Skulptura dhe instalacione janë punimet e artistit Ardian Pepa në galerinë FAB. Ekspozita “There are two sides to every story” vjen për publikun nën kurimin e Ardian Isufit dhe Altin Likës. Artisti Ardian Pepa është një nga emrat e njohur në artin pamor, me ekspozita të ndryshme ndër vite, ku këtë herë është “There are two sides to every story” në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve që sjell veprat e tij. Veprat e artit në këtë ekspozitë në galerinë FAB sipas kuratorit Ardian Isufi prezantohen për herë të parë për publikun. Në tekstin e tyre kuratorial kuratorët Ardian Isufi dhe Altin Lika shprehen ndër të tjera se artisti Ardian Pepa hulumton mbi situata pamore të ndërmjetme: gjurmë historike, personazhe faktike apo mitologjike, territore të shkelura dhe të pashkelura. “Thjeshtësisht i jep shkas vëzhguesit të ndërveprojë me veten dhe me receptorët e tij të kujtesës. Udhëtimi i tij nuk ka të bëjë me momentet finale, por me situata procesuale të paqëndrueshme dhe enkas në territore të papërcaktuara”, thuhet në tekstin rreth ekspozitës. Dy kuratorët Ardian Isufi dhe Altin Lika shprehen se gjithsesi instalacionet dhe skulpturat e artistit në hapësira të dedikuara (site-specific) janë pretekste imazhesh të kompresuara, apo shumëllojmëri informacionesh pamore, që nga publiku duhen mbërthyer ose zbërthyer me analiza racionale…ndoshta edhe iracionale. “Historitë janë aty!…Gjejini!!!…sendërtoni kontekste sipas përvojës tuaj duke pasur parasysh jo vetëm një anë të ngjarjes por siç thotë edhe J. Michael: “Mos harroni, ka gjithmonë dy anë në çdo histori. Të kuptuarit është një shpatë me tre tehe. Ana juaj, ana e tyre dhe e vërteta me shumë mundësi qëndron në mes. Merrni të gjitha faktet përpara se të nxirrni përfundime të shpejta”, vijon teksti kuratorial nga Isufi dhe Lika. Ekspozita që u hap të hënën do të qëndrojë deri më 28 shkurt në galerinë FAB.
Rreth aktivitetit artistik
Artisti Ardian Pepa është i pranishëm me veprat e tij në aktivitetet artistike kombëtare dhe ndërkombëtare brenda Shqipërisë. Veprat e tij tashmë janë pjesë e koleksionistëve shqiptarë e të huaj. Në aktivitetin e tij artisti Aridan Pepa ka ekspozuar student në vitin 2000 në ekspozitën e organizuar nga Kisha Ortodokse Shqiptare në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Më tej merr pjesë në konkurse e veprimtari të ndryshme arti në ekspozita kolektive dhe vetjake. Në 2001 ekspozita personale “Plus” në Galerinë e Akademisë së Arteve. Punime në dru, metal, mermer, alabastër, allçi, si dhe vizatime të ndryshme. Në vitin 2003 ekspozitë personale “Tendencë” në Muzeun Historik Kombëtar, po këtë vit pjesëmarrës në konkursin “Onufri” në Galerinë Kombëtare të Arteve, etj. Për punimet e tij artisti Ardian Pepa ka marrë vlerësimin e publikut si dhe të kritikës në artin pamor. Ekspozita për publikun në galerinë e artit FAB pranë Universitetit të Arteve vjen në vijim dhe të atyre, që janë çelur më parë nga artistë të ndryshëm./sot.com/