Eqrem Çabej gjuhëtar dhe studiues, i cili ia kushtoi një jetë të tërë historisë së shqipes, letërsisë, etnologjisë dhe kulturës shqiptare. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite “In memoriam”, përkujtoi akademikun Eqrem Çabej, në 115-vjetorin e tij të lindjes, duke sjellë në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme në shkencat shqiptare, si figura më përfaqësuese e vlerave të akademizmit shqiptar; protagonist e bashkëthemelues i saj, albanolog; me njohje të gjerë e vlerësim të lartë në të gjitha qendrat e studimeve shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Biblioteka Kombëtare shprehet se kjo ekspozitë sjell një pjesë modeste të krijimtarisë së tij. “Si “Studime etimologjike në fushë të shqipes”; “Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe”; “Studime gjuhësore”; “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe”; “Studime shqiptare : vepra të zgjedhura”; “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”; “Për gjenezën e literaturës shqipe”; “Hyrje në indoevropianistikë : leksionet e Prishtinës”; “Vepra e Gjon Buzukut në vështrim gjuhësor historik”; “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”; “Në botën e arbëreshëve të Italisë : përmbledhje studimesh”; “Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe”; “Në tridhjetëvjetorin e vdekjes së Nobert Jokli”, etj”, thuhet nga Biblioteka Kombëtare.
Eqrem Çabej bëri një punë të madhe sidomos për studimin e gjuhës së Gjon Buzukut, veprën e të cilit edhe e ribotoi të transliteruar dhe të traskribuar “Meshari i Gjon Buzukut (1955): botim kritik”. Ekspozita u hap për publikun në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare. Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980. Eqrem Çabej lindi më 6 gusht 1908 dhe u nda nga jeta më 13 gusht 1980./sot/