Muzeu Prado i Madridit zbuloi të hënën një pikturë të mjeshtrit barok italian Caravaggio, e cila do të shfaqet për herë të parë në publik këtë javë pas asaj që muzeu e ka përshkruar si një nga zbulimet më të mëdha në historinë e artit.
Gjurma e “Ecce Homo” (Ja njeriu) kishte humbur që në shekullin e 19-të përpara se të rishfaqej tre vite më parë. Caravaggio, i cili vdiq në 1610 në fund të të tridhjetave pas një jete të trazuar, ishte një mjeshtër i përdorimit të teknikës “chiaroscuro” të ndriçimit për t’i bërë subjektet e tij të dukeshin të gjallë.
Ecce Homo
Përshkrimi i Jezu Krishtit të vuajtur në një kurorë me gjemba u pikturua midis viteve 1605 dhe 1609, pak para vdekjes së Caravaggio, dhe besohet se dikur i përkiste mbretit Filip IV të Spanjës.
“Tani mund të shijojmë plotësisht të gjitha nuancat, të gjitha hollësitë, bukurinë e madhe që Caravaggio shpreh përmes versionit të tij të Ecce Homo,” tha David Garcia Cueto, kreu i departamentit të pikturës italiane dhe franceze.
Ecce Homo
Pronari i tij i ri, një koleksionist ndërkombëtar arti me qendër në Spanjë, ka nënshkruar një marrëveshje me muzeun për ta mbajtur veprën e artit të ekspozuar deri në tetor, megjithëse mund të zgjatet pasi qëllimi i pronarit është ta ekspozojë atë përgjithmonë.
Në vitin 2021, Spanja bllokoi ankandin e pikturës pasi ekspertët sugjeruan se mund të ishte vepër e Michelangelo Merisi da Caravaggio dhe jo një bashkëmoshatari i panjohur i spanjollit të shekullit të 17-të Jose de Ribera, i cili mendohej se e kishte pikturuar atë.