Columbus Day dhe veza e plasur e Kolombit

Columbus Day. Dhe mbase një rast ky i sotmi për një udhëtim, falas, në Tjetrin kontinent. Ku një 12 tetor, shkuar afro gjashtë shekuj, pat përmbyllur zhvendosjen e madhe historike Kristofor Kolombi, simbol i shpirtit eksplorues, determinimit, aventurës dhe sfidave… (Sapo e përsëriti formulën e rradhës sot në përvjetorin e rradhës, edhe vetë presidenti i rradhës në Sh.B.A).
Mirëpo, kjo është veç njëra anë e pamjes së shtatores së tij, kudo ku ajo gjendet, në Genova, New York apo Columbus kryeqytet të Ohaios, atëbotë breg i mbërritjes në një Mundus novus. Ana tjetër, i shpërfaqet edhe një tjetër perceptimi: atij prej kolonizuesi skllavërues, grabitqari përdhunues, torturuesi shfarosës, deri dhe ushtrues genocidi. Për pasojë, në çdo tetor, sillen anerrotull shtatores edhe ata që duan ta dhunojnë, ta shkulin e shfarosin atë nga faqja e dheut. Dhe asgjësimin e ditës festë kombëtare, gjer dhe zëvendësimin si Genocide Day. Kur ndoshta një shtatore e re, si kurdoherë në emër të lirisë e të drejtave humane, do përkujtojë aktin e rrëzimit të shtatores së Kolombit dhe bëmave të tij: si të liga e të papërshtatshme me kohën e sotme…!
Gjersa një kohë tjetër, duke risjellë ndërmend nën një tjetër percept: se nocioni i skllavërisë e për rrjedhojë koncepti i zbulimit dhe kolonive, kish të tjera shtysa, norma e ligje, do ta gjejë të papërputhshëm me to e të papërshtatshëm vendimin e rrëzimit të shtatores. E kështu, do e rivendosë atë aty ku ishte para se të shkulej e zhvendosej me dhunë. E kur almanakët mbase do të përmbajnë, kësisoj, edhe një shtojcë gjithë e më interesante për t’u rikujtuar si pjesë e historisë: datat përkujtimore të lindjes dhe vdekjes së shtatoreve. E ndoshta, edhe ato të ringjalljes e rimishërimit të tyre.
Mëpastaj, bën vaki të vijë një kohë kur statujat e përkundërta do qëndrojnë më këmbë përkundruall njëra-tjetrës e do kundrojnë tjetra-njërën duke buzëqeshur, nëmos dhe duke u gajasur, prej faktit se: të shkulësh një frymëzues të gjeneratave që tanimë i ngjajnë në shumëçka vetë frymëzonjësit që po shkulin, përshirë edhe lehtësinë e shfarosjes, nuk është aq e lehtë të rezistosh para argumentit pa u shkulur gazit.
Ishte era kur ndërmarrje të tilla, asokohe u bënë të mundura falë lëvizjeve edhe të përkundërta, njëherit shkulmuese heretike, dhe gjithaq falë bekimit dhe përkrahjes së klerit e në këmbim të përhapjes së krishtërimit kudo ku shihej e shtrihej botë. Atëbotë kur nën zbulimet e shkencës, mbetej veç të pranohej e thuhej: mirë që bota na qenka e rrumbullaktë, po të paktën ta shtyjmë të rrotullohet e kthehet nga ana jonë, ana e duhur njëherepërgjithmonë!
Ndërkaq, nga lajmet këtu në Itali mësoj se sot, tani, edhe në Romën ish-imperiale, turma po i vjen vërdallë piacës ‘Eur’, ish-kryeqendra e Fashios, gati për t’i shkulur mermerit ku është gdhendur pllakatën e një Italie “paese dei santi, navigatori e poeti”. Meqë, e rievokuar e sokëllitur prej Duçes në një tetor të erës imperiale të tij, kur ende e kishte erën në krah.
Tani, duke iu sjellë vërdallë përshkrimit, si Magelani, le të kthehemi edhe njëherë prapë te Kolombi. Në zanafillë, qe nisja për të zbuluar një udhë detare për në brigjet indiane; gjëja më e çmuar në pajimet e bordit: busulla, një nga shpikjet rishtare më ndikuese të krejt historisë. (por, në fakt, si e përse akrepi magnetik shigjeton gjithmonë nga veriu? Pse ky reagim gati ”instiktiv” e kjo qëndresë “parimore” veç kah i njëjti drejtim?!). Pastaj, një gabim pothuaj trashanik i përllogaritjes së perimetrit të tokës, ndonëse ende mezi pranohej që ajo është e rrumbullt (po, vërtet, çfarë i mban vallë vaporët e mëdhenj që të mos bien?!). Për pasojë, mbërritja tjetërkund, por nën bindjen e plotë se ekspedita gjendej në anët e Indisë dhe jo në anën e historisë. Bindje nën të cilën, Kolombi i rikthyer në Spanjë, siç dihet vdes në mizerje, pa e mësuar të vërtetën e zbulimit të tij. As atë të mëkateve të tij. Ndonëse, nga një këndvështrim tjetër, duke e parë edhe më ngushtë e në terren dyluftimi real, ka të ngjarë që kur gjakrat ndizen flakë në kacafytje trup me trup, në ndonjë rrip toke ku nga bregu i nisjes të ndajnë qindra ditë e milje, kuptimi i fjalës ‘gjakatar’ është aq i papeshë si të thoje, për shembull, shkaktar i pellgut të së kuqes. Kuptim i cili, i flakur nëpër histori, ndez e ushqen zjarrin e së keqes edhe pas shekujsh. Ose në rastin më të mirë, enjtet ashtu si pa tëkeq, siç një insekt pas vaktit të pickimit. Më tej, historia gjen gjithmonë një kohë ca më të paqme dhe mëton të shkarkojë barrën e mëkateve dhe makthit te simbolet e veta mishëruese.
(Sot e gjithë ditën, si qysh në krye të herës, kanuni themeltar i lundrimit e quan krim mosdhënien e ndihmës në det të hapur çdo nevojtari, pa kusht e pa kufizim. E po të qe fjala për ndjeshmëri ndaj tjetrit, ja ku na thërret për empati njerëzore emergjenca aktuale e njerëzisë migratore, sesa historia e shkuar me shekuj. Mirëpo, histori është gjithë ç’ka nuk ka të bëjë me të tashmen.)
Ndoshta thesari i vetëm, pastërtisht legjitim, që ka lënë Kolombi, mbetet vendlindja e tij, Gjenova. E tij po aq sa e Mazinit dhe e shën Gjergjit (me të cilin shqiptarët i lidh më shumë se thjesht një emër). Është për hir të këtij qyteti dhe ndikimit të frymës së tij në të, që Italia vijon të thirret ‘atdhe i shenjtorëve, lundërtarve dhe poetëve”. Qytetit që vijon të pjellë Montale, de Andre dhe poetë të muzikës së lundrimit, si dhe të bujtë si banorë të saj rrëfyes të mëdhenj qyteti, nga Petrarka te Dikens, Shelly, Bajron, deri te Virginia Woolf e më tej.
Nga veprat më të larta të ndikimit prej Kolombit mbetën përgjithmonë: kapiten Ahabi, Melvili, Balena e bardhë, Konradi, nata e errësirës dhe fantazma elokuente e Kurcit në të, Tweini, kapiteni Hateras e me rradhë… Nën ndikimin e të cilëve mandej, u blatua masivisht ai shpirt veprimtar, iniciator, udhërrëfyes dhe idealist i vetë Amerikës.
Nga gjërat më të vyera që Kolombi i solli botës kësoane qe fara e misrit, kokrra më e shëndetshme e së cilës në viset e jugut të Ballkanit, do të shërbente të ushqente “Legjendën e misrit” dhe thyer urinë e poetit në kohën e krizës dhe hipokrizisë së vulgut: mos e shkel, he t’shitoftë zana!
Nga bëmat më frytdhënëse në rang botëror, mbetet sidoqoftë ajo puna e vezës… frymëzuese edhe e shpirtit praktik, konkretist dhe pragmatist të kontinentit të ri.
Amerika mban faktikisht për kumbar një Vespuç, gjithaq italian, që na zbuloi se zbuluesi i saj faktik nuk e kuptoi që realisht pat zbuluar një Botë të Re dhe jo Indinë kah së cilës qe nisur. Sa për të tjerat, as satira e Suiftit të “Guliverit” nuk pati ndonjë përgjigje shteruese veç marazit: Kushedi ç’do kish zbuluar Kolombi po të mos i kishte prerë udhën Amerika!
E për ta njohur më mirë historinë e vërtetë, i bie më mirë të mos ta marrësh vërtet seriozisht historinë e njohur. Aq më mirë, të jesh i pa ditur. “Idioti” i Dostojevskit na thotë se “i lumtur Kolombi ishte jo në çastin kur e zbuloi Amerikën, por në udhëtimin drejt zbulimit… Rëndësia rri te jeta, vetevetëm te jeta, në rrugëtimin zbulim të saj, bash në këtë proces të përherë e pa reshtje, dhe jo te vetë zbulimi.”
Sido me qenë, veza pulën apo pula vezën, me ose pa statuja Kolombi dhe pëllumbash paqeje me glasën që u vërvitin përmbi, me siguri nuk do mund të rrëzohet dot veza e tij: shtatore e sfidës se si një gjë në formë elipsoidale mund të qëndrojë më këmbë pa u rrëzuar! Të paktën për sa kohë nga humaniteti do të ndjehet ende nevoja për metaforë dhe trajta eliptike përshkrimi historie që rreken t’i përmbushin të dy anët e rezultatit, të dy palët në bast: qoftë, në këmbë ama e thyer – qoftë e thyer ama më këmbë!


Krenar Zejno, Lago di Garda, 12 tetor 2018

Almanart