Kjo fundjavë shënon kulmin e sezonit veror dhe ka shumë aktivitete kulturore e turistike në qytete të ndryshme duke nisur nga Malësia e Madhe e Vau i Dejës për të vijuar me Shkodrën, Memaliajn, Gramshin, Korçën me festën e birrës e plot festa të tjera.
Malësia e Madhe dhe Vau i Dejës
“Festa e Tamarës” dhe “Festa për emigrantët” do të mbahen në zonën e Tamarës dhe Bushatit në datat 16 dhe 18 gusht. Do të ketë këngëtarë të ndryshëm që do të këndojnë për banorët e zonës.
Shkodra
“Lights Festival” apo “Shnrite n’Shirokë” do të mbahet në zonën e Shirokës në datat 17 dhe 18 gusht, ku do të ketë muzikë, performanca nga balerinë, Nuk do të mungojnë as koncertet në zonën e Velipojës me këngëtarë si Aleksandër Gjoka apo Eranda Libohova. Muzika live apo DJ të ndryshëm do t’i gjeni në bare, restorante, club verore.
Durrës
Në datën 18 gusht do të mbahet “Folk Tour Albania” në kuadër të turit kombëtar që po zhvillon Ansambli Popullor të Valleve. Nuk do të mungojë muzika live apo DJ në lokale, restorante, bare, club verore.
Korça
Kjo është java e “Festës së Birrës” në qytetin e Korçës përgjatë datave 15-18 gusht, ku do të ketë muzikë live nga këngëtarë vendas e të huaj, që do ta bëjnë atmosferën festive në këtë qytet. DJ do të ketë dhe në zonën e Pazarit, si dhe muzikë live nga lokale, bare apo restorante. Gjithashtu në datën 16 gusht, do të mbahet dhe “Festa e Dardhës”, një festë lokale për një nga fshatrat më historikë e të vizituar shqiptarë. Filmat nuk mungojnë te “Kinorama”, krahas stand-up comedy.
Divjaka, Gramshi, Memaliaj
Në Divjakë po mbahet “Vgjeshta e legjendave”, një koncept artistik ku ndërthuren muzika, teatri, kinemaja, tradita dhe e reja. Në datën 16 gusht do të mbahet performanca “Nimfat” me aktoret Luli Bitri dhe Elia Zaharia në Pallatin e Kulturës Divjakë. “Fest e n’Gusht” do të mbahet në Gramsh, me këngëtarë të shumtë, muzikë, kërcim e performanca artistike në stadiumin e qytetit, përgjatë datave 15-18 gusht. Gjithashtu do të jepet dhe teatri për fëmijë “Smërfët dhe Gargamela” në datën 17 gusht në Gramsh. “Memaliaj na thërret” quhet festivali që do të mbahet në qytetin e Memaliajt në datat 16-20 gusht, ku në sheshin “Minatori” do të ketë muzikë kryesisht popullore nga këngëtarë lokalë e të mirënjohur.
Vlora do të mirëpresë DJ Steve Aoki, në një koncert për herë të parë në Shqipëri në datën 17 gusht në zonën e Lungomares. Muzika, DJ të ndryshëm do të performojnë në lokale, bare, club verore në të gjithë bregdetin. Në Sarandë do të mbahet “Raving Riviera” me DJ Bani D dhe DJ Chriss V në datën 17 gusht, në orën 18:00, në një festë në anije në detin Jon.
Për këto dhe më shumë përditësohuni vetëm me “Almanart”, shoqëruesi juaj artistik e kulturor, vetëm me 1 klikim!