DokuFest është i lumtur të shpallë filmin e hapjes dhe atë të mbylljes, për edicionin e tij të 22-të.
Në përputhje me temën kryesore të festivalit “I AM AI AM I”, e cila synon të eksplorojë dhe të sjellë në diskutim mbi fenomenin e Intelligjencës Artificiale dhe lidhjes së saj me njerëzimin, festivali ka vendosur të dedikojë një pjesë të programimit të tij për zhanrin e filmit fantastiko-shkencor.
Të dy filmat hapës dhe mbyllës do të jenë homazh për vetë zhanrin, si dhe për interpretimin e Inteligjencës Artificiale në vetë historinë e kinemasë.
Filmi ikonik “2001: A Space Odyssey” nga regjisori legjendar Stanley Kubrick do ta hapë festivalin më 4 gusht, dhe do të mbyllet me filmin po aq ikonik fantastiko-shkencor, Blade Runner: Final Cut nga Ridley Scott më 12 gusht.
Filmi hapës
Një pikë referimi e kinemasë fantastiko-shkencore, një artefakt i viteve 1960 dhe padyshim një nga filmat më të bukur e madhështor i të gjitha kohërave, “2001: A Space Odyssey “ është kryevepra e Stanley Kubrick – një opera hapësinore mbresëlënëse, një film që parashikoi një të ardhme realiste dhe shumë të detajuar për udhëtimin e njerëzve në hapësirë.
Filmi mbyllës
“Blade Runner,” është vlerësuar si një nga filmat më të mirë të zhanrit fantastiko-shkencor i të gjitha kohërave, një shembull kryesor i kinemasë neo-noir dhe një vepër themelore e zhanrit cyberpunk. Ky film paraqet një vizion të Los Anxhelosit në 2019 si një ferr përrallor rrokaqiejsh dhe fabrikave monolite të Fritz Lang.
Ridley Scott ju deshën 25 vjet dhe tre redaktime për të arritur në versionin e përsosur dhe të fundit të kryeveprës së zhanrit fantastiko-shkencor, “Blade Runner: The Final Cut”, dhe DokuFest është i lumtur që prezanton këtë version të zgjatur si filmin mbyllës të festivalit.