Punime në skulpturë dhe grafika janë ekspozuar në “Rrugës…”. Dy miq artistë Emanuel Koko dhe Bertrand Shijaku janë bërë bashkë këtë herë për të sjellë një ekspozitë me punimet e tyre më të fundit. Ekspozita me punimet e dy artistëve të njohur u hap në galerinë e Liceut Artistik “Jordan Misja”. Në Lice Bertrand Shijaku është pedagog i pikturës dhe i vizatimit dhe Emanuel Koko pedagog i specialitetit të gdhendjes në dru dhe gur, ku ata vijnë me një ekspozitë që i shtohet jetës artistike të Tiranës. Ekspozita “Rrugës…” është një pjesë e rrugës krijuese dhe miqësore e dy artistëve, pasi siç shprehet skulptori Emanuel Koko ata njihen dhe kanë qenë shokë të dy që vite më parë në Akademinë e Arteve. Skulptori tregon se këtë herë kanë ndërtuar një ekspozitë, që në impaktin e parë është një situatë krijuese bardh e zi. “Kontrastin bardh e zi e kemi menduar që në fillim dhe mbi të kemi krijuar punët për këtë ekspozitë”, thotë Koko. Skulpturat e artistit Emanuel Koko në “Rrugës…” janë disa instalacione me materiale të forta gur, dru, metal. Ndryshe nga herët e tjera që skulpturat janë të plota dhe shumë volumore këtë herë janë shumë elegante dhe kanë një esencë grafike bardh e zi. “Janë lëvizje njerëzish apo kafshësh të ndryshme. Këtë radhë i kam kushtuar vëmendje vetë siluetave, ose linjës për të qenë më shumë pranë esencës grafike dhe lëvizjes. Në linearitetin e krijimtarisë sime prej 25 vjetësh këto skulptura karakterizohen nga siluetat bardh e zi”, tregon ai. Veprat që skulptori Emanuel Koko prezanton në këtë ekspozitë janë bërë në harkun kohor 4 muaj, ku në këto punime janë parë me shumë kujdes ndërthurja e materialeve dhe estetika e punës së përfunduar. Skulptori thotë se në lidhje me pritshmëritë e publikut, artisti ka një detyrë: të përpiqet që të ndryshojë shijet e publikut drejt artin modern bashkëkohor. “Në vendin tonë kjo gjë është pak e vështirë mbasi koha dhe kultura soc- realiste ka bërë punën e vet në shoqëri. Fjala ose fjalia që arti buron nga populli dhe i takon popullit është mashtrimi më i madh sipas meje. Artin e bëjnë artistët dhe e blejnë ata që dinë dhe kanë. Me gjithë përpjekjet e disa artistëve ka akoma shumë skulptura, që bëhen sipas modelit të realizmit socialist”, shprehet Koko.
Ideja rreth ekspozitës
Dy pedagogë të liceut dhe dy miq që këtë herë vijnë me një ekspozitë të përbashkët, por piktori Bertrand Shijaku tregon se ideja mbi ekspozitën erdhi gjatë kohës së lirë në shkollë, ku nuk mungojnë diskutimet mbi artin. “Duke qenë se jemi pedagogë dhe artistë, që vazhdojmë krijimtarinë artistike vendosëm që së bashku të realizojmë një ekspozitë të artit pamor Emanueli në skulpturë, ndërsa unë si piktor, por kësaj radhe në fushën e grafikës së shtypit, në tekniken e ksilografisë ( shtypit në dru ), linogravurës (shtypit në linoleum ), dhe drypoint ( gjilpërës së thatë mbi bakër ). Ekspozita jo më kot quhet “Rrugës…” pra një titull kuptimplotë rrugës së artit që është sa e bukur, por edhe e vështirë dhe e gjatë”, tregon piktori. Bertrand Shijaku në këtë ekspozitë prezantohet në teknika të grafikës, të cilat janë një cikël me peizazhe nga jugu i Shqipërisë nga fshatrat e bregut Dhërmi dhe Qeparo, ku vlen të përmendet që janë peizazhe të realizuara direkt në vend. “Vizatime të marra nga natyra dhe pastaj natyrisht që janë realizuar në studio dhe në laboratorët e grafikës së shtypit, ndërsa cikli tjetër janë kompozime abstrakte, formaliste të realizuara në ksilografi dhe gjilpërë të thatë mbi bakër. Këto janë punë të realizuara ditët e fundit”, tregon piktori. Në grafikat e tij Bertrand Shijaku trajton peizazhin e bukur të fshatrave të bregut shqiptar kontrastin plot dritë të peizazheve të këtyre zonave , etj, gjithashtu në ciklin e kompozimeve abstrakte apo formaliste ai sjell ide të re mbi artin bashkëkohor. Ekspozita do të qëndrojë deri në datën 3 të muajit që vjen./sot/