Search
Close this search box.

Ekspozita “Dhoma e Pasme” me vepra të piktorit Buron Kaceli

Pikturat dhe vizatimet janë pjesë e ekspozitës “Dhoma e Pasme”. Ekspozita personale e piktorit Buron Kaceli vjen me një përzgjedhje të veprave të tij ndër vite. Punët në ekspozitën që u hap në Galerinë e Artit Tiranë nisin që nga viti 1967 e vijojnë deri në ditët e sotme. Tirana urbane, jeta e saj, por dhe punë që piktori Kaceli ka realizuar kur ka qenë  arsimtar në malësitë e saj apo në rrethina të tjera janë pjesë e ekspozitës, ku nuk mungojnë dhe portrete. Piktor Buron Kaceli “Mjeshtër i Madh” thotë se ftesa për këtë ekspozitë erdhi nga GAT. “Edit Pula është dhe drejtuese e galerisë dhe kuratore e kësaj ekspozite. Ajo u njoh me dy punë të miat në një lokal pranë shtëpisë sime dhe më erdhi në studio ku pa punët e tjera dhe i pëlqyen. Ju dukën interesante dhe më tha për të bërë këtë ekspozitë. Nga punët e mia të shumta ajo përzgjodhi punët që janë të ekspozuara në GAT. Nuk është ideja ime, por koncepti i saj për të paraqitur pikturën time pranë popullit të Tiranës”, thotë ai. Në këtë ekspozitë janë ekspozuar sipas piktorit 50 piktura, si dhe rreth 50 vizatime. Ai tregon se pjesë e saj është dhe puna “Tirana ime”. “Janë ekspozuar punë të ndryshme, por puna më e hershme në këtë ekspozitë është një autoportret i imi që i takon vitit 1967 dhe vijojnë të tjerat që janë dhe 50 vjeçare, 40 apo 30 vjeçare e deri në ditët e sotme te kompozimi i madh që paraqitet  “Tirana ime”. Kjo është si linjë e saj kuratoriale, Tirana urbane me jetën që zhvillohet, etj”, tregon Kaceli. Në këtë ekspozitë ka punë të ekspozuara më parë, por një pjesë e madhe janë të paekspozuara. Piktori tregon se kjo është ekspozita e tij personale që hapet në Tiranë pas asaj të vitit 2009. Piktura, peizazhe, portrete të shumëllojshme janë pjesë e ekspozitës “Dhoma e Pasme”, por në natën hapjes së ekspozitës në GAT piktori Buron Kaceli performoi live në pikturë, ndërsa ishte i pranishëm dhe një grup muzikor.

Veprat e tij ndër vite

Ekspozita “Dhoma e Pasme” vjen këtë prill, me vepra të përzgjedhura nga karriera e gjatë e piktorit Buron Kacelit, por kuratorja Edit Pula shkruan se përpara se të ishte aparati fotografik, aty ishte një piktor, i cili pikturonte live -(një formë pikture që pikturohet në kohë reale nga nje piktor profesionist), i cili me mjeshtëri kap me penelat e tij në fajazit apo kanavacë, një situatë të veçantë, duke i bërë shërbim si funksionit të mirëfilltë artistik, ashtu edhe argëtimit personal. “Një piktor i tillë është Buron Kaceli, i cili i takon brezit të mesëm të artistëve, mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë, shquar për modelimin piktorik sipas shkollës europiane dhe pikturës franceze. Veprat e tij në vite janë shquar për interpretim lirik, peizazhe, natyra të qeta dhe kompozime figurash plot dritë, mbushur me ajër dhe zbulime drithëruese që janë shquar në mes të tjerash për interpretime të veçanta. Ato janë shquar për kulturën profesionale dhe rrokjen e guximshme të penelit të brishtë, me ngjyra e akorde piktorike”, shprehet ndër të tjera kuratorja Edit Pula rreth ekspozitës. Përgjatë karrierës së tij, Buron Kaceli ka pikturuar në shumë vende, por veçanërisht thotë kuratorja ka zgjedhur të ndodhet shpesh në mjediset ku manifestohet më së miri kultura popullore, muzika, vallet, kostumet, zakonet tona tradicionale, ceremonitë e festimet shqiptare, folklori në realitetin urban, që janë kryesisht në fokus në këtë ekspozitë bashkërenduar kjo me pamje të jetës rurale, portrete të njeriut të ri, etj. Sipas saj, kjo ekspozitë, përveçse feston artin dhe karrierën e gjatë të artistit, nëpërmjet tij, njëkohësisht tenton të kushtëzojë përkatësinë e kulturës popullore si element bashkëkohor urban.

Almanart