Ekspozita fotografike “Bukuri e përjetshme”, që bashkon dy artistë italianë

Ekspozita fotografike “Bukuri e përjetshme” u çel në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Një ekspozitë që bashkon dy artistë italianë të periudhave të ndryshme: Antonio Canova-n, njërin nga skulptorët më të mëdhenj të neoklasicizmit europian dhe Mimmo Jodice-n, një nga interpretuesit më të mëdhenj të fotografisë bashkëkohore. Pra, një ekspozitë ku vihet re një lidhje që bashkon idealen dhe realen, trupin dhe shpirtin, materien dhe imazhin. Mimmo Jodice interpreton kështu 17 skulptura të Canova-s me 51 shkrepje, nga të cilat katër ose pesë kushtuar çdo vepre arti. Ai ka zgjedhur perspektiva dhe këndvështrime të caktuara duke vënë në fokus detajet skulpturore më domethënëse, duke kërkuar kësisoj një lidhje të thellë të Canova-s me vizionin e tij dhe procesin krijues.

Në njëfarë mënyre ai e përafron skulpturën te shikuesi, ringjall trupin natyral, rrit butësinë e mishit duke e rikthyer atë në jetë. Me këtë rast, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shprehu mirënjohjen dhe falënderimin Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Italiane në Tiranë për bashkëpunimet e vazhdueshme në fushën e artit dhe kulturës, duke theksuar se ekspozita të tilla të shumëpritura do të vazhdojnë të çelen në vazhdimësi në muze. Në vijim, drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vuri në dukje se kjo ekspozitë e pati fillesën si një iniciativë që u ndërmor me rastin e 200-vjetorit të vdekjes së Canova-s. Realizimi i saj me anë të fotove u bë i mundur përmes bashkëpunimit me artistin e mirënjohur të fotografisë italiane, Mimmo Jodice, i cili njihet sidomos si mjeshtër i fotografisë bardhë e zi dhe i përdorimit të dritëhijes. Fotot e këtij mjeshtri, të ekspozuara në rend kronologjik, pasqyrojnë veprat e mirënjohura e me fuqi emocionale artistike të Canova-s, që gjenden nëpër muzetë e Parisit, Romës, Venecias etj. Kjo ekspozitë u realizua falë bashkëpunimit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Institutit Italian të Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Almanart