Ç’TË SHKRUASH?- ERNEST HEMINGUEJ

Ernest Heminguej, asnjëherë nuk ka dashur të flasë për procesin e krijimtarisë së tij vetjake, madje as shkroi ndonjëherë kontratë të vërtetë mbi të shkruarin, në fakt. Megjithatë, ai la të dhëna të shumta mbi vizionin që kishte për artin e rrëfimeve “të fshehura” nëpër letra, artikuj dhe libra, me mendime dhe këshilla për shkrimtarët aspirantë. Të gjitha këto, u mblodhën nga Larry W. Phillips dhe u botuan në vitin 1984, në librin “Ernest Hemingway on Writing”.

Jemi të sigurtë, se, nëse aspironi të shkruani, do t’ju vijnë në ndihmë.

1. Shkruaj një fjali të vërtetë: Këshilla e parë ka të bëjë me fillimin e shtjellimit të një historie të re.

“Nganjëherë, kur nis një histori të re dhe s’mundem ta çoj përpara, ulem para oxhakut e filloj e shtyp lëvoret e portokalleve të vogla drejt cepave të flakëve dhe vëzhgoj krijimin e currilave blu. Kështu që më në fund shkruaj një fjali të vërtetë dhe filloj prej andej. Ishte e lehtë, sepse kishte gjithmonë një frazë të vërtetë që e dija, ose që e kisha dëgjuar nga dikush tjetër. Kur e kuptoja se po shkruaja si i detyruar, ose si dikush që prezanton një temë apo prezanton diçka, ndaloja dhe hiqja fjalët boshe, i flakja tutje dhe ia nisja sërish me fjalinë e parë vërtet të thjeshtë deklarative që kisha shkruar”.

2. Ndalo para se të bllokohesh: Në këtë rast Heminguej sugjeron disa marifete, për ta bërë një shkrimtar ta kuptojë përherë se çfarë të shkruajë pa u ndalur kurrë.

“Gjëja më e mirë është që të ndalosh gjithmonë, kur e sheh që ke ecur goxha mirë dhe kur ende e di se çfarë do të ndodhë më pas. Nëse e bën përditë këtë gjë, teksa je duke shkruar një roman, nuk do të bllokoheni kurrë. Kjo është gjëja më e çmuar që mund t’ju them, kështu që përpiquni ta mbani mend”.

3. Mos mendo për historinë, ndërkohë që nuk je duke shkruar: Heminguej sugjeron të mos e sillni kurrë ndërmend historinë për të cilën po punoni, përpara se të filloni ditën tjetër.
“Në këtë mënyrë, e pavullnetshmja juaj do të vazhdojë të punojë mbi të në mënyrë autonome, por nëse e bëni atë me vetëdije, ose nëse shqetësoheni për këtë, do ta vrisni, për pasojë truri juaj do të ndjehet i lodhur para se të filloni të shkruani”.

4. Rilexo atë çfarë ke shkruar, para se të fillosh të shkruash përsëri: Heminguej e kishte zakon ta rilexonte atë që kishte shkruar.

“Gjëja më e mirë ishte të rilexoja çdo ditë nga fillimi, të korrigjoja duke e kaluar tekstin dhe, më pas, të vazhdoja atje ku e kisha lënë një ditë më parë. Kur teksti bëhet tejet i gjatë, aq sa është e pamundur t’i rikthehesh çdo ditë, kthehu dy ose tre kapituj mbrapsht në ditë; pastaj çdo javë lexoni gjithçka nga fillimi. Kjo bëhet për t’u siguruar që teksti të jetë në kohezion”.

5. Mos e përshkruani një emocion, bëjeni të ndodhë: Nëse arrin të dallosh veprimin ose ndjesinë konkrete që e shkaktoi atë emocion dhe e përshkruani në mënyrë të atillë sa të jetë në përputhje të plotë me historinë, atëherë lexuesit duhet të ndjejnë të njëjtin emocion.

“Në shkrimet gazetareske tregon se çfarë ka ndodhur dhe, me një dredhi apo një tjetër, komunikon emocionin, të ndihmuar nga ai element i përpikërisë, që i jep një dozë të caktuar emocioni çdo raportimi të ngjarjeve të ditës; por qëllimi i vërtetë, sekuenca e fakteve dhe e lëvizjeve që krijonin emocionin, çka do të ishte e vlefshme edhe pas një ose dhjetë vjetësh, me fat dhe nëse përshkruhej saktësisht siç duhej, përherë, ishte diçka përtej meje dhe përpiqesha të punoja fort për ta arritur ”.

6. Përdor laps: Heminguej përdorte shpesh makinë shkrimi, kur hartonte letra ose artikuj gazete, por për shkrimet e rëndësishme preferonte gjithmonë lapsin.

“Kur mëson të shkruash, qëllimi kryesor është të përcjellësh gjithçka tek lexuesi: çdo ndjesi, psherëtimë, ndjenjë, vend dhe emocion. Për t’ia arritur kësaj, duhet të ripunoni medoemos atë çfarë keni shkruar. Nëse shkruan me laps, i dhuron vetes edhe të paktën tre mundësi, për t’u siguruar që lexuesi të marrë atë që dëshiron t’i japësh”.

7. Mos u bëj i lodhshëm: Hemingueji, nuk i honepste shkrimtarët që nuk dinin t’i thoshin jo, një makine shkrimi. “Nuk është rastësi që fjalimi i Getisburgut (fjalimi i Linkolnit) është kaq i shkurtër. Rregullat e të shkruarit prozë, janë po aq të pandryshueshme sa ato të betejës, të matematikës, të fizikës”./konica/

Almanart