Search
Close this search box.

“Barbie”, “Oppenheimer” e “Killers of the Flower Moon”, favoritë për BAFTA

Margot Robbie, Emma Stone, Sandra Hüller, Annette Bening, Bradley Cooper, Jeffrey Wright, Cillian Murphy dhe Leonardo DiCaprio, në mesin e aktorëve që po e kryesojnë listën e kandidatëve të mundshëm për t’u nominuar për çmim BAFTA, pas raundit të parë të votimit. Lista përfundimtare e nominimeve do të publikohet më 18 janar

Filmat “Barbie” dhe “Oppenheimer” po vazhdojnë të shënojnë suksese. Të premten, Akademia Britanike zbuloi listën e gjerë të kandidatëve pretendentë për t’u nominuar për çmimet e sivjetme “BAFTA Film Awards”, në 24 kategori të ndryshme. Filmi i regjisores amerikane Greta Gerwig, “Barbie”, biografia epike e Christopher Nolanit, “Oppenheimer” dhe drama kriminalistike e ikonës Martin Scorsese, “Killers of the Flower Moon” kryesojnë me nga 15 pikë. Pas tyre vjen Yorgos Lanthimos me komedinë e errët “Poor Things” me gjithsej 14 pikë. Ndërkohë, filmi “Maestro” mori 12 pikë në listë, “Saltburn” 11 pikë, “The Zone of Interest” dhe “All of Us Strangers” morën nga 10 pikë.

Në mesin e aktorëve dhe aktoreve që kryesojnë dhe po konsiderohen favoritë për t’u nomunuar janë: Margot Robbie, Emma Stone, Sandra Hüller, Lily Gladstone, Annette Bening, Carey Mulligan, Bradley Cooper, Andrew Scott, Jeffrey Wright, Cillian Murphy, Paul Giamatti, Colman Domingo dhe Leonardo DiCaprio.

Aktorja gjermane, Hüller, e cila ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe kritikëve për dy filmat e saj të fundit, e dëshmoi arsyen të premten. Ajo përfshihet në listën e gjerë në kategoritë kryesore si “Aktorja më e mirë” për performancën në filmin “Anatomy of a Fall”, si dhe “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për rolin e saj në filmin “The Zone of Interest”. Ky i fundit mund të bëhet filmi i ardhshëm ndërkombëtar që e befason publikun, duke u shpallur fitues në kategorinë për “Filmin më të mirë”.

Lista e gjerë për çmimet BAFTA është rezultat i raundit të parë të votimeve në të gjitha kategoritë. Nominimet përfundimtare do të bëhen të ditura të enjten më 18 janar nëpërmjet një transmetimi të drejtpërdrejtë, që do të drejtohet nga aktorët Naomi Ackie dhe Kingsley Ben-Adir. Kurse ceremonia e ndarjes së çmimeve mbahet më 18 shkurt në Londër.

“Publikimi i listës së gjerë është një nga aktivitetet tona të preferuara në kalendarin e sezonit të shpërblimeve. Është një moment që frymëzon fansat në mbarë botën të shikojnë më shumë filma dhe të bëhen pjesë e bisedave se kush duhet të nominohet për BAFTA. Sot po e drejtojmë fokusin mbi 69 filma të jashtëzakonshëm. që votuesit e Akademisë kanë detyrën e vështirë t’i përzgjedhin disa prej tyre për t’i futur në listën përfundimtare të nominimeve. I inkurajoj të gjithë të shkojnë t’i shohin këta filma dhe të vendosin vetë për meritorët e çmimit të madh”, deklaroi kryetarja e Komitetit të Filmit BAFTA, Anna Higgs.

Në vitin 2023, filmi i Netflixit kundër luftës, “All Quiet on the Western Front” e kryesoi listën e fituesve me gjithsej 7 trofe BAFTA, përfshirë këtu kategoritë “Filmi më i mirë” dhe “Regjia më e mirë”, çmim ky që shkoi për regjisorin Edward Berger. Pas tij renditej filmi i Martin McDonagh, “The Banshees of Inisherin”, me gjithsej 4 shpërblime të fituara.

Ngjashëm me listën e gjerë të vitit të kaluar ka një prani pozitive të diversitetit racor dhe gjinor në të gjitha kategoritë me aktorë të tillë si, Jeffrey Wrighti, Colman Domingo, Teo Yoo, Da’Vine Joy Randolph, Fantasia Barrino dhe Vivian Oparah. Të gjithë janë kandidatë për nominim në kategoritë për aktrim.

Aktori David Tennant, i njohur për filma të tillë si “Doctor Who” dhe “Inside Man”, do ta prezantojë ceremoninë e sivjetme të ndarjes së çmimeve BAFTA.

Lista e gjatë për kategoritë kryesore:

Filmi më i mirë

Dhjetë projekte filmike pritet të avancojnë në kategorinë “Filmi më i mirë”. Gjithsej 234 filma të kualifikuar u dorëzuan për shqyrtim. Të gjithë anëtarët e Akademisë Britanike votojnë për të përcaktuar listën e gjerë, nominimet dhe fituesit e çmimeve BAFTA.

  • “All of Us Strangers”
  • “Anatomy of a Fall”
  • “Barbie”
  • “The Holdovers”
  • “Killers of The Flower Moon”
  • “Maestro”
  • “Oppenheimer”
  • “Past Lives”
  • “Poor Things”
  • “The Zone of Interest”

Filmi më i mirë britanik

Gjithsej 15 filma do të garojnë në këtë kategori, kurse juria e përzgjedhur i klasifikon 5 prej tyre në listën e nominimeve. Në raundin e fundit votat e të gjithë anëtarëve e përcaktojnë filmin fitues.

  • “All of Us Strangers”
  • “Chicken Run: Dawn of the Nugget”
  • “The Deepest Breath”
  • “The Great Escaper”
  • “How to Have Sex”
  • “Napoleon”
  • “The Old Oak”
  • “One Life”
  • “Poor Things”
  • “Rye Lane”
  • “Saltburn”
  • “Scrapper”
  • “Tetris”
  • “Wonka”
  • “The Zone of Interest”

Regjia më e mirë

16 filma kanë avancuar në kategorinë për regjisorin/en më të mirë. Dy prej regjisorëve favoritë nga kjo listë i shtohen edhe katër emrave të përzgjedhur nga juria, për t’i nominuar për çmimin prestigjioz ku përfundimisht garojnë 6 regjisorë.

  • Justine Triet (“Anatomy of a Fall”)
  • Andrew Haigh (“All of Us Strangers”)
  • Cord Jefferson (“American Fiction”)
  • Greta Gerwig (“Barbie”)
  • Alexander Payne (“The Holdovers”)
  • Molly Manning Walker (“How to Have Sex”)
  • Martin Scorsese (“Killers of The Flower Moon”)
  • Bradley Cooper (“Maestro”)
  • Christopher Nolan (“Oppenheimer”)
  • Celine Song (“Past Lives”)
  • Yorgos Lanthimos (“Poor Things”)
  • Sofia Coppola (“Priscilla”)
  • Raine Allen Miller (“Rye Lane”)
  • Emerald Fennell (“Saltburn”)
  • Charlotte Regan (“Scrapper”)
  • Jonathan Glazer (“The Zone of Interest”)

Aktorja më e mirë

Lista e gjatë për kategorinë “Aktorja më e mirë” udhëhiqet nga emra të shquar të kinematografisë. Janë gjithsej 10 aktore që po konsiderohen kandidate favorite për t’u nominuar sivjet. Juria nga kjo listë i çon në nominim gjashtë prej tyre.

  • Annette Bening (“NYAD”)
  • Carey Mulligan (“Maestro”)
  • Emma Stone (“Poor Things”)
  • Fantasia Barrino (“The Color Purple”)
  • Greta Lee (“Past Lives”)
  • Lily Gladstone (“Killers of The Flower Moon”)
  • Margot Robbie (“Barbie”)
  • Mia McKenna-Bruce (“How to Have Sex”)
  • Sandra Hüller (“Anatomy of a Fall”)
  • Vivian Oparah (“Rye Lane”)

Aktori më i mirë

E njëjta vlen edhe për kategorinë “Aktori më i mirë”. Nga 10 performancat më të vlerësuara në listën e gjatë, anëtarët votues i përzgjedhin 6 aktorë për t’i nominuar për çmimin BAFTA.

  • Andrew Scott (“All of Us Strangers”)
  • Barry Keoghan (“Saltburn”)
  • Bradley Cooper (“Maestro”)
  • Cillian Murphy (“Oppenheimer”)
  • Colman Domingo (“Rustin”)
  • George MacKay (“Femme”)
  • Jeffrey Wright (“American Fiction”)
  • Leonardo DiCaprio (“Killers of The Flower Moon”)
  • Paul Giamatti (“The Holdovers”)
  • Teo Yoo (“Past Lives”)

Akademia Britanike e Filmit publikon lisën e gjerë të kandidatëve të mundshëm për t’u nominuar për BAFTA nga viti 2020, kur u akuzuan për parregullsi të mëdha në procedurat e votimit si pasojë e mungesës së diversitetit në listën e fituesve të këtij çmimi prestigjioz kinematografik. Kjo iniciativë ishte një nga rreth 120 ndryshimet e përgjithshme që janë bërë në procesin e shpalljes së fituesve.

Marrë nga “The Hollywood Reporter”. Përktheu: Edona Binaku/koha/

Almanart