Search
Close this search box.

Colin Burgess – bateristi që shenjoi historinë e rockut me “AC/DC”

Emri i Colin Burgessit është pashmangshëm në historinë e rockut botëror, muzikanti që la gjurmë në historinë e muzikës, e që pati ndikim madhor te grupet që do të vijnë më pas. Bateristi i përbërjes së parë të grupit legjendar “AC/DC” ka vdekur të shtunën. Ai ishte 77-vjeç. Shkaku u vdekjes nuk është bërë i ditur, kanë raportuar mediat botërore.

“Shumë trishtuese të dëgjosh për ikjen në amshim të Colin Burgessit”, ka shkruar grupi “AC/DC” në një postim. “Ai ishte bateristi ynë i parë dhe një muzikant shumë i respektuar. Kujtime të mira, rrofsh në paqe Colin”.

Fansat kanë shprehur ngushëllime në komentet e postimit të grupit.

Njëri shkroi: “Lajm shumë i trishtë, pasi adhuroj muzikën rock, veçanërisht atë australian dhe ai ishte pjesë e një brezi të madh muzikantësh që i dha një shtytje industrisë muzikore në Australi. Ngushëllime për familjen dhe miqtë e tij”.

“Jam shumë i trishtuar të dëgjoj për vdekjen e Colinit. Pushofsh në paqe!”, ka shkruar një tjetër. “Pusho në paqe Colin, bëre shumë për bendet e reja”, ka komentuar adhuruesi i grupit.

Anëtarët origjinalë të grupit ishin këngëtari Dave Evans, basisti Larry Van Kriedt, bateristi Colin, Angus Young në kitarë soli dhe Malcolm Young në ritëm-kitarë.

Përbërja aktuale “AC/DC” përfshin: Angus Young, bateristin Phil Rudd, basistin Cliff Williams, këngëtarin Brian Johnson dhe në ritëm-kitarë, Stevie Youngun që është nipi Angusit. Kënga më e suksesshme e grupit në nivel botëror ishte “Highway to Hell”, e cila arriti vendin e 17-të në top-listat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në vendin e 8-të në Mbretërinë e Bashkuar.

Albumet e tjera të suksesshme përfshijnë “Back in Black” dhe “For Those About to Rock We Salute You”.

Colini u bë pjesë e grupit në vitin 1973, por një vit më vonë u shkarkua, pasi u akuzua se kishte performuar i dehur në skenë. Më pas pretendoi se dikush i kishte hedhur diçka në pije.

Bateristi u zëvendësua nga disa bateristë para se Phil Rudd t’i bashkohej grupit në vitin 1975. Phil luajti për shtatë vjet para se të rikthehej në grup për një periudhë prej nëntë vjetësh prej vitit 1994 dhe përsëri në vitin 2018. Colin ishte rikthyer shkurtim në “AC/DC”, kur zëvendësoi Ruddin, pasi ky i fundit pësoi një lëndim në dorë në vitin 1975 për disa javë.

Colin ishte në “The Music Factory” në Londër në mbrëmjen, kur Bon Scott, që ishte këngëtari kryesor në grup, vdiq në shkurt të vitit 1980. Ai ishte një nga personat e fundit që foli me të para se ai të largohet nga klubi. Bon vdiq tragjikisht në moshën 33-vjeçare. Mjeku ligjor konstatoi se shkaku i vdekjes ishte “intoksikimi akut prej alkoolit”.

Colin ishte gjithashtu baterist në “Masters Apprentices” prej vitit 1968 deri në vitin 1972.

Në tetor të vitit 1998, “The Masters Apprentices” u përfshinë në “ARIA Hall of Fame”. Një muaj më vonë, të dy vëllezërit Burgess u lënduan rëndë në një aksident me makinë gjatë udhëtimit për në festën e lansimin të CD-së për albumin e tyre “Good Time Charlie”.

Të dy, Colin dhe Denny, u rikuperuan dhe vazhduan karrierat e tyre. Performuan dhe regjistruan muzikë si “The Burgess Brothers” dhe më pas riemërtuan veten në vitin 2014 si “Burgess Burgess”.

“AC/DC” ka shitur mbi 200 milionë kopje albumesh në mbarë botën dhe njihet si një nga rock-bendet më me ndikim të gjitha kohëve.

Almanart