E shtunë në darkë. Mbërrij te godina “Art Turbina” salla e ish-Teatrit Kombëtar. Do të vendoset shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Club Albania” me regji të Fatos Berishës. Prisja të hyja brenda, teksa vë re se pjesa më e madhe e publikut ishin kolegët e Shqipërisë që shihnin miqtë e tyre në skenë. Vura re dhe prani të politikanëve që nuk e prisnin atë që do të ndodhte.
Teatri Kombëtar i Kosovës erdhi në Tiranë me 4 shfaqje për publikun e Shqipërisë në Teatrin Kombëtar. E ndër to ndoqa “Club Albania” një komedi e frymëzuar nga vepra “Pas vdekjes” nga Andon Zako Cajupi. Lexova pak mbi referencën e librit dhe thuhej se “Pas vdekjes” është një komedi politiko-shoqërore. Demaskimi i demagogjisë së xhonturqve dhe i bejlerëve që u bënë vegël e tyre, problem që Çajupi e pat trajtuar edhe te pamfleti “Klubi i Selanikut”, është vënë në qendër të kësaj vepre. Edhe ngjarjet zhvillohen në zyrat e gazetës “Liria” të këtij klubi, por kuptohet se përmbajtja e komedisë është shumë më e gjerë dhe më e thellë. Ajo zbulohet përmes një situate komike, të gjetur me mjeshtëri prej shkrimtarit. Doktor Adhamudhi vjen në zyrat e “Lirisë” t’i tregojë Skëndo beut abetaren e tij shqipe. Atje doktori sheh rastësisht një nekrologji për deputetin Haxhi Aliu, që ende s’ka vdekur dhe i lind dëshira të dijë edhe ai se ç’do të shkruhet për të pas vdekjes. Këtë dëshirë e shfrytëzon me zgjuarsi shërbëtori i klubit Zeneli, i cili fut në vrullin e shakasë së tij dhe të tjerë, mësonjësen Lulushe dhe gazetarin Vurko, që i vjen rrotull asaj.
Aktorët presin një regjizor shqiptar që ka studiuar jashtë, që do t’i prezantojë formën e vënies në skenë të “Pas vdekjes”, ku luan një aktor me shumë eksperiencë, një aktor ende student, një aktor që ka qenë luftëtar dhe një aktore diva. Teksa bëjnë leximin skenik, kuptojmë sesi regjizori thumbon teatrin shqiptar, ndërtimin e 24 burgjeve dhe 0 teatri të ri, pozitën e teatrit përballë publikut e politikës, aktori si pjesë e shoqërisë e plot dilema të tjera. Nga ana tjetër publikut i ulërasin aktorët mbi shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e qendrës tregtare, kërpudha penis e frymëzuar nga oborri i Kryeministrisë, paralelizmit të artit, jetës dhe anës monetare të aktorëve apo plot tema të tjera. Një dramë shqiptare e sjellë në versionin modern, ku ndërthureshin brezat e artistëve, muzika e rapsodit me zhanret e hip hop, rock etj, dhe vihej përballë dilemës së sjelljes së dramës në versionin origjinal.
Batutat groteske sjellin të qeshura, momente duartrokitjesh e plot heshtje, teksa dëgjohej me kujdes monologu a dialogu që shprehin lirisht formën e artit të lirë, që kritikon shoqërinë për pikat e dobëta kyce që shënojnë një shoqëri. Gjithashtu dëgjohen të vërteta të pacensurueshme e të thella për cektësinë e teatrit në Shqipëri, ku kujdesen më së shumti për look, për mizanskenën, por jo për ngritjen e pyetjeve të rëndësishme për njerëzit. Kush ka guxuar të tallet me faktin se dialektin tosk është i vështirë për t’u vënë në skenë, luajtjen e rolit të grave nga aktorë burra, për mungesën e aktoreve gra më parë apo dhe “detyrat” e aktorëve në teatrin modern për të qenë performues e jo artistë?
E sa e vështirë është të dish cfarë do të shkruhet për ty teksa ti nuk jeton më? Si do të jetë e shkruar nekrologjia e seclit? Si do të mbahesh mend pasi të mos jesh më mes të gjallëve?
Teksa në skenë luhet me simbolika, batutat vijnë gjithnjë e më sarkastike, publiku pret finalen. Teksti i plotë kurrë s’u hartua, artistët u bënë gati për t’u dorëhequr e regjizori u largua pak ditë para premierës. Fundi i shfaqjes vjen me aktorin përballë publikut, si palacoja që argëton ata që kanë ardhur ta ndjekin, totalisht të shkëputur nga hallet apo sikletet e tyre. Tregohet dhe historia e një profesori italian që kishte gënjyer për vdekjen e tij thjesht për të parë reagimin e miqve e të njohurve të tyre.
Është e vështirë të jesh i lirë si artist në Shqipëri e më pak në Kosovë dhe kjo besoj se vjen nga lidhja me dhimbjen e problemet, përmes njohjes së historisë së popullit shqiptar këtej a andej kufirit. Në Shqipëri ka rëndësi fasada e bukur, të qeshurit si prodhim kënaqësie, si ikje nga realiteti i hidhur, teksa në Kosovë ka shfaqje që flitet për trafikimin e organeve, luftën e luftëtarët e plot tematika. Por le të urojmë që kanë shërbyer për mirë këto shfaqje si për aktorët e regjizorët, e mbi të gjitha për politikanët që për sa kohë artin e përdorin si fasadë, të arrijnë të reflektojnë mbi rëndësinë e nekrologjisë së vendit tonë përmes vendimeve të tyre të paarsyetura.