Ekspozita “Ningy?: Arti dhe bukuria e kukullave japoneze” vjen këtë muaj të parë të vitit në Galerinë e Artit Tiranë. Hapja e kësaj ekspozite do të jetë në datën 11 janar, ndërsa është në bashkëpunim dhe me partnerë të tjerë. Galeria e Artit Tiranë shprehet se në bashkëpunim me partnerë lokalë propozues si në këtë rast Fondacioni Japonez, nëpërmjet Ambasadës Japoneze, me të cilët në koordinim të ngushtë ka marrë rolin e ndërmjetësuesit kulturor për të ndërtuar dhe sjellë për publikun shqiptar ekspozitën “Ningy?: Arti dhe bukuria e kukullave japoneze”, jo vetëm si një ekspozitë mysafire rastësore e cila prej vitesh udhëton nëpër vende të ndryshme në promovim të kulturës së lashtë dhe të largët japoneze, por si një mysafire e mirëpritur dhe e mirëmenduar për t’u rehatuar në kontekst me kulturën dhe publikun vendas dhe vënë në dialog me historinë, traditën dhe interpretimin bashkëkohor të kukullave shqiptare. “Me këtë qasje, GAT ftoi artisten dhe kuratoren Merita Selimi për të ndërtuar një ndërthurje artistike bashkë me një program edukativ shoqërues mbi historinë e kukullës shqiptare”, thuhet nga Galeria e Artit Tiranë në faqen e saj.
Merita Selimi përveçse një artiste bashkëkohore e afirmuar, pedagoge pranë Fakultetit të Arteve të Bukura në Universitetin e Tiranës, ka punuar prej 18 vitesh pranë Teatrit Kombëtar për Fëmijë, që nga skenografia, kostumografia dhe deri tek krijimi i kukullave dhe personazheve shumë të njohur dhe të dashur për fëmijët. Ekspozita që do të hapet këtë janar vjen në vijim të atyre që janë hapur më parë në GAT gjatë aktivitetit të saj.