Emrat e mëdhenj në Festivalin e Cannes

Nga filmi i ri i Francis Ford Coppola deri te “Palma e Nderit” e këtij viti, këto janë ato që e Festivalin e Filmit në Cannes, edicioni i 77-të i të cilit do të mbahet prej 14 majit deri më 25 maj. Pos filmit “Megalopolis”, të Coppolas, në garë janë edhe 18 filma të tjerë

Filmi i hapjes

Regjisori francez, Quentin Dupieux, i njohur për absurditetin e tij në filmat si “Rubber”, “Deerskin” dhe “Mandibles”, do ta hapë Festivalin e Filmit në Cannes me filmin e tij të ri “Le Deuxième Acte” (Akti i Dytë), më 14 maj.

“Florence dëshiron ta prezantojë Davidin, njeriun për të cilin është dashuruar çmendurisht, babait të saj Guillaume. Por David nuk është i tërhequr nga Florence dhe dëshiron ta fusë atë në krahët e mikut të tij Willy. Katër personazhet takohen në një restorant në një vend të përhumbur”, është sinopsisi i filmit me të cilin Dupieux debuton jashtë garës. 

Léa Seydoux, Vincent Lindon, Louis Garrel dhe Raphael Quenard, janë aktorët kryesorë. Siç ndodh tradicionalisht në hapjen e Festivalit, filmi hapës do të debutojë në kinematë franceze po atë ditë.

Rikthimi i Coppolas

Lajmi tjetër i madh është epiku i Francis Ford Coppolas, “Megalopolis”, që do ta ketë zyrtarisht premierën si film garues. 

“Megalopolis” është filmi i parë i regjisorit të trilogjisë “Godfather” (Kumbara) dhe “Apocalypse Now” që nga “Twixt” i vitit 2011, dhe vlerësohet për një kast të shënjuar nga yjet e kinematografisë botërore, duke përfshirë Adam Driver, Aubrey Plaza, Giancarlo Esposito, Nathalie Emmanuel, Jon Voight, Laurence Fishburne, Shia LaBeouf, Talia Shire, Jason Schwartzman, Dustin Hoffman dhe James Remar.

Coppola shkroi skenarin në vitet 1980 dhe ka investuar më shumë se 120 milionë dollarë të parave personale në këtë projekt. 

Detajet e përmbajtjes së filmit mbeten ende të paqarta, pasi që dhe Coppola shpesh e quan atë një enigmë të papërshkrueshme. Por, në përshkrimin e shkurtër zyrtar shkruhet: “Fati i Romës e përndjek një botë moderne që nuk mund të zgjidhë problemet sociale në këtë histori epike për ambiciet politike, gjenialitetin dhe dashurinë në konflikt”. 

“E njoh Francisin që prej qindvjetorit të kinemasë në vitin 1995 dhe kur po merrja pjesë në vitin tim të parë në Cannes, ai erdhi për ta prezantuar ‘Apocalypse Now Redux'”, tha drejtori i Cannes, Thierry Frémaux, për “Variety”. “’Megalopolis’ është një projekt që ai dëshironte të kryente për kaq kohë dhe ai e bëri atë në mënyrë të pavarur, në mënyrën e tij, si një artist që është”. 
Përfshirja në konkurrencë do të thotë që regjisori 85-vjeçar do të jetë i kualifikuar për “Palmën e Artë”, 45 vjet pasi e fitoi një të tillë për “Apocalypse Now”. E ndau “Palmën” atë vit me “Die Blechtrommel” të Volker Schlöndorffit, por 50 vjet më vonë mori çmimin më të madh të Cannesit me filmin “Conversation”. 

Në garë janë edhe 18 filma të tjerë: “The Apprentice” i Ali Abbasit, “Motel Destino” i Karim Aïnouz, “Bird” i Andrea Arnoldit, “Emilia Perez” i Jacques Audiard, “Anora” i Sean Baker, “The Shrouds” i David Cronenberg, “The Substance” i Coralie Fargeat, “Grand Tour” i Miguel Gomes, “Marcello Mio” i Christophe Honoré, “Feng liu yi dai” i Jia Zhang-ke, “All We Imagine as Light” i Payal Kapadias, “Kinds of Kindness” i Yórgos Lánthimos, “L’amour ouf” i Gilles Lellouche, “Diamant Brut” i Agathe Riedinger, “Oh canada” i Paul Schrader, “Limonov – The Ballad” i Kirill Serebrennikov, “Parthenope” i Paolo Sorrentinos dhe ”Pigen med nålen” i Magnus von Hornit.

Premierat jashtë garës

Pas suksesit të “Mad Max: Fury Road” që fitoi në “Oscars”, regjisori George Miller sjell pjesën e dytë, “Furiosa: A Mad Max Saga”, me premierën botërore jashtë konkurrencës në Cannes këtë vit.
“Furiosa: A Mad Max Sag” është një paraqitje madhështore që eksploron origjinën e Furiosas, një personazh që më parë është interpretuar nga Charlize Theron. Filmi paraqet Anya Taylor-Joy në rolin kryesor, ndërsa Chris Hemsworth dhe Tom Burke luajnë gjithashtu role kryesore. 

“Ideja e këtij vazhdimi ka qenë në mendjen time për më shumë se një dekadë”, ka thënë Miller në një deklaratë. “Jam shumë i lumtur që po kthehem në Festivalin e Cannes së bashku me Anya, Chris dhe Tom për ‘Furiosa: A Mad Max Sag’. Nuk ka vend më të mirë sesa La Croisette për të përjetuar këtë film me audiencat në skenën botërore”. 

“Mad Max: Fury Road” gjithashtu kishte premierën në festival, në vitin 2015 dhe vazhdoi duke fituar gjashtë çmime “Oscar”, duke grumbulluar 380 milionë dollarë në të gjithë botën.
Disa trailerë veç se janë publikuar për “Furiosa” dhe për çudi ky film duket më ndryshe se “Fury Road…”. Megjithatë, është e sigurt që do të jetë një nga filmat më të bujshëm në Croisette këtë vit.

Nderimi i George Lucasit

Pas Harrison Ford vitin e kaluar, “Palma e Nderit” për sivjet do t’i takojë George Lucasit, regjisorin ikonik të “Star Wars” dhe “Indiana Jones”.

Lucas do të nderohet në ceremoninë e mbylljes më 25 maj.

Së fundi, disa ndër emrat që morën këtë çmim përfshijnë Michael Douglas, Tom Cruise, Forest Whitaker dhe Jodie Foster.

Pas shpalljes së çmimit, Festivali ka lavdëruar punën e Lucasit, për ndërtimin e “një perandorie hollywoodiane nëpërmjet nëntë episodeve të sagës – katër prej të cilave ai i drejtoi vetë” dhe për “pasionin e paepur për teknologjinë” e cila e ka bërë atë “një nga pionierët e industrisë së efekteve vizuale”. 

“Festivali i Cannes zë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time”, ka thënë Lucas në një deklaratë. “U befasova dhe u gëzova kur filmi im i parë, ‘THX-1138’ u zgjodh të shfaqej në një program të ri për regjisorët e rinj të quajtur ‘Directors Fortnight’. Prej atëherë, jam kthyer në festival shumë herë në role të ndryshme si shkrimtar, regjisor dhe producent. Jam vërtet i nderuar nga ky vlerësim i veçantë që për mua ka rëndësi të madhe”.

Andrea Arnold në qendër të vëmendjes

Regjisorja britanike, Andrea Arnold, do të marrë çmimin “Golden Coach” në dy javët e regjisorëve të këtij viti, i cili zhvillohet së bashku me Festivalin e Filmit në Cannes.

Ceremonia do të zhvillohet më 15 maj gjatë ceremonisë së hapjes për dy javët e regjisorëve.
Çmimi i nderit, i ndarë nga organi drejtues i Cannes, Shoqëria e Regjisorëve Francezë dhe i nisur në vitin 2002, u jepet kineastëve që shquhen me “cilësi inovative, guxim dhe qasje të pavarur”.
Laureat të mëhershëm ishin: Kelly Reichardt, Frederick Wiseman, John Carpenter dhe Martin Scorsese.

Gara dhe parashikimet

Parashikimet për garë të fortë përfshijnë Emma Stonein e Yorgos Lanthimos në filmin e tij të ri “Kinds of Kindness”, pas triumfit të “Poor Things” vitin e kaluar, “The Shrouds” i David Cronenbergut, me Diane Kruger, Vincent Cassel dhe Guy Pierce, rreth një të veje të pikëlluar (Cassel) që ndërton një pajisje për të ndihmuar njerëzit të lidhen me të vdekurit si dhe “Partenhope”, vazhdimi i Paolo Sorrentino si dhe Andrea Arnoldi me “Bird”, me aktorët Barry Keoghan dhe Franz Rogowski. Arnold do të jetë tashmë në Cannes për çmimin “The Golden Coach Award”, kështu që do të duket si një përshtatje e përsosur. 

“Emmanuelle” i Audrey Diwan nuk është në garë dhe me sa duket është ende në fazat e montazhit. Diwan mori “Luanin e Artë” në Venecia në vitin 2021 për filmin e saj “Happening”, dhe ribërja e saj e dramës së famshme erotike franceze – bazuar në romanin e Emmanuelle Arsan – është një nga titujt më të pritur të vitit 2024. Në të luajnë Noémie Merlant, Naomi Watts dhe Will Sharpe.
Edicioni i 77-të i Festivalit të Filmit në Cannes, do të fillojë më 14 maj të këtij viti dhe do të përmbyllet në mbrëmjen e 25 majit.

Marrë nga “EuroNews”. Përktheu: Enis Bytyqi/koha/

Almanart