Search
Close this search box.

Dua Lipa në “Glastonbury” vulos statusin e saj si yll botëror

Performanca e Dua Lipës të premten mbrëma si një prej pikave kryesore të festivalit “Glastonbury”, e vërteton dhe një herë statutin e saj aktual si një prej yjeve më të mëdha të pop-muzikës në botë

Sipas deklaratave intriguese që i bënte në skenë, ndërmjet këngëve të saj, pjesëmarrja e Dua Lipës si performuese kryesore në “Glastonbury” erdhi si rezultat i manifestimit nga fëmijëria. Këngëtarja me prejardhje kosovare thotë se qysh atëherë e kishte shkruar si një prej dëshirave më të mëdha të jetës interpretimin në skenën e madhe të festivalit, “Pyramid Stage”, dhe jo vetëm. Ajo madje kishte ëndërruar gjithmonë që performanca të jetë në natën e premte, në mënyrë që të mund ta kalonte fundjavën duke festuar. Dhe ja ku jemi sot, duke e shikuar një video të Duas teksa e nënshkruan emrin e saj në një panel xhami, bashkë me fjalët “GLASTO 24”.

Pavarësisht nëse besoni në gjëra të tilla si manifestimi i ëndrrave dhe dëshirave, Dua Lipa dukshëm ka kaluar kohë të gjatë duke e studiuar me kujdes dhe duke përvetësuar mënyrën se si funksionon një performancë e suksesshme në “Glastonbury”, dhe më pas i vë në përdorim informatat që ka mbledhur. Lajmi i pjesëmarrjes së saj në festivalin më të madh të muzikës në Britani të Madhe i befasoi shumë njerëz, veçanërisht pasi albumi i saj i fundit “Radical Optimism”, nuk arriti ta përsërisë suksesin e njëjtë global sikurse albumi i kaluar, i publikuar në kohë pandemie, “Future Nostalgia”.

Megjithëkëtë, ajo tashmë e ka një inventar të hiteve të padiskutueshme, duke filluar nga “New Rules” e deri te bashkëpunimi me Elton Johnin, “Cold Heart”. Përveç kësaj, Dua është një nga ato artiste që e jep maksimumin në performancat e saj dhe kujdeset që gjithçka të jetë e përkryer dhe jo thjesht një tjetër koncert i transmetuar i muzikës pop në një fushë në Somerset apo një tjetër ndalesë e turneut botëror që ndodh të mbahet në një fermë.

Performanca e Lipës vjen e ilustruar edhe vizualisht. Ka dhe mjete piroteknike –  aq shumë prej tyre e shoqërojnë këngën “Levitating” saqë të bën të mendosh se çfarë kanë rezervuar për këngën finale.

Megjithëse ia arrijnë ta tejkalojnë çdo parashikim. Gjithçka duket të jetë organizuar për kënaqësinë e publikut. Duket se synimi i vetëm i Duas në skenë është ta argëtojë turmën e pranishme.

Performanca e Lipës vjen e ilustruar edhe vizualisht. Ka dhe mjete piroteknike –  aq shumë prej tyre e shoqërojnë këngën “Levitating” saqë të bën të mendosh se çfarë kanë rezervuar për këngën finale

Një paraqitje po aq e këndshme ishte ajo e mysafirit të ftuar Kevin Parker nga bendi “Tame Impala”, i cili ka qenë një nga producentët e albumit të fundit të Duas. I veshur me xhinse dhe bluzë të thjeshtë, që ishte e kundërta e kostumeve të shkëlqyeshme të pop-yllit, Parker dhe Dua e performuan hitin e njohur të bendit, “The Less I Know the Better”, që aktualisht numëron 1.6 miliardë transmetime online.
Interpretimi i këngës “Hallucinate” bëri që disa nga përpjekjet më të fundit të Lipës të duken paksa të dobëta në krahasim. Kënga erdhi e mbushur me momente drithëruese, duke sjellë energji të jashtëzakonshme në skenë. Kjo mund të jetë një nga këngët më të mira të muzikës pop në këto vjetët e fundit. Ani pse hitet e reja të Lipës “Houdini” dhe “Trainin Season” janë të jashtëzakonshme, ato nuk krahasohen me “Hallucinate”. Albumi i fundit “Radical Optimism” i përmban edhe disa këngë më pak mbresëlënëse, siç janë “Happy for You” apo “These Walls”.

Kjo e fundit ishte kënga e vetme në albumin e lartpërmendur, e cila sugjeronte në mënyrë të paqartë ndikimin e muzikës pop nga Britani e Madhe, diçka që Dua e kishte përmendur gjatë para publikimit të “Radical Optimism”. Por, duke e dëgjuar në skenën e festivalit  “Glastonbury”, tingëllonte më shumë si ato këngët që shitën miliona kopje në vitet ‘90. Por, repertori i këngëtares për këtë mbrëmje ishte kuruar me aq sukses, duke i futur këngët më pak të popullarizuara në mes të disa prej hiteve më të pëlqyera nga publiku, sa vështir se vëreheshin. Gjithmonë vinte radha për një tjetër hit të zjarrtë, të tilla si “Levitating”, “Physical” apo “Illusion”.

“Është shumë, apo jo”, dëgjohet duke thënë Dua në një moment gjatë mbrëmjes, teksa vëzhgon turmën e madhe të njerëzve, të cilët për më tepër qëndrojnë të vendosur duke e shijuar performancën e këngëtares. Në asnjë moment nuk bie në sy ndonjë gjë që sinjalizon se publiku nuk është i kënaqur me interpretimin e një prej artistëve kryesorë të “Glastonburyt”. Mbrëmja e së premtes ishte një sukses i padyshimtë.Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku /koha/

Almanart