Ekspozita “1989, rishikimi i qytetit para dhe pas” përmes fotografive në muzeun “Shtëpia me Gjethe”

Në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” u çel ekspozita fotografike e realizuar nga Muzeu i Bashkisë të Bukureshtit “1989, rishikimi i qytetit, para dhe pas”. Kjo ekspozitë pasqyron një pjesë të ndryshimeve që ka pësuar qyteti i Bukureshtit dhe vetë banorët e tij pas pragut historik 1989. Muzeu shprehet se pati kënaqësinë të mirëpresë Drejtorin e Përgjithshëm të Muzeve të Bashkisë së Bukureshtit, z. Adrian Majuru, të shoqëruar nga drejtorët e muzeve, z. Dan Pirvulescu dhe z. Theodor Ignatu. Bashkëpunimi mes dy muzeve u mundësua falë promovimit nga soprano e mirënjohur shqiptare, znj Arlinda Morava, atashe kulturor në Ambasadën shqiptare në Rumani. Në materialin rreth ekspozitës thuhet se vitet e regjimit komunist dhe vitet që pasuan përshkruhen në libra dhe kujtime, me etapa të përcaktuara qartë. Ajo që mbijeton nga një regjim në tjetrin, për njerëzit, mbetet e paqartë. “Për disa, ata më të moshuarit, mbetet një nostalgji, për të tjerët, më të rinjtë, një rrënim sentimental. Për ata që nuk e njohin, që kanë lindur pas një pragu historik dhe që jetojnë vetëm realitetet e reja, mbetet rreziku i kthimit mbrapa, në vend të ndjeshmërisë përballë bërjes, evolucionit.

Mbetet sfida e kapjes së detajeve të ndryshimit përmes përvojës së një të mbijetuari -një dëshmitar që i ruajti këto ndryshime në kujtesën e tij fotografike, duke i bashkangjitur momentet e jetës së tij me kujtesën kolektive dhe pas vitit 1989 ndoqi të njëjtin pasion për dekada. Është me ndihmën e këtij dëshmitari që ky rrëfim i shkurtër u krijua dhe ne mund të përdorim fotografitë e tij. Ai quhet Andrei Bîrsan”, thuhet për ekspozitën. Nga fotografitë shihet lehtësisht imazhi i ndryshimit rrënjësor të përditshmërisë urbane të 30 viteve të fundit, me të njëjtat vende, por me një notë ndryshe të sjelljes kolektive. “Rishikimi i qytetit, para dhe pas një viti ose pragu historik të caktuar, mund të jetë një metodë e dobishme krahasuese jo vetëm për studimin historik dhe antropologjik, por veçanërisht për përcaktimin dhe kuptimin e proceseve që ndodhin brenda natyrës njerëzore, që është gjithmonë në kërkim të përparimit, rehatisë së përditshme, sigurisë personale dhe asaj profesionale”, thuhet në materialin e muzeut. Ekspozita do të qëndrojë deri më 30 qershor.

Almanart