Ekspozita “Kaloi një grua” është e para për këtë vit, që prezanton punët e piktorit Gazmend Leka. Ekspozita personale e piktorit të mirënjohur hapet nesër në galerinë “Vilson Kilica” në qytetin e Fierit, ku personazhi qëndror i pikturave dhe vizatimeve janë nudot. Ekspozita “Kaloi një grua” përmban 8 piktura dhe 16 vizatime (koleksioni Balla) dhe vjen e kuruar nga Ermir Hoxha. Sipas kuratorit Ermir Hoxha, “Kaloi një grua” është ekspozita e radhës e piktorit Gazmend Leka, kur ai nisi serinë e përvitshme të aktiviteteve personale. Kuratori shprehet se pat nisur me “Symbolon” (2014), për t’u pasuar nga “Molla”, “Natura Morta”, “Taso”, “Lutja”, “Dhoma e Hapave të Humbur”, deri tek imazhi apokaliptik i “Noe”. E ndërtuar nga tablo në vaj e vizatime, sipas kuratorit Ermir Hoxha ekspozita është konfirmimi i vazhdimësisë së një rrugëtimi nisur dekada më parë dhe materializimit të njërit prej zërave më të vyer të pikturës shqiptare. Kuratori Ermir Hoxha thotë se e gjithë ekspozita ndërtohet nga imazhe interieri, jo shumë ndryshe nga formati klasik i krijimtarisë së Lekës. “Herë në “Dhomën e saj” e herë në “Dhomën e tij”, modelja e tij është ashtu, e zhveshur, e kolme dhe intriguese. Në pjesën më të madhe të tablove, ajo është në “Dhomën e saj”, ekskluzivisht vetëm, në intimitetin e vet, teksa rrotullohet si e zënë në çark në hapësirën e ngushtë të apartamentit. Aty, me sendet e veta, pranë krevatit, apo në poltronë, ajo vërtitet e shkujdesur në kërkim të shumëçkaje. Herë të tjera, partnerja e saj më besnike duket se është vetë Drita. Përkufizim i dijes më të përkryer, me të ajo duket se gjeneron një dialog ndryshe, sa simbolik, aq dhe lozonjar. Ajo vërtitet flirtuese para saj edhe kur vjen natyrshëm nga dritarja, edhe nga brenda dhomës”, shprehet Hoxha në tekstin e tij në vijim për ekspozitën.
E kuqja e munguar
E kuqja është konsideruar gjithnjë si ngjyra e pasionit, energjisë, rrezikut, aq sa edhe e erosit dhe sensualitetit. Kuratori Ermir Hoxha vijon se si e tillë, ajo ka shoqëruar imazhin në historinë e njerëzimit me gjithë forcën e vet, nga muret e Pompeit, tek Dhomat e Matisit. Edhe për Lekën ajo ishte një ngjyrë e rëndësishme vijon kuratori Ermir Hoxha, gjithnjë prezente, ajo qëndronte e fshehur aty nën lëkurën e errët të pikturës, për të kulmuar në subjektet a personazhet e duhur. “Në këtë cikël, e kuqja klasike i ka lënë vendin grive të errëta, okrave dhe të kafenjtave tokësore, ashtu si dhe linja klasike e femrës elegante, i ka lënë vendin modeleve të kolme, masive e gravitacionale. Për të, kjo ishte një zgjedhje e vetëdijshme, pasi përtej të gjithave, figura e femrës duhej të ishte e vërtetë ashtu si venuset primitive, me strukturë dhe peshë specifike, larg fetishit erotik bashkëkohor dhe notave sensuale”, vijon ai. Për kuratorin Ermir Hoxha pas notave tejet dramatike të cikleve të fundit, ekspozita duket se rikthen më në fund “paqen” në studion e Lekës. “Ajo është një oaz qetësie, dedikuar profesionistit dhe modeles; artistit dhe habitatit të tij; aktit të krijimit, sa dhe momenteve të heshtjes midis…”, thotë ai. Ekspozita që do të hapet më 15 mars do të qëndrojë deri më datë 31 galerinë “Vilson Kilica”në Fier. Në skenën e artit në vendin tonë Gazmend Leka është një piktor i vlerësuar me krijimtarinë e tij, por kjo vijon dhe jashtë./sot/