Veprat e shkrimtares Helena Kadare u ekspozuan në Bibliotekën Kombëtare. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtares, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli një ekspozitë me kontributin e saj si shkrimtare, përkthyese dhe redaktore, duke nisur nga novela e saj e parë “Shuaje dritën Vera” botuar në vitin 1966, për të vijuar më tej me romanet “Një lindje e vështirë” (1970); “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978); “Bashkëshortët” (1981); “Një grua në Tiranë” (1994); “Zëri i njeriut të humbur” (1994) dhe “Kohë e pamjaftueshme” (2011). “Krahas krijimtarisë së saj, janë ekspozuar edhe përkthimet e disa veprave të Isaac Bashevis Singer, Yasushi Inoue, Junichiro Tanizaki, Anna G. Dostoevskaâ, Christopher Andersen, etj”, thuhet nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Në këtë ekspozitë që u çel së fundmi, një vend të veçantë zë edhe kontributi i Helena Kadaresë si redaktore e një sërë monografish dhe botimesh të rëndësishme. Ekspozita në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtares Helena Kadare do të qëndrojë e hapur për publikun në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Helena Kadare u lind në Fier. Ajo studioi letërsi në Universitetin e Tiranës. Është një ndër të paktat shkrimtare romanciere shqiptare, në vitet e regjimit komunist. Autore e disa vëllimeve, veprat e saj flasin për ëndërrimet vajzërore, përjetimet e të qenit nënë e bashkëshorte. Gjithashtu është një përkthyese cilësore e disa veprave të autorëve të njohur botërorë, kryesisht francezë. Biblioteka Kombëtare herë pas here hap në mjediset e saj ekspozita kushtuar autorëve të njohur të letërsisë, ku këtë herë u çel një ekspozitë me krijimtarinë dhe përkthimet e shkrimtares së njohur Helena Kadare.