Ç’të bëni nga Shkodra deri në jug këtë fundjavë? – “Almanart” sugjeron

Shkodra

Shkodra vijon me 2 koncerte, ku do të mbahen në Gjuhadol me “Yjet zbresin në Gjuhadol” ku do të luajë “Ron Gjura Band” mbrëmjen e datës 2 gusht 2024 dhe në Velipojë ku do të interpretojë “Fanfara Fest” gjithashtu më 2 gusht 2024. Nuk mungojnë aktivitetet në jetën e natës, me muzikë live apo DJ të ndryshëm në bare, restorante, club-e verore apo beach bar.

Lezha

“Festë n’Shpi” është festivali i përvitshëm i muajit gusht, që zë fill me ardhjen e shumë emigrantëve dhe diasporës në qytet. Më 2 gusht 2024 çel siparin me Ronela Hajatin, për të vijuar me data të tjera e artistë të shumtë. Filma në kinema verore do të ketë kryesisht në zonën e Ranës së Hedhun. Gjithashtu nuk mungon jeta e natës në qytet, po ashtu dhe në zonat e Shëngjinit apo Ranës së Hedhun.

Tirana

Koncerti i vitit është ai me Ermonela Jahon “Rikthimi i dallëndyshes” që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit më 4 gusht 2024 në orën 20:00. Filmat nuk do të mungojnë në Kinema “Maks Velo” në Laprakë me programin “45 ditë me kinemanë shqiptare” apo dhe në kinematë verore si “Open Air” në zonën e Liqenit artificial dhe te “Chateau Fasel” në zonën e Freskut. Ekspozitat do të vijojnë të jenë të hapura te COD Kryeministri, Galeria e Artit Tiranë, Bazament Art Space, Galeria FAB, “Naan”, “Gurgur” Petrelë apo dhe te Piramida. Kryeqyteti vijon me jetën e natës duke iu përshtatur të gjitha shijeve muzikore në lokale, bare, restorante, club-e verore, krahas festave në pishina, me muzikë live apo DJ të ndryshëm.

Vlora

Në Lungomaren e Vlorës po mbahet “Panairi i Librit” në datat 1-4 gusht 2024, ku të gjithë dashamirësit e librit mund të gjejnë botimet e preferuara. “Sunwave Festival” do të mbahet në datat 2 dhe 3 gusht 2024, pranë Shkollës së Marinës, ku do të ketë muzikë pop dhe rock, me këngëtarë si Alban Skënderaj, Aleksandër Gjoka apo Renis Gjoka. te “Galeria e Bregdetit” në Radhimë vijon të jetë e hapur ekspozita e Gerta Xhaferraj. Nuk do të mungojë jeta e natës me muzikë live apo DJ të ndryshëm, si “Akcent” etj.

Festivali i Porto Palermos

Festivali i Porto Palermos ka çelur siparin më 1 gusht deri më 18 gusht në Kalanë e Porto Palermos, ku do të ketë koncerte nga e enjtja deri të dielën me këngëtarë, muzikantë vendas e të huaj, që organizohet nga violinisti Olen Cesari.

Sarandë, nuk mungon jeta e natës në bare, restorante, lokale, club-e verore në zonën e qytetit apo dhe në Ksamil me muzikë live apo DJ të ndryshëm ndërkombëtarë e vendas, krahas filmave në Kinemanë verore “Open Air Saranda”.

Pogradeci

Në Pogradec në datat 2,3 dhe 4 gusht do të mbahet “Festivali i peshkatarëve shqiptarë” te “Odeoni” me muzikë nga këngëtarë të ndryshëm dhe aktivitetet e peshkimit. Gjithashtu është hapur dhe Kinemaja verore “Open Sky Cinema” me filma të ndryshëm. Në datën 2 gusht do të hapet dhe ekspozita “Stinët” nga piktori Sadik Kasa te “Galeria e Arteve Pogradec”. Jeta e natës nuk do të mungojë as në këtë qytet.

Korçë, do të mbahet “Festa e Lakrorit” në fshatin Polenë më datën 3 gusht 2024, në orën 19:00. Albano Bogdo do të mbajë një mbrëmje stand-up comedy te “Kinorama” më 3 gusht 2024, në orën 21:00. Gjithashtu nuk do të mungojë jeta e natës në zonën e Pazarit në lokale, bare, restorante apo dhe club-e.

Për më shumë detaje, mund të na kontaktoni apo të klikoni kalendarin e “Almanart”.

Fundjavë të këndshme për të gjithë!

Almanart