Search
Close this search box.

Baritoni Gëzim Myshketa me koncert recital në Durrës

Një përzgjedhje këngësh shqiptare, si dhe pjesë të njohura ndërkombëtare janë pjesë e koncertit recital të baritonit Gëzim Myshketa. Artisti i njohur rikthehet me një koncert recital, që do të zhvillohet në mbrëmjen e 6 korrikut në amfiteatrin antik të Durrësit. Baritoni Gëzim Myshketa, “Mjeshtër i Madh” dhe fitues i disa çmimeve prestigjioze është i njohur për debutimet e tij në kryevepra botërore në skenat e teatrove të shteteve të ndryshme si të Italisë, Japonisë, Koresë, SHBA-së, Gjermanisë dhe më gjerë, por këtë verë ai rikthehet në qytetin e tij të lindjes, Durrës, me një koncert recital unik. Kjo pohohet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, që shprehet më tej se i shoqëruar nga kori, solistët dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së, baritoni Gëzim Myshketa do të interpretojë një përzgjedhje këngësh shqiptare, duke përfshirë “Të falem i bukri Durrës”, “Për ty Atdhe” dhe “Pragu i vegjëlisë”. Po ashtu sipas TKOB-së repertori do të përmbajë edhe pjesë të njohura ndërkombëtare si “Parla piu piano”, “Funiculi Funicula” dhe “Caruso”. “I cilësuar nga kritika italiane si një nga talentet më të spikatura të brezit të tij, Myshketa interpretoi së fundmi rolin e Gianni Schicchi-t në operën “Il Trittico”, e cila u vu në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit gjatë muajve shkurt dhe mars të këtij viti”, thuhet nga TKOB që shton se ky koncert organizohet në bashkëpunim me Bashkinë Durrës. Amfiteatri i Durrësit do të vazhdojë të jetë një skenë e hapur, plot aktivitete gjatë gjithë stinës së verës dhe një prej tyre në vijim është dhe koncerti i baritonit të njohur.


Bashkëpunimet artistike
Gëzim Myshketa është një këngëtar i njohur. I lindur në vitin 1982 në Durrës, Gëzim Myshketa filloi të studiojë kanto duke rënë menjëherë në sy si një nga talentet më interesante të brezit të tij. Ai u diplomua me nota maksimale në Konservatorin “Arrigo Boito” në Parma, nën drejtimin e mjeshtrave Giuliano Ciannella dhe Lelio Capilupi. Vetëm 20 vjeç debuton në rolin e Figaros në “Le Nozze di Figaro” nën dirigjimin e Antonello Allemandit dhe më vonë me fituesit e konkursit ndërkombëtar “Giuseppe di Stefano Trapani”. Fituesi i 57- të i Konkurrencës As.Li.Co 2006, ai bëri debutimin e tij si Don Giovanni dhe Leporello në Circuito Lirico Lombardo dhe Opera de Massy. Në vitin 2008 ai fitoi Konkursin Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës “Francesco Paolo Tosti”. Myshketa ka bashkëpunuar me dirigjentë të tillë si: Bruno Aprea, Philippe Auguin, Frederic Chaslin, Fasolis Diego, Will Humburg, Daniel Oren, Nello Santi dhe drejtorë të tillë si Robert Carsen, Giancarlo del Monaco, Dante Ferretti, etj. Në 2018 opera “Carmen” erdhi në skenën e Pallatit të Kongreseve me regji nga Gëzim Myshketa. Artisti i skenës operistike Myshketa luajti dhe rolin e Escamilos në veprën “Carmen” të Georges Bizet bazuar në libretin e shkruar nga Meilhac dhe Ludovic Halevy./Gazeta “Sot”

Almanart