Kur në 29 janar të vitit 1860 lindi në qytetin provincial Taganrog, Anton Pavlloviç Çehovi, Rusia kishte njohur lavdinë e penave të mrekullueshme si ajo e Pushkinit, Lermontovit, Gogolit,Turgenievit, Gonçarovit, Tjutçevit, Dostojevskit e Tolstoit dhe po zgjohej e ndërgjegjësohej nga orientimi filozofik i mendimtarëve të mëdhenj si Bjelinski, Herceni, Nekrasovi, Dobrolubovi e Çernishevskij, vepra e të cilëve bëri që ajo kohë të njihet anë e mbanë rruzullit si “Shekulli i artë”. Pavarësisht kësaj dhe fatit të keq; që tuberkulozi ia dorëzoi vdekjes në moshën 44 vjeçare, asgjë nuk i pengoi, si lexuesit e panumërt, ashtu dhe kritikët e mirëfilltë që ta quanin atë një ndër novelistët, pse jo edhe dramaturgët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Dhe ndofta më mirë se kushdo e ka përcaktuar talentin e tij, miku i tij Maksim Gorki, kur thoshte se: “Çehovi poshtërsitë dhe prapësitë i paraqiti me gjuhën fisnike të poetit dhe me buzagazin e hollë të humoristit”. Për këtë shkrimtar, që duke mos trashëguar asgjë nga ashpërsia e të atit, gjë që më vonë e detyroi të pohonte se “Në vogëli unë nuk kam pasur fëmijëri”, dhe që mbeti simbol i të shkruarit thjeshtë, me edukatë të spikatur, humanizëm dhe pa asnjë banalitet, njeriu vihet në vështirësi po t`i kërkohet se ku duhet ta rendisë atë, krahas Gi de Mopasanit, Prosper Merimesë e Stefan Cvajgut. Pas vdekjes së të atit, që merrej me një farë tregtie, i detyruar nga ngushtica ekonomike, qëndroi në vendlindje gjersa mbaroi gjimnazin, sistemoi disi atë çka ai u kishte lënë dhe më pas iu bashkua familjes që kishte shkuar në Moskë. Këtu, në vitin 1879 fillon studimet në fakultetin e Mjekësisë, por edhe nis e shkruan me organet humoristike. Emrin e tij të butë e zbuti akoma më shumë, duke nënshkruar: Antosha Çehonte. Studimet për mjek i vlerësonte seriozisht, duke u kushtuar shumë më tepër rëndësi se talentit të tij letrar. Në dy – tre vjet pas përfundimit të Universitetit, ai boton dy librat e parë: “Tregime laragane” dhe “Shkrime të pafajshme”, të cilat lajmëruan se ai ishte mjeshtër i tregimit të shkurtër. Në vitin 1884 boton “Tregimet e Melpomenës”. Qysh në këto krijime bie në sy, butësia, ngrohtësia dhe ëmbëlsia e këtij shkrimtari, çka me të drejtë identifikohet me shpirtin e vetë atij. Ajo që i dallon ato, është respekti për njeriun, lirinë dhe dinjitetin e tij. I joshur nga pritja mjaft entuziaste e publikut, ai vijon të shkruaj pa reshtur. Ngjarjet të cilat i përshkruan Çehovi marrin spunto nga të vërtetat jetësore. Ato, në vetvete duket se nuk kanë ndonjë peshë të madhe, janë fare zakonshme, por tepër njerëzore dhe të mbrujtura ose më mirë të qëndisura nga një dorë mjeshtri të lindur, nga një magjistar i fjalës së bukur, i cili sikurse thotë vetë: “Arti i të shkruarit është arti i të shkurtuarit”. Këtu, duhet të sqarojmë diçka: Vetëm një vit para se të lindte Çehovi, Ivan Aleksandroviç Gonçarovi (1812 – 1891), që nuk ka lënë asnjë krijimtari të shkurtër, kishte botuar romanin e bujshëm “Obllomovi”, një vepër madhështore, ku ai kishte derdhur gjithë artin superior, paçka se të shkruarit e zgjaste pa fund. Pra, ashtu sikurse edhe vetë Tolstoi (1828 – 1910) me, fjala vjen “Lufta dhe paqja”, “Ana Karenina” apo “Ringjallja” etj. tregoi se talenti i gjeniut nuk kushtëzohet nga zhanri që zgjedh.
Po le të vazhdojmë me jetën e Çehovit. Në moshën 24 vjeçare e emërojnë mjek bashkie në një qytezën e Voznjesenskut, pranë Moskës. Këtu punon me mjaft përkushtim për t`iu gjendur njerëzve në nevojë, dhe i njohu mirë ata dhe shqetësimet e tyre, gjë që pasqyrohet edhe në tregimet që shkroi. Që këtu, sapo mbushi 30 vjeç, ndërmori një udhëtim drejt Sahalinit, ku kolera po merrte shumë jetë njerëzish. Por, pikërisht në këtë kohë, ai sëmuret nga tuberkulozi. Ai, më mirë se kushdo e dinte se si do përfundonte, pasi aso kohe kjo sëmundje ishte e pashërueshme. Heq dorë nga profesioni i mjekut dhe mendja i tij i përkushtohet vetëm letërsisë. Kuptohet, se pas kësaj, gjendja e tij shpirtërore trazohet dhe kjo reflektohet në ato që shkruan; kuptohet dëshpërimi dhe ajo që quhet “psherëtima çehoviane”, pavarësisht se ai nuk hoqi asnjëherë dorë nga e qeshura e sinqertë dhe humori fin. Tipike mbetet novela “Pavioni nr. 6”, të cilin e shkroi nën përshtypjet e vizitës në Sahalin dhe ku me një zemëratë të pazakontë stigmatizon ligësitë dhe arbitraritetet, si shtysa drejt padrejtësisë shoqërore.
Por njeriut e keqja mund t`i vijë edhe nga vetja
Kjo duket te “Murgu i zi”, ku ndjenja e madhështisë, e nxitur nga psikika e turbulluar, e fut Kovrinin në ëndërrime haluçinante, derisa mendon se është i zgjedhur i Zotit, dhe nga njeri pa vese, u hap telashe edhe të tjerëve. Tani, Çehovi që shkruan aq këndshëm për çaste dashurie e flirtesh, qoftë dhe për disa oficerë artilerie që hutohen para dritares së një kompartimenti treni që ka ndaluar në një stacion, nga hiret e një vajze që bën sikur nuk i vë re (“Bukuroshet”), arrin në përfundimin se shoqërisë nuk i duhen më profetët, por ata që veprojnë konkretisht. Dhe a nuk e ka shprehur mjaft mirë këtë Xhon Belushi ynë, kur thotë: “Nëse jeta bëhet e fortë, atëherë të fortët duhet të përballen me të”. Veç novelave të paharruara si “Vdekja e nëpunësit’, “E bija e Albionit”, “Në det”, “Kameleoni”, “I trashi dhe i holli”, “Nënoficeri Prishibejev”, “Armiqtë”, “Zonja me kone”, “E fejuara” etj. ai shkroi dhe gjashtë drama si “Kopshti i qershive”, “Tri motrat”, “Xhaxha Vanja” e “Pulëbardha”…, nga të cilat, dy të fundit, të inskenuara nga i madhi Kostandin Sergejeviç Stanislavski në teatrin Artistik të Moskës, i dhanë një kënaqësi të veçantë. (Edhe Teatri ynë Popullor ka vënë në skenë drama të Çehovit). Ai, gjithmonë lë të kuptohet se shpëtimin e shoqërisë duhet ta kërkojmë te ideja e punës së lirë. E parë kështu, edhe pse ishte mik me të, ai nuk ka asgjë të përbashkët me këndvështrimin e Gorkit, pra zor se besonte te revolucioni, e ca më shumë asqë e predikoi ndonjëherë atë. Ai ishte i butë, ndaj shpresonte në evolucion dhe se jeta pas 20 a 50 vjetësh do të qe më e mirë, por gjithmonë duke pastruar dhe duke e bërë më të mirë shpirtin. Këtë e kanë theksuar edhe autorët që kanë shkruar ma aq dashuri kujtimet e tyre për të, si e shoqja Ollga Kniper, e dashura Lidia Avillova, i vëllai Mihali dhe miku i tij M. Gorki, për mospranimin e të cilit si anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 1902, ai dorëzoi në mënyrë demonstrative titujt e nderit. E megjithatë, ky njeri që kishte si devizë; “Njeriu duhet të ketë gjithçka të bukur: edhe fytyrën, edhe shpirtin, edhe mendimet, edhe sjelljen, edhe veshjen” dhe që ishte i tillë edhe vetë, paradoksalisht, kur mbylli sytë më 2 korrik të vitit 1904 në Badenvajler të Gjermanisë, ku kishte shkuar për kurim, trupin e tij të mbyllur në arkivol e sollën në një vagon ku shkruhej “Për midhjet”. Dhe për atë që në vogëli nuk kishte pasur fëmijëri, trillet e jetës bënë që të mos kish as pleqëri. Por ashtu sikurse për Gogolin që vdiq po në moshën e tij dhe ju bë një varrim madhështor, “njësoj ditët do të kalojnë, kurse ndikimi i veprës së tyre në botë do të mbetet i madh dhe kurdoherë në rritje”.
Dhe a nuk e ka shprehur mjaft mirë këtë Xhon Belushi ynë, kur thotë: “Nëse jeta bëhet e fortë, atëherë të fortët duhet të përballen me të”. Veç novelave të paharruara si “Vdekja e nëpunësit’, “E bija e Albionit”, “Në det”, “Kameleoni”, “I trashi dhe i holli”, “Nënoficeri Prishibejev”, “Armiqtë”, “Zonja me kone”, “E fejuara” etj. ai shkroi dhe gjashtë drama si “Kopshti i qershive”, “Tri motrat”, “Xhaxha Vanja” e “Pulëbardha”…, nga të cilat, dy të fundit, të inskenuara nga i madhi Kostandin Sergejeviç Stanislavski në teatrin Artistik të Moskës, i dhanë një kënaqësi të veçantë. /KultPlu/Nga: Shpend Topollaj