Search
Close this search box.

Çelet ekspozita e fotografëve Safet e Gjylzade Dokle në muzeun e fotografisë Marubi

Është çelur në muzeun e fotografisë “Marubi” ekspozita e parë për këtë vit që i përket koleksionit fotografik të çiftit bashkëshortor “Safet e Gjylzade Dokle”.

Seti fotografik, është më i madhi i dhuruar muzeut pas viteve ’90 ndërsa në të gjejmë imazhe të traditave e ritualeve nga qyteti i Kukësit.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër hapi kalendarin vjetor të ekspozitave me koleksionin personal fotografik të “Safet e Gjylzade Dokle”.

I përbërë nga rreth 20 mijë negativë, ky është koleksioni më i madh i dhuruar muzeut të fotografisë pas viteve ’90 ndërsa në të pasqyrohet aktiviteti fotografik i dy bashkëshortëve Safet e Gjylzade Dokle nga vitet ’30 deri në fillim të viteve ’70, të cilët hapën edhe të parën studio fotografike në Kukës.

Drejtori Luçjan Bedeni thotë se ky është koleksioni i tretë që i dhurohet muzeut të fotografisë “Marubi” që nga viti 2014.

Aspekte të stilit të jetës, traditave, ritualeve, elementë etnografikë e deri tek pamjet e qytetit të vjetër të Kukësit janë disa nga imazhet e këtij koleksioni fotografik.

Kënaqësi shpirtërore dhe krenari për koleksionin e prindërve ndjejnë edhe dy bijtë e tyre Rahime Dokle Shehu dhe Milaim Dokle.

Ekspozita “Safet e Gjylzade Dokle” do të qëndrojë e hapur deri në datën 1 korrik në mjediset e muzeut “Marubi”.

Almanart