“DokuFest” u është bashkuar shtatë festivaleve kryesore të dokumentarëve në Evropë për nominimin e një filmi të metrazhit të gjatë dhe një filmi të metrazhit të shkurtër për çmimet “Doc Alliance 2023”.
Po ashtu “DokuFest” ka bërë të ditur se është përzgjedhur si festival ku do të organizohet evenimenti prestigjioz. Ky eveniment do të mbahet gjatë edicionit të 22-të të “DokuFestit” (4-12 gusht) në Prizren.
“’DokuFest’ ka nderin të shpallë përfshirjen në mesin e shtatë festivaleve kryesore të dokumentarëve në Evropë për të nominuar një film të metrazhit të gjatë dhe një film të shkurtër për çmimet e shumëpritura ‘Doc Alliance’ (Aleance e Dokumentarëve) 2023. DokuFest po ashtu ka nderin të njoftoj përzgjedhjen si festivali ku ky evenimenti prestigjioz do të mbahet gjatë edicionit të 22-të të festivalit (4 – 12 gusht), në Prizren. Për më tepër, filmat e nominuar do të shfaqen si pjesë e programit të festivalit, duke i dhënë mundësinë audiencës të përjetojë këto vepra të jashtëzakonshme kinematografike”, thuhet në komunikatën e “DokuFest”.
Çdo vit, programuesit dhe drejtorët artistikë të të shtatë festivaleve nominojnë një film të shkurtër dhe një film me metrazh të gjatë (CPH:DOX, Doclisboa, DOK Leipzig, FIDMarseille, Ji.hlava IDFF, Millennium Docs Against Gravity FF dhe Visions du Réel).