Festivali i mirënjohur Zâ Fest, rikthehet edhe këtë vit në datat 21, 22 dhe 23 korrik në edicionin e tij të shtatë.
Shkodra është sërish kryefjala e këtij edicioni, por Festivali zbret nga malet duke shkuar buzë qytetit. Oborri i Kulles se Sahatit (Iglizit) dhe sigurisht Kalaja Rozafa janë vendtakimet në këtë edicion, përcjell KultPlus.
Zâ Fest është festivali që lindi me synimin për të promovuar vlerat e Shqipërisë, përmes muzikës, artit të angazhuar, mbështetjes në traditë dhe mbrojtjes së mjedisit. E gjitha kjo është një përpjekje për të frymëzuar të ardhmen, jo vetëm nga përmbajtja artistike që ofrohet prej artistëve pjesëmarrës, hapësirat e zgjedhura për të mbajtur veprimtaritë, por edhe diskutimeve të lira të figurave frymëzuese e me ndikim në popullsinë vendase.
Zâ Fest është krijuar në vitin 2017 nga kantautori Vlashent Sata, frymëzuar nga kultura dhe e bukura, nga origjina e vendit tonë, për t’u kthyer në një traditë kulturore të Shqipërisë. Ky festival synon rizgjimin e kulturës si formë prezantimi dhe vënien në pah të modeleve me vlerë për të rinjtë.
Jo më kot i quajtur Zâ (gegnisht za – zëri, zanat) një nga pikat më të forta të Zâ Fest janë muzika, legjendat dhe gojëdhënat. Megjithatë, Zâ Fest synon të jetë një festival jo vetëm për muzikën dhe artin e fjalës, por edhe baletin kontemporan, teatrin, filmin, etj. Ai synon të ketë ndikim pozitiv në zonën ku zhvillohet, nëpermjet nxitjes së turizmit, mbrojtjes së natyrës, stimulimin e meditimit dhe yogës, e sporteve në natyrë.
Ky festival kërkon të bëjë bashkë banorët vendas dhe vizitorët, si një shtëpi e të gjithëve, ku nis biseda, këmbëhen përvoja dhe ndërtohet e ardhmja.
Shkodra është sërish kryefjala e këtij edicioni, por Festivali zbret nga malet duke shkuar buzë qytetit. Oborri i Kulles se Sahatit (Iglizit) dhe sigurisht Kalaja Rozafa janë vendtakimet tona në këtë edicion.
Edhe këtë edicion, për tri ditë me radhë Shkodra do të argëtohet nën performancat e artistëve të mirënjohur.