nji përkim ma i përpikët ndërmjet të theksuemit rythmik dhe përmbajtjes. Hove hove shprehja poetike qi lëshohet gzueshëm e përmallshëm në nji rrymbë të gjanë e të ndejshme e cila ta dhelaton veshin e derdhet ambël në shpirt, befas ngurron, si e turitun, thehet e acarohet tue jehue me gjasëramje të vrashta. Janë synkopet e artit modern. Camaj ndërmjet veprës së parë e të dytë, ka lexue shum në gjuhë të hueja dhe ka diktue nji afërsi të ndieshmenis (sensibilitet) së vet me auktorë të pararojes letrare të Prendimit. Ka përvetsue mjetet mjeshtrore të tyne për me hollue artin e vet. Edhe asht për t’u mrekullue s’pari dhe mandej për t’u gzue, tue pasun para sysh pasurimin motivesh e trajtash të letresis sonë, për mënyrën se si ky pinjuell malesh, sigurisht i pari i sojit të tij qi xen më shkrue e me këndue, din të harmonizojë në shkrime primitivitetin ruejtë në plosin ma të pëlleshme me nji zotnim të mjeteve ma të rafinueme t’artit letrar modern. Ky harmonizim i rrallë asht nota dalluese e disa shkrimtarve të rij të Kosovës e të Shqipnis së vjetër. N’asnjanin, veç, prej tyne nuk tingullon ende në mënyrë aqë të spikatun si ke Camaj, i cili qyshë tash mund të njehet përtrisi i nji rrymbe së re në letrat shqiptare, rrymbë e shqueme prej nji çveshjeje nga zbunim retorik e për nji prirje me zbulue në vetvete e në tjerë vetit ma të strukuni në skuta të vetëdijes dhe n’errsit e mystershëme të nënvetëdijes.