Search
Close this search box.

‘Bilbili i Kosovës’, Nexhmije Pagarusha jetësohet në një skulpturë

Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha do të jetësohet në një skulpturë në vendlindjen e saj, në fshatin Pagarushë në Malishevë.

Skulptura e veçantë është realizuar nga skulptori i talentuar Agon Qosa.

Ai ka publikuar disa foto të portretit të artistes së mirënjohur, që ka dhënë një kontribut të madh në muzikën shqiptare. E punuar në detaje, kjo vepër arti është një nderim i veçantë që i bëhet një figure të tillë të artit shqiptar.

Skulptura

Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha u shua në vitin 2020 në moshën 86-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

E cilësuar si bilbili i Kosovës, artistja e madhe Nexhmije Pagarusha mbetet emri më i çmuar në mbarë kulturën shqiptare, e cila me zërin e saj këndoi këngë, të cilat nga njohës të artit dhe kritikë janë vlerësuar si kryevepra artistike.

Vlera e veprës së saj mbetet e njëjtë pavarësisht kalimit të kohës.

Ndër këngët e saj më të njohura mbeten: “Baresha”, “Ani mori nuse”, “E dehun jam”, “Zambaku i Prizrenit”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, “Një lule”, “Dallëndyshe”.

Kush ishte Nexhmije Pagarusha

Pagarusha ka një veprimtari të gjatë dhe të larmishme muzikore sa vështirë të thuhet se cilit zhanër i përket. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.

“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty”: në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të rikthehej.

Ishte në jurinë e festivalit “Kënga Magjike 2005”. Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

“Bilbili” do mbetet pjesë e historisë së artit shqiptar me veprat e saj.

Almanart