Search
Close this search box.

Cila grua e frymëzoi ‘puthjen’ e Klimtit?

Ishte viti 1907 kur Gustav Klimt filloi të punojë me “Puthja”, mbase ende i pavetëdijshëm për rëndësinë që do të kishte më vonë vepra në historinë e artit. Ky është viti që do të shndërrohet në një nga më produktivët e jetës së piktorit, duke iu përkushtuar përveç “Puthjes”, edhe portretit të Adele Bloch-Bauer I. Thuhet se, artisti e kishte zakon ta niste punën në studio, herët në mëngjes, pa bërë pushime dhe deri vonë në mbrëmje. Dyshemeja e studios ishte e mbuluar tërësisht me skica të panumërta dhe boceta të veprës. Një periudhë jo e lehtë për artistin, i cili vazhdimisht ankohej për lodhjen që i shkaktonte ajo punë. Nga një letër, e shkruar më vonë nga vetë artisti, ai zbulon gjithë ankthin e tij: “Ose jam shumë i moshuar, ose shumë nervoz, ose shumë budalla – një nga këto, herët a vonë, me siguri”. Tema e çiftit të të dashuruarve, së bashku me atë të puthjes, e angazhoi Klimtin gjatë gjithë rrugëtimit të jetës së tij, me variacione mbi temën që do ta shoqërojnë deri në vdekje. Pohimi i “Epokës së Artë” në veprën e tij arrin kulmin te “Puthja”, pas një vizite në qytetin e Ravenës, që do t’i lejojë artistit të njihet me mozaikët bizantinë.

Piktura është një kanavacë vaji, një tablo përsosmërisht romantike pa u ëmbëlsuar, moderne pa u shfaqur e panjohshme dhe mbi të gjitha e çmuar. Piktura tregon një çift të shtrënguar në një përqafim pasionant. Figura mashkullore përkulet mbi atë femërore, kështu që gruaja ngjitet pas burrit për të marrë puthjen e tij. Tema e përqafimit është trajtuar disa herë nga artisti, por vetëm në këtë pikturë ai arrin të përjetësojë çastin e shkëputjes, në të cilin bashkohet universi mashkullor me universin femëror. Të dy figurat përshkruhen në një vend abstrakt dhe eterik, të rrethuar nga një livadh i mbuluar me lule. Për t’u ilustruar është triumfi i erosit dhe fuqia e tij për të harmonizuar konfliktet midis burrave dhe grave. Ky koncept shprehet mirë përmes gjesteve të dy të dashuruarve. Braktisja e gruas në duart e tij, bie ndesh me kontrollin e fortë dhe të sigurt të burrit, profili i të cilit mezi shihet. Imazhi mashkull shoqërohet, në një nivel dekorativ, me forma katrore dhe drejtkëndore. Sidoqoftë, për figurën femërore, mbizotërojnë linjat dhe modelet e lules. Në të njëjtën kohë, çifti duket se shkëputet nga kjo pjesë e botës tokësore dhe rrëmbehen në një atmosferë formale, pa hapësirë dhe që në fakt, të sjell ndërmend mozaikët bizantinë në sfondin e praruar. Shumë janë përpjekur të identifikojnë figurën femërore të përshkruar në vepër. Disa herë është përmendur emri i mikeshës më të mirë të Klimtit. Tiparet e rregullta dhe në proporcion të mirë tregojnë një ngjashmëri më shumë nga gratë e portretizuara nga Klimt, edhe pse nuk gjurmojnë saktësisht ndonjë figurë në veçanti.

Puthja e Klimtit rishfaqet në homazh të një piktori që i dhuroi botës moderne, një nga tablotë më të bukura të puthjes njerëzore në historinë e artit. Jeta e tij, shpesh e anashkaluar, zbulohet në pikturat e tij, portrete grash herë të dëshirueshme, herë lakmitare në peizazhe të heshtura./hejza/

Almanart