Search
Close this search box.

Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit”, premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental

Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit” do të shënojë premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” në Tiranë. Tematika e dramës që pritet të vijë në skenën teatrore për publikun është bazuar në ngjarje të vërteta reale, në kohën e persekutimeve të klerikëve dhe besimtarëve. Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit” e përshtatur nga Bajram Torba është bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares Zana Tako. Në materialin rreth veprës nga Teatri Eksperimental thuhet se vjen një dramë tërheqëse, befasuese, emocionale, misionare dhe artistike. “Është një prurje e re jo vetëm për temën rrënqethëse, por në thelb të saj qëndron dashuria.

Ajo dashuri njerëzore që vlen me shumë se çdo pasuri kapitale”, thuhet nga teatri në materialin për premierën, që pritet të jetë në skenë për publikun. E gjitha kjo përcillet me mjaft përkushtim nga prifti Lazer, që është në qendër të ngjarjeve, ku rrethohet me një sërë personazhesh, që plotësojnë ngjarjet me një vendosmëri të rrallë. Pas shumë torturave që i bëhen priftit, atë e pushkatojnë. Edhe pse para egzekutimit ai fal dashuri. Kjo është drama, që përcjell mision, falje dhe dashuri, por ndërkohë thuhet në material ngelet një dramë edukuese për mbarë njerëzit.

Vepra teatrore premierë vjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental te “ArTurbina” në Tiranë mbrëmjet e datave 21, 22, 23 dhe 24 dhjetor. Dramatizimi dhe regjia Bajram Torba, muzika Artur Dhamo, kostumografe Zana Tako, piktore grimi Bebeka Alla. Si regjisor Bajram Torba sjell këtë premierë në vijim të aktivitetit të tij artistik. Në shfaqjet e tij përmendim dhe atë me titull “Qyteti i akuzuar” nga Teodor Laço, pjesë e skenës së pavarur, që u shfaq dhe në “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Online” më parë.

Aktorët në role

Në dramën “Gjaku i Martirëve të Kombit” janë në role aktorë të njohur të teatrit shqiptar, por dhe të rinj. Në vepër interpretojnë Bujar Asqeriu, Margent Caushi, Erjon Hinaj, Gëzim Rudi, Marjana Kondi, Alba Shtëmbari, Lindar Kaja, Delvis Bejleri, Alban Masaku, Bajram Torba. Aktori Bujar Asqeriu është një nga emrat e njohur të skenës teatrore dhe kinematografisë në vendin tonë. Në posterin e shfaqjes “Gjaku i Martirëve të Kombit” aktori Bujar Asqeriu tregohet me personazhin e priftit. Asqeriu pas diplomimit për 15 vjet aktivizohet si aktor i teatrit “Petro Marko” të Vlorës. Gjatë kësaj periudhe pati një karrierë intensive edhe në film, me role të ndryshme. Rolet e tij si aktor në Teatrin Kombëtar janë të shumta, ku përmendim shfaqjet teatrore si: “Gomone” (2003); “Pjata prej druri” (2005); “Korbi i bardhe” (2008) ; “Pamje nga ura” (2007); “Filumena Marturano” (2009) ; “Darka e gabuar” (2011), etj. Ndër filmat e tij mund të përmendim “Radiostacioni” 1979, “Vëllezër dhe shokë” (1979), “Në Prag të lirisë” (1981), “Ditë të qytetit tim” (1982) (TV); “Njeriu i mirë” (1982); “Një emër midis njerëzve” (1983); “Tri ditë nga një jetë” (1986);  “Telefoni i një mëngjesi” (1987); “Në emër të lirisë” (1987); “Misioni përtej detit” (1988), etj./sot.com/

Almanart